U raportua se ndaluan një automjet që transportonte dinarë, Dogana: Personat pretendonin se përfaqësojnë ‘Komercijalna Banka”
Sot është raportuar se një automjet që po transportonte dinarë serbë është ndaluar në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Jarinjë, ndërkaq lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe nga Dogana e Kosovës.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha se në pikë kalimin kufitar të Jarinjës janë paraqitur disa persona që pretendonin se përfaqësojnë ‘Komercijalna Banka’, e cila tashmë është mbyllur.
“Këta persona janë interesuar për procedurën e lëvizjes së parave të gatshme, të njëjtit janë udhëzuar që të ndjekin njoftimet e BQK derisa Dogana e Kosovës po ashtu zbaton normat e njëjta ligjore”, tha Stavileci.
Ndryshe, mediat në Serbi sot kanë raportuar se një automjet që po transportonte dinarë serbë është ndaluar në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Jarinjë.
Më 1 shkurt 2024 ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës e cila thekson se valuta e vetme në Kosovë është euro.
Kjo ka ngjallur edhe reagimin e faktorit ndërkombëtar. BE dhe SHBA ka kërkuar një periudhë tranzicioni për zbatimin e kësaj rregulloreje.
Rruga Press