Vendi në Ballkan ku Rusia është investitori më i madh
Rusia ka qenë investitori më i madh në Mal të Zi në katër muajt e parë të këtij viti, me 41.6 milionë euro investime direkte dhe prej tyre rusët kanë investuar 20 milionë euro në blerje të patundshmërive, shkruan gazeta Pobjeda.
Duke cituar të dhënat e Bankës Qendrore të Malit të Zi, gazeta thekson se në këtë periudhë në Mal të Zi ka pasur gjithsej 306.4 milionë euro investime të huaja direkte, që është 68.4 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Në vendin e dytë dhe të tretë për sa i përket investimeve direkte janë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia. Nga ana tjetër, ukrainasit shpenzuan 4.6 milionë euro për pasuri të paluajtshme në Mal të Zi, ndërkohë që rritje të konsiderueshme kanë edhe investimet nga Gjermania.
Të dhënat e investimeve ruse u shënuan si konfidenciale
Rusët investuan 15 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
15 milionë euro janë të lidhura me investimet nga Rusia në borxhin ndërkompani, pra kredi nga kompanitë mëmë dhe të lidhura me to.
Të dhënat për investimet ruse në kompani dhe banka malazeze janë shënuar si konfidenciale.
Nga 1 shkurti deri më 9 qershor të këtij viti, rusët themeluan 1100 kompani në Mal të Zi, kryesisht nga sektori i IT-së.
Rusët janë pronarë ose bashkëpronarë të 18,906 pronave dhe 3.9 milionë metra katrorë tokë në 13 komuna në Mal të Zi.
Rruga Press