Bota

Ukraina paralajmëron për rrezikun e Luftës së Tretë Botërore

Kryeministri i Ukrainës i ka thënë BBC-së se do të ketë një “Luftë të Tretë Botërore” nëse Ukraina humb konfliktin e saj me Rusinë, pasi ai i kërkoi Kongresit të SHBA të miratojë një projekt-ligj për ndihmën e huaj të ngecur prej kohësh.

Denys Shmyhal shprehu “optimizëm të matur” se ligjvënësit amerikanë do ta miratonin masën e kontestuar ashpër, e cila ka 61 miliardë dollarë të destinuara për Kievin.

Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për paketën këtë të shtunë.

Propozimi përfshin financim për Izraelin si dhe Indo-Paqësorin.

Duke folur për BBC në Uashington DC të mërkurën, kryeministri Shmyhal tha për ndihmën e SHBA-së për sigurinë: “Këto para na duheshin që dje, jo nesër, jo sot”.

“Nëse ne nuk e mbrojmë… Ukraina do të bjerë”, shtoi ai. “Pra, sistemi global, global i sigurisë do të shkatërrohet… dhe e gjithë bota do të duhet të gjejë… një sistem të ri sigurie.

Lexo më shumë  Kosova dhe Ukraina në shënjestër të dezinformatave serbo-ruse gjatë javës që lamë pas

“Ose, do të ketë shumë konflikte, shumë lloje të tilla luftërash, dhe në fund të fundit, kjo mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.”

Kjo nuk është hera e parë që Ukraina lëshon një paralajmërim kaq alarmues për pasojat e humbjes së saj të mundshme.

Vitin e kaluar, presidenti Volodymyr Zelensky tha se nëse Rusia fitonte konfliktin, ajo mund të pushtonte Poloninë, duke shkaktuar Luftën e Tretë Botërore.

Por zyrtarët e Kremlinit  janë tallur  me pretendime të tilla si frikësime perëndimore. Muajin e kaluar presidenti Vladimir Putin i hodhi poshtë si të pakuptimta, sugjerimet se Rusia një ditë mund të sulmonte Evropën Lindore.

Lexo më shumë  Baerbock: Ballkani sa më shpejt në BE! Nuk mund të lejojmë Rusinë të ndërhyjë në rajon

Rusia nuk ka sulmuar kurrë një vend brenda NATO-s, e cila përfshin Poloninë. Pakti i mbrojtjes kolektive i NATO-s do të thotë se një sulm ndaj një anëtari përbën një sulm ndaj të gjithëve.

Në intervistën e së mërkurës, kryeministri Shmyhal u pyet në lidhje me një pretendim të fundit nga kryetari republikan i Dhomës së Punëve të Jashtme Michael McCaul se anëtarët e partisë së tij po “infektoheshin” nga propaganda ruse.

Shmyhal tha: “Ne duhet të kuptojmë se dezinformimi dhe propaganda po ndikon këtu në Shtetet e Bashkuara në shumë njerëz, edhe në Bashkimin Evropian në shumë njerëz, njesoj si në Ukrainë.”

Rruga Press

YouTube player