Lajme

Vdekja e ish-ambasadorit Abdi Baleta – Kurti: Vepra e tij dëshmi e një jete të kushtuar kombit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Abdi Baletës, duke theksuar kontributin e tij të vyer në politikë dhe publicistikë:

Abdi Baleta ishte një nga emrat e politikanëve që shqiptarët e Kosovës e mësuan sapo në Shqipëri ra regjimi komunist.

Disa e kishin emër të dëgjuar edhe më parë, kur ai përfaqësonte Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa për publikun e gjerë ai u bë i njohur me fjalimet në Kuvendin e Shqipërisë dhe me shkrimet në shtyp, që si kryetemë kishin çështjen e pazgjidhur shqiptare.

Lexo më shumë  Shqipëria po plaket, fuqia punëtore po tkurret

Ishte një zë që spikaste për nga forca e argumentimit dhe vendosmëria me të cilën mbronte identitetin kombëtar dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar.

Abdi Baleta ishte një nga njohësit e thellë të ligjit ndërkombëtar dhe rrjedhave të gjeopolitikës.

Një pjesë të shkrimeve të viteve 1990 për Kosovën i botoi në librin Kosova: Nga Dejtoni në Rambuje.

Ai vijoi të komentonte zhvillimet në hapësirën shqiptare dhe në botë, në shkrimet e tij në gazetën Bota Sot të Prishtinës, në Rimëkëmbja të Tiranës, në revistën Shenja të Shkupit etj.

Lexo më shumë  24 pjesëtarë të Njësive Speciale certifikohen për aftësi të veçanta

Në takimet e mia me të në Tiranë e dalloja pasionin me të cilin mbronte mendimet, që mbështeteshin nga përvoja e gjatë diplomatike dhe erudicioni, gëzimin për përparimet e Kosovës dhe të kombit shqiptar, pezmatimin për pengesat që ende shqiptarët kanë për të kapërcyer, por dhe besimin e tij se e drejta herët a vonë fiton.

Vepra e tij publicistike është një shkollë e vërtetë për mendimin politik dhe strategjik shqiptar dhe një dëshmi e një jete kushtuar kombit.

Ngushëllime familjes, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve.

Rruga Press

YouTube player