Bota

Kursi i Euros thyen rekord të ri, bie poshtë 117 Lekëve

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun theu dje një barrierë të re në rënie.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro ra për herë të parë në historinë e vet poshtë nivelit të 117 Lekëve dhe u këmbye me 116.97 Lekë.

Në këtë periudhë të vitit, mbiçmimi Lekut ishte i pritshëm, për shkak të elementit të zakonshëm sezonal, të lidhur sidomos me turizmin. Kulmi i sezonit turistik shoqërohet edhe me një rritje të prurjeve të Euros në ekonominë shqiptare, duke ndikuar në zhvlerësimin e monedhës europiane ndaj Lekut. Por, këtë vit efekti sezonal nisi mbi një bazë edhe më të ulët të kursit Euro-Lek, duke thyer ditë pas dite rekorde të reja në rënie. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 4.5%.

Agjentët e këmbimit valutor e kanë shpjeguar forcimin e pazakontë të Lekut që prej fundit të vitit të kaluar me rritjen e shpejtë të turizmit, eksporteve dhe remitancave pas pandemisë, që kanë sjellë përmirësimin e Bilancit të Pagesave (sidomos në tremujorin I 20222), por edhe me prurjet e larta nga aktivitetet informale ose kriminale.

Leku i fortë në një periudhë inflacioni të lartë ndihmon në amortizimin e pjesshëm të rritjes së çmimeve nga tregjet e huaja. Duke qenë se Shqipëria importon mallra dhe shërbime kryesisht në Euro, forcimi i Lekut e ka zbutur pjesërisht rritjen e çmimeve të tyre. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, inflacioni me siguri do të kishte qenë më i lartë, në mungesë të forcimit të Lekut ndaj Euros. Zhvlerësimi i Euros ndikon pozitivisht edhe importet e shërbimeve dhe sidomos turizmin e shqiptarëve jashtë vendit.

Lexo më shumë  Parlamenti kroat miraton qeverinë e Plenkoviçit. Ja partneri qeverisës i kryeministrit kroat

Por, nga ana tjetër, rënia e Euros ka një impakt negativ në sektorët eksportues të ekonomisë dhe sidomos në sektorin e fasonerisë, sepse tkurr të ardhurat e tyre, të konvertuara në Lekë.

Mbiçmimi i Lekut ka ndikime të konsiderueshme edhe në bilancet e sektorit financiar, duke ulur vlerën ekuivalente të aktiveve dhe pasiveve në monedhën europiane. Kjo nënkupton një ngadalësim në ritmet e rritjes së kredive dhe depozitave në sistemin bankar.

Huamarrësit në valutë me ta ardhura në lekë janë të favorizuar, sepse po e blejnë më lirë valutën për të shlyer këstet e kredive, ndërkohë që individët me kursime në Euro po pësojnë rënie të vlerës së tyre, të shprehur në Lekë.

Leku fitoi ndjeshëm terren sot edhe në kursin e këmbimit me Dollarin Amerikan. Monedha amerikane zbriti në nivelin e 115.28 Lekëve, në rënie me 1.44 pikë në raport me vlerat e fundi të javës së kaluar. Kursi mes Dollarit dhe lekut reflekton në masë pak a shumë proporcionale lëvizjet e kursit të këmbimit mes Dollarit dhe Euros. Në pjesën e parë të Korrikut, Dollari arriti për herë të parë në paritetin në kursin e këmbimit me Euron. Madje, në disa momente Euro ra edhe poshtë vlerës së 1 Dollari Amerikan. Kjo u reflektua në mbiçmimin e Dollarit ndaj Lekut deri në nivelin e 117.51 lekëve, niveli më i lartë qysh prej vitit 2017.

Lexo më shumë  Radev: Rruga e Maqedonisë së Veriut për në Bruksel kalon nëpër Sofje

Në vazhdim, Euro ka rifituar lehtë terren. Sot monedha europiane këmbëhej afërsisht me 1.02 Dollarë. Kjo ka bërë që edhe kursi USD-LEK të pësojë një korrektim të lehtë në ulje. Megjithëse Dollari ka një peshë më të ulët në këmbimet tregtare të Shqipërisë, kursi i monedhës amerikane ngelet i rëndësishëm në raport me tregtimin e lëndëve të para, që në përgjithësi kuotohen në këtë monedhë. Lëvizjet e kursit të USD impaktojnë importet dhe eksportet e këtyre produkteve dhe sidomos çmimet e shitjes së karburantit në vend.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *