Uncategorized

VETËVENDOSJA qëndroi në opozitë edhe kur i kishte votat mjaftueshëm, më shumë se secila parti e opozitës sot dhe nuk e bllokoi formimin e qeverive, as kërkoi poste presidenti

Shkruan Orgest Azizi

ÇMIMI I VEZËVE

Vetëvendosja nuk ka gjuajtur vetëm me vezë në Parlament kundër një shumice NË PUSHTET — dhe jo UD —, që përgatitej të miratonte ligje ose marrëveshje kundër interesit të përbashkët (sipas VV të paktën).

Ajo ka bërë dhe shumë paudhësi të tjera protestuese:

— ka hedhur lotsjellës në Kuvend, pasi e pësoi atë dendur në rrugë;

— ka protestuar jo vetëm kundër qeverisë (kollaj ajo punë), por dhe EULEX-it, duke e paguar herë me jetë (10 shkurti), herë me procese e ilegalitet të detyruar;

— ka rrokullisur kamionat me mallra që hynin nga Serbia në pikat kufitare të veriut;

— ka hedhur bojë të kuqe mbi rektorin e UP-së të emëruar nga pushteti dbe vegël e tij;

— ka pasur dhjetëra aktivistë të deportuar, në kërkim, në arrest shtëpie, apo dhe në burg, ku njëri humbi dhe jetën;

— i tha “Jo” Grenellit (të cilit i bindej gjithë Europa), edhe pse ishte emisari personal i Trumpit;

— pranoi të binte nga pushteti në pandemi, me puç institucional, që Kuvendi e mbështeti;

— qëndroi në opozitë edhe kur i kishte votat mjaftueshëm — më shumë se secila parti e opozitës sot — për t’u bërë pjesë koalicionesh, dhe nuk e bllokoi formimin e qeverive, as kërkoi poste presidenti;

— miratoi ligjin për votën e diasporës dhe hartoi projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar

— zhbëri strukturat kriminale në veri dhe mori në ngarkim të Policisë së Kosovës urën e Ibrit!

Etj, etj.

Për shumë nga ne, aksionet protestuese të VV ishin shembull dhe shkollë e mendimit politik: e theksoj, e MENDIMIT, sepse tregonin se gjëja më e vështirë në politikë është pikërisht ta mbash mendimin të pandarë nga aksioni — dhe aksionin të pandarë nga mendimi!

Që opozita po filloka edhe ajo të frymëzohet nga shembulli protestues i VV-së është lajm i mirë, edhe pse vetëm për axhenda karrigesh.

Por, i ftojmë të mos ndalen me kaq, dhe të thellohen më tej në këtë rrugë… të vështirë dhe të parehatshme.

Sepse, si çdo shkollë, e ndoshta dhe më shumë se të tjerat, edhe kjo ka rrregullat e veta, rreptësinë e vet të suksesit. Nuk mund të vish thjesht një ditë të bukur, si ata nxënësit “e dobët”, me duart në xhepa (apo me çantë grash!), dhe të kopjosh detyrat nga fletorja e shokut.

Në këtë rrugë, të gjatë, të ndërtuar bashkë dhe mes njerëzve dhe larg zyrave e vilave, çdo hap paguhet, pak a shumë shtrenjtë.

Veza është vetëm njëra nga hallkat e zinxhirit — dhe vetëm brenda tij merr peshë. Mund të jetë ndodhta hallka më e dobët, më e lehta, por, që të ketë kuptim, edhe ajo duhet ta ketë një çmim.

Protesta në Shqipëri e ka marrë përsipër atë çmim, në të gjitha format.

Opozita në Kosovë, mesa duket, ende jo.

Ajo do vetëm lëvozhgën, pa të verdhën!

Rruga Press

YouTube player