Opinion/Aktualitet

Këta akoma s’janë pajtuar me faktin që Kosova është shtet edhe pa PDK-në në pushtet

Nga Donik Sallova

Ne që e ndjekim moti politikën na kujtohet ajo periudha e pasluftës kur për të ardhur në pushtet PDK-ja pothuajse u distancua nga UÇK-ja. Thaçi e mori përsipër realizimin e projektit të Kosovës shtet multietnik, duke e devijuar nga rruga që kishin ndjekur ideologët dhe veprimtarët shqiptarë, që shtetin e Kosovës e projektuan edhe konstitucionalisht si “shtet i kombit shqiptar…” (7 shtator 1990, Kushtetuta e Kaçanikut).

Për t’u dukur sa më jo-UÇK para ndërkombëtarëve që iu premtoi të deshqiptarizonte projektin politik të shtetit të Kosovës, Thaçi i aderoi në PDK dhe në ekipin e tij figura të ashtuquajtura urbane neutrale kombëtarisht si Petrit Selimit, Berat Buzhala, Dukagjin Gorani etj. Këta e të tillë të tjerë u bënë fytyra e re jomilitare dhe jokombëtare e PDK-së që ia mundësoi Thaçit ardhjen në pushtet në vitin 2007 (sigurisht pasi SHIK-u i kishte kapur 3-4 figura kyçe në LDK të cilat mundësuan ndarjen e e saj). Thaçi e përmbysi doktrinen e “njohjes formale” të pavarësisë që proklamonte Ibrahim Rugova (pra që kërkohte njohjen e entitetit të krijuar me aktet kombëtare politike të viteve 1990) dhe e mori rolin e protagonistit në pavarësinë ahtisaariane.

Lexo më shumë  Përse pasuria nuk krijoi elitë? Ndoshta tranzicioni na mësoi si të bëhemi të pasur, por nuk arriti të na mësojë çfarë duhet të bëjmë me pasurinë

Këto gjëra i kam thënë e shkruar edhe para 20 vitesh, prandaj nuk po them ndonjë gjë të re. Nën qeverisjen e Thaçit u zhduk çdo simbolikë shqiptare në identifikimin publik të Republikës së Kosovës. Ministritë e tij të arsimit me vite kanë mbështetur rishikimin e historisë si plotësim të kërkesave të ca ndërkombëtarëve për paqësimin dhe pajtimin me Serbinë, por duke e shlyer historinë se Kosova u fitua me gjak shqiptari e krimesh serbe. Aq shumë u pat distancuar qeverisja e PDK-së nga UÇK-ja sa që këto shoqatatat e luftës dukeshin gati komike kur rrallë dilnin me ndonje konferencë për shtyp. Për Thaçin i shenjtë u bë pushteti, prandaj shkoi u përkul edhe te ai lapidari serb (po e dini ju çka shkruan aty).

Prandaj sot, kur PDK bën sikur po shqetësohet për Kushtetutshmërinë dhe rendin juridik, thjeshtë më qeshet shumë, sepse partia-shtet e pasluftës, që për pushtetin pati model ideologjinë staliniste të Enver Hoxhës, shtetin e Kosovës e ka kuptuar vetëm si pushtet dhe ngaqë qëndruan 20 vite në pushtet menduan vërtet që shteti i Kosovës është pushteti i tyre. Këta akoma s’janë pajtuar me faktin që Kosova është shtet edhe pa PDK-në në pushtet.

Ne që e njohim mirë historinë e pasluftës të kësaj partie që kapi dhe shiti çdo gjë publike sa ishte në pushtet, kur i shohim sot këta çiliminjtë e PDK-së tek bërtasin “UÇK, Kushtetuta, Shteti”, na ngjajnë thjeshtë me palaço politike që mendojnë se kemi harruar çfarë i kanë bërë Kosovës.

Rruga Press

YouTube player