Bota

Vazhdojnë përpalsjet verbale në mes të Beogradit dhe Zagrebit, pasi iu ndalua hyrja Vuçiqit në Kroaci

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk i kishte informuar autoritetet kroate zyrtarisht për vizitën e tij në Kroaci të dielën e 17 korrikut, raporton Index.hr.

Madje, kreu i qeverisë kroate, ia ka kujtuar Vuçiçit agresionin e ushtruar në Kosovë, në vitet e 90-ta, pasi mediat në Serbi raportuan se ekzekutivi i Kroacisë janë “Ustash”, duke iu referuar formacionit fashist i cili ka drejtuar Kroacinë nën mbrojtjen e forcave naziste.

“Ju keni dikë që është president i vendit dhe duhet të kujdeseni për këtë, pavarësisht se sa të vështira janë marrëdhëniet dhe ju kujtoj agresionin e ‘Serbisë së Madhe’ ndaj Sllovenisë, Kroacisë dhe Kosovës. Kjo nuk ishte 150 vjet më parë, por vetëm rreth 30 vjet më parë, vendoseni në kontekst, atëherë gjërat bëhen më të qarta”, tha Plenkoviç.

Ai tha se institucionet kroate kanë dërguar një mesazh të qartë se nuk ishte koha për një vizitë të tillë e sidomos pa një njoftim zyrtar.

“E morëm vesh se ka dëshirë për të ardhur të dielën, por pa njoftim zyrtar. Pavarësisht se sa me maturi dëshiron ta bëjë dikush, ajo ka pasoja te nikoqirët. Ne thamë se nuk ishte koha e duhur dhe as metodologjia e duhur për të. Kur të vijë momenti, mund të flasim për të. Kroacia është gjithëpërfshirëse dhe tolerante. Sot për herë të parë pashë në mediat serbe se ne jemi “qeveri e Ustash-ve”, shtoi Plenkoviç.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Kreu i qeverisë kroate theksoi se shtetet duhet ta trajtojnë njëra tjetrën me respekt.

Ai dha disa leksione të protokollit homologut të tij duke i thënë se “kur dikush vjen për vizitë, fillimisht telefonon dhe prezantohet”.

Ky reagim i Plenkoviç-it erdhi pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, theksoi se nuk ka asnjë vend në ish-Jugosllavi si Janovaci, kur flitet për shfarosjen e popullit serb.

“Doli që unë doja të shkoja në qytetin e ndaluar, ose serbët mund të shkonin atje vetëm nga viti 1941 deri në 1945”, tha ai.

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar në lidhje me deklaratën e ministrit të jashtëm kroat Gordan Grliç Radman, i cili i tha këtij të fundit “zotëri, nuk po shkoni në det”, të dielën e 17 korrikut, kur Vuçiç-it u ndalua hyrja në Kroaci.

“Grliç Radman tha se të shkosh në Jasenovac dhe të shkosh në det nuk është njësoj. Unë kurrë nuk kam dashur të shkojë në detin e tyre dhe jam krenar për këtë”, tha presidenti serb gjatë një konferencë për media.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Ai insiston se kishte kontaktuar zyrën e kryeministrit kroat dhe ka njoftuar institucionet e këtij shteti për vizitën e tij në Jasenovac.

“Kemi kërkuar që të vizitojmë Jasenovacin më 10 shtator të vitit të kaluar. Në disa raste direkt dhe indirekt na kanë kërkuar shtyrjen e vizitës për shkak të situatës së brendshme politike”, u shpreh ai.

Më 17 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç Radman, mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me ndalimin e “vizitës private” të presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Jasenovac dhe Pakrac.

“Zotëri, nuk po shkoni në det. Presidenti i shtetit është një person i mbrojtur, një vizitë e tillë kërkon përfshirjen e autoriteteve kroate. Ne gjithmonë lajmërojmë ardhjen tonë. Nuk mund të kalosh vetëm kështu kufirin”, theksoi kryediplomati kroat.

Në anën tjetër, pas ndalimit të vizitës së Vuçiç-it në Kroaci, ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, njoftoi se të gjithë zyrtarët e shtetit kroat, të gjithë mbajtësit e pasaportave zyrtare apo diplomatike, do të duhet të shpallin dhe arsyetojnë veçmas vizitën ose kalimin e tyre nëpër Serbi dhe do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *