Lajme

“U shërben interesave të krimit”, Shoqata e Biznesit kundër amnistisë fiskale në Shqipëri

Kundër draftit të Qeverisë për Amnistinë Fiskale dhe Penale është edhe Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.

Kryetari i kësaj shoqate, Albert Nasto, nuk ka kursyer kritikat, teksa thotë se nisma do t’u shërbejë interesave të krimit, korrupsionit, evazionit fiskal, informalitetit dhe pastrimit të parave të pista dhe jo qytetarëve të zakonshëm.

“Në vendet në zhvillim amnistitë bëhen me transparencë maksimale, duke u konsultuar edhe me grupet e ndryshme të interesit, pra, është një proces gjithëpërfshirës.  Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani me projektligjin e qeverisë, i cili ende nuk është përfundimtar dhe nuk ka për të qenë me këtë qeverisje e cila mbron interesat e oligarkëve. Projektligjiu shërben interesave të krimit, korrupsionit, evazionit fiskal, informalitetit, pastrimit të parave të pista, përfshirjes me anë të ligjit të vjedhjeve dhe abuzimeve të miliarda eurove me koncesionet apo PPP-të dhe formave të tjera të abuzimit financiar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Prej kësaj nisme mund të amnistohen vetëm parat e pista të ndoshta miqve dhe shokëve të kësaj qeverie, që është një ndër më të korruptuarat në rajon e më gjerë dhe as që mund të bëhet fjalë për të amistuar paratë e emigrantëve, të cilët kanë punuar në të zezë në vende të ndryshme të Europës dhe botës. Nuk ka nevojë të jesh ekonomist për të kuptuar që nuk mund të ketë punëtorë me paga të tilla që të bësh 2 milionë euro pasuri edhe nëse pagën e shumëzon me 30 vite punë”, pohon Nasto. Ndërsa akuzon qeverinë për mungesë transparence mbi këtë nismë të rikthyer, dy vite pasi u tërhoq, Nasto thotë se kostot e saj janë të mëdha. Amnistia, sipas tij, do të shkatërrojë tregun dhe konkurrencën e lirë.

“Ky projekt i shërben vetëm një pjese shumë të vogël qytetarësh, të cilët mund të numërohen me ditët e një muaji dhe aspak me pjesën e qytetarëve të zakonshëm. Deri më tani nuk është konsultuar as me qytetarët, as me biznesin dhe ka 0 transparencë mbi qëllimin e vërtetë dhe impaktin në buxhet dhe ekonomi. Ne gjykojmë që kjo amnisti do të shkatërrojë tregun dhe konkurrencën e lirë dhe të ndershme, ndaj s’duhet të miratohet, sepse demet që do të sjellë janë të shumta, ndërsa përfitimet janë minimale apo të papërfillshme. E ritheksoj, qëndrimi ynë është që as që duhet mend-uar kjo lloj amnistie e jo më të bëhet ligj”, thekson më tej kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.

Lexo më shumë  Kuvendi voton disa marrëveshje ndërkombëtare

ZËRAT KUNDËR

Kundër kësaj amnistie është shprehur edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Sipas presidentit të AmCham, Enio Jaço, projektligji i rikthyer nga Qeveria krijon hapësirë për pastrim parash dhe evazion fiskal dhe dëmton konkurrencën në treg. Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra, ndërsa e konsideron amoral procesin, thotë se nuk ka kuptim të amnistohen “çunat e Londrës” dhe të mos fshihen detyrimet apo borxhi i krijuar për 120 mijë biznese, që aktualisht janë me status pasiv.

“Diskutimi që ne bëjmë sot në procesin amoral të amnistisë është të vendoset një shenjë barazimi apo të përfshihen në këtë proces edhe niptet pasive, apo sipërmarrjet me status pasiv që kanë gjeneruar ndër vite borxhe apo detyrime ndaj qeverisë. Nuk ka kuptim që qeveria të lehtësojë personazhe që s’kanë qenë të dukshme në ekonomi përkundrejt një detyrimi tatimor modest, që varion nga 5 deri në 10 për qind, dhe të lërë jashtë skeme këto biznese që të vijojnë të mbesin me detyrime. Janë 120 mijë sipërmarrje me status pasiv. Ndaj edhe e ritheksoj, nuk ka kuptim që të amnistohen ‘çunat e Londrës’ dhe të mos fshihen këto detyrime e të çlirohet biznesi nga ky borxh i mbartur”.

Lexo më shumë  Gërvalla: Oferta e Kosovës e humbi relevancën pas mbledhjes së sotme në KiE

Amnistimi i të ardhurave deri në 2 milionë euro pa penalitete dhe përkundrejt një detyrimi tatimor modest që varion nga 5-10 për qind krijon shteg për pastrimin e parave. Kjo, së paku për dy arsye. Rrethi i të përjashtuarve është i kufizuar, çka do të thotë se në radhët e kategorive që nuk mund të përfitojnë nga kjo amnisti, preken vetëm anëtarët e familjes. Nga ana tjetër, mekanizmat e kontrollit apo verifikimit të burimit të parave konsiderohen nga ekspertët si aspak efikase. Do të jetë vetëm një njësi pranë Tatimeve që do të përmbyllë procesin në harkun e 5 ditëve. Amnistia fiskale, thekson eksperti i Ekonomisë, Alban Zusi, nuk jep garanci se përmes saj nuk do të vërshojnë para krimi për t’u legalizuar. Nisma, sipas tij, mund e duhet të ndërmerret kur shteti është në gjendje të vendosë kontroll mbi informalitetin në një masë të pranueshme, si dhe të zgjidhë ngërçet ligjore e rregullative që imponojnë informalitet e evazionit, por sa kohë kjo nuk sigurohet, atëherë ajo është e destinuar të dështojë.

“Diskutimi që ne bëjmë sot në procesin amoral të amnistisë është të vendoset një shenjë barazimi apo të përfshihen në këtë proces edhe niptet pasive apo sipërmarrjet me status pasiv që kanë gjeneruar ndër vite borxhe apo detyrime ndaj qeverisë. Nuk ka kuptim që qeveria të lehtësojë personazhe që s’kanë qenë të dukshme në ekonomi përkundrejt një detyrimi tatimor modest, që varion nga 5 deri në 10 për qind dhe të lërë jashtë skeme këto biznese që të vijojnë të mbesin me detyrime. Janë 120 mijë sipërmarrje me status pasiv. Ndaj edhe e ritheksoj, nuk ka kuptim që të amnistohen ‘çunat e Londrës’ dhe të mos fshihen këto detyrime e të çlirohet biznesi nga ky borxh i mbartur”./Zoom.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *