Lajme

Ukraina po shqyrton njohjen e Kosovës

Në të njëjtën kohë që u botua një letër në të cilën dhjetëra deputetë perëndimorë kërkonin nga SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe që të ushtronin presion mbi Beogradin, një mesazh tjetër erdhi nga zyrtarët e Ukrainës, e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Ukrainës, Aleksandar Merezhko, i cili është edhe vetë nënshkrues i letrës së lartpërmendur, tha se në Kiev po diskutohet për njohjen e pavarësisë së Kosovës, “edhe pse nuk është e lehtë të merret një vendim i tillë”.

Merezhko tha se në Parlamentin e Ukrainës ka deputetë që mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Si qytetar ukrainas, shoh që Kosova është në anën e Ukrainës, pasi ajo ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se po përpiqet të na mbështesë. Nga komunikimi që kam pasur me kolegët e mi serbë, shoh disa dyshime. Fatkeqësisht, ndonjëherë Serbia anon drejt Rusisë”, tha ai, shkruan Vreme.

Lexo më shumë  Vetëvendosje kërkon hetime për legalizimet në Prishtinë

Merezhko ka theksuar se në përgjigje të mbështetjes që Kosova i jep vendit të tij, Ukraina duhet të hapë një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë. Dhe meqenëse Ukraina nuk merr mbështetje nga Serbia, ai pranoi se vendimi i Kievit për të njohur Kosovën “ka avantazhet e tij”.

Merezhko ka thënë se ka folur disa herë me kolegët e tij nga Kosova, ndërsa ka shpjeguar se qëllimi i asaj letre ka qenë të tentohet “ndalimi i përshkallëzimit dhe parandalimi i trazirave”.

“Qëllimi është që të dyja palët të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë”, ka saktësuar ai, duke folur për sjelljen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Ai shtoi se e sheh se “situata në Evropë është e rrezikshme” dhe paralajmëroi se një përshkallëzim i mundshëm në Ballkanin Perëndimor mund të shkëpusë vëmendjen nga lufta e Ukrainës kundër agresionit rus.

Lexo më shumë  Miq me benefite/ Buxheti i shtetit paguan 3.1 milionë euro çdo muaj për kompaninë e mikut të kryeministrit

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, njoftoi më 8 gusht se ka gjithnjë e më shumë zëra në shoqërinë ukrainase të cilët mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar gjithashtu se ka një numër të caktuar deputetësh në parlamentin ukrainas – përkrahës të idesë së njohjes së mundshme.

Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe ka thënë se Tolkaq ka theksuar se qëndrimi i Ukrainës për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar sepse çështja e “formimit dhe zbatimit të politikës së jashtme në përputhje me legjislacionin ukrainas i përket presidentit të Ukrainës”.

“Pozicioni i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në njoftimin e ambasadorit.

Rruga Press

YouTube player