Lajme

Vendosur në “gjumë” nga Shqipëria, Ballkani i Hapur nuk i arriti synimet e deklaruara!

Kur Edi Rama i Shqipërisë njoftoi më 1 korrik fundin e nismës Ballkani i Hapur, ai pretendoi se ajo e kishte “përmbushur misionin e saj”. Deklarata e tij zuri në befasi vendet partnere të Shqipërisë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ekspertët, megjithatë, thonë se nëse “mini-Shengeni” rajonal do të përfundojë, kjo nuk do të jetë për shkak të ndonjë njoftimi të Ramës, por sepse, ndryshe nga pretendimi i kryeministrit, ka arritur shumë pak.

Nisma Ballkani i Hapur u prezantua në vitin 2019 si një përpjekje e brendshme për të thelluar bashkëpunimin ekonomik të tre anëtarëve të saj, me synimin për t’u zgjeruar në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor në një moment amullie në integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

Katër vjet më vonë, asnjë vend tjetër nuk i është bashkuar, nisma është ndikuar nga mungesa e transparencës dhe ekspertët thonë se një sërë marrëveshjesh të nënshkruara nga treshja kanë qenë të dobëta në ambicien e saj. Ata argumentojnë se ishte më shumë politike sesa praktike.

“Për mendimin tim, Ballkani i Hapur ka një problem mospërputhjeje midis fjalëve të mëdha në qëllimet e tij të shpallura – siç është ‘tregu i vetëm’ – dhe hapave praktikë shumë modestë të ndërmarrë në dokumentet e nënshkruara”, tha avokati me bazë në Beograd, Relja Radoviç, i cili është i specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht të drejtën ndërkombëtare ekonomike.

“Unë nuk mendoj se do të ishte kuptimplotë të flitej për arritje të qëllimeve në një mjedis të tillë.”

Në fjalët e tij, Rama nuk e shpalli Ballkanin e Hapur të vdekur, por thjesht tha se kishte “përmbushur misionin e tij” për të çuar përpara Procesin e Berlinit, të iniciuar nga Gjermania në 2014 si një mënyrë për të inkurajuar bashkëpunimin midis shteteve të Ballkanit Perëndimor në mungesë të ndonjë perspektive progresi në frontin e integrimit në BE.

Ballkani i Hapur filloi si një nismë për të kopjuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Por ndërsa tre anëtarët themelues – Beogradi, Tirana dhe Shkupi – u bënë thirrje të tjerëve të bashkoheshin, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e kanë bërë këtë, për arsye të ndryshme.

Lexo më shumë  Arsyeja e vizitës së presidentit kinez në Beograd është shumë më e thellë: Xi Jinping do ta ftojë Serbinë të anëtarësohet në BRICS

Ideja e një tregu të vetëm mbetet shumë larg, duke pasur parasysh mungesën e ndonjë progresi real, thelbësor mbi bazën e marrëveshjeve që janë shumë larg synimeve të deklaruara.

Radoviç, megjithatë, vuri në pikëpyetje rëndësinë e vërtetë të njoftimit të Ramës.

“Nga njëra anë, do të ishte e vështirë që nga ajo deklaratë të nxirret përfundimi se Shqipëria do të tërhiqet nga ajo që tashmë është nënshkruar, por kjo mund të nënkuptojë thjesht se Shqipëria nuk do të ndjekë marrëveshje të reja të Ballkanit të Hapur”, tha Radoviç për BIRN.

“Nga ana tjetër, zoti Rama mund të flasë vetëm në emër të Shqipërisë dhe edhe nëse Shqipëria do të hiqte dorë nga nisma, kjo nuk do të thotë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut, apo ndonjë anëtar tjetër i mundshëm, do ta braktisin atë gjithashtu.”

As Beogradi dhe as Shkupi nuk kanë dhënë ndonjë indikacion se synojnë të largohet nga projekti. Teksa priste Ramën më 7 korrik, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se kjo kishte ndihmuar në përmirësimin e tregtisë midis Serbisë dhe Shqipërisë.

“Nëse shikoni vetëm shifrat dhe nivelin e shkëmbimeve tregtare në periudhën nga viti 2019 deri në fund të vitit 2020, do të shihni se sa dukshëm është rritur bashkëpunimi mes vendeve tona, si në import ashtu edhe në eksport nga njëri vend dhe tjetri. Kjo përkon me Ballkanin e Hapur, por edhe me marrëdhënie më të mira politike”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

Vetë Rama ishte dikur një nga tifozët më të mëdhenj të nismës dhe madje e ka përkrahur zgjerimin e saj në Turqi, Greqi, Itali dhe Hungari.

Vetëm vitin e kaluar, një sondazh i iniciuar nga Rama pyeti shqiptarët për 12 çështje të rëndësishme të politikave, përfshirë Ballkanin e Hapur. Pesëdhjetë e nëntë për qind thanë se e mbështesin projektin.

Lexo më shumë  Konjufca: Heroi Ilaz Kodra është ndër figurat më emblematike të UÇK

Kundërshtarët e kryeministrit shqiptar, në pushtet për një dekadë, thanë se ai po vepronte si një “shërbëtor i Beogradit”, duke qenë se disa ekspertë argumentojnë se Serbia, si vendi më i madh në rajon, do të përfitojë më shumë nga një treg i vetëm.

Ekspertja e komunikimit me qendër në Tiranë, Edlira Gjoni, tha se si Vuçiç ashtu si edhe Rama mbanin përgjegjësi për mungesën e rezultateve të nismës.

“Ishte një nismë personale dhe është një dështim personal i këtyre dy liderëve që janë më populistët në të gjithë rajonin”, tha Gjoni për BIRN.

Gjoni përmendi edhe mungesën e transparencës.

“Ballkani i Hapur nuk ka arritur asnjë nga premtimet që tha se do të bënte dhe, në fakt, premtimet që disa liderë bënë përmes nismës Ballkani i Hapur nuk u bënë kurrë mjaftueshëm transparente për publikun, as për ata që do të kuptonin dhe analizonin dhe madje mbështesnin Ballkanin e Hapur”, tha Gjoni.

Ndryshe nga Procesi i Berlinit, tha ajo, Ballkanit të Hapur i mungonte gjithmonë një “agjendë e qartë dhe një qasje gjithëpërfshirëse”.

Gjoni argumentoi se Vuçiçi ishte i motivuar nga përfitimi ekonomik i Serbisë dhe Rama nga përfitimi i tij personal dhe politik. Si e tillë, ajo nuk kishte asgjë për t’i ofruar pjesës tjetër të rajonit.

Kosova, për shembull, prej kohësh e kishte bërë të qartë se prioriteti i saj ishte Procesi i Berlinit. Kryeministri Albin Kurti kundërshtoi vazhdimisht thirrjet e Ramës për anëtarësimin e ish-krahinës serbe me shumicë shqiptare, duke përmendur mungesën e barazisë midis shteteve anëtare. Mali i Zi e pa këtë nismë si një shpërqendrim nga procesi i integrimit në BE.

“Besoj kjo nismë përfundoi kryesisht sepse nuk ishte një nismë për të gjithë, nuk ishte gjithëpërfshirëse dhe nuk merrte parasysh sfidat, dyshimet dhe mungesën e përgjigjeve që disa kombe kishin për këtë nismë”, tha Gjoni për BIRN.

“Ajo u pa më shumë si një nismë e Ramës dhe Vuçiçit, sesa e gjashtë vendeve të Ballkanit. Ajo nuk arriti t’i bashkonte të gjithë.” /Fjori Sinoruka – BIRN/

Rruga Press

YouTube player