Turqia përgatit trupa shtesë për Kosovë
Pas tensionimit të situatës në veri të vendit, Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka njoftuar se po planifikon të sjellë trupa shtesë në Kosovë gjatë së dielës dhe të hënës.
“Në këtë kuadër, Turqia ndjek me vëmendje zhvillimet në Ballkan, ku kemi vlera të përbashkëta historike dhe kulturore; Ajo merr qëndrim konstruktiv dhe u bën thirrje palëve për përmbajtje për zgjidhjen e ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës mike dhe vëllazërore, të cilat dëmtojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, përmes dialogut”, njofton Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Ministria e Mbrojtjes, njofton se pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, një batalion komando i lidhur me Komandën e Brigadës së 65-të të Mekanizuar të Këmbësorisë, i cili më parë ishte caktuar në Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR), u caktua si njësi rezervë, me kërkesën e bërë nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s, në Napoli.
“Është planifikuar transferimi i njësisë së caktuar në Kazermën ‘Sulltan Murat’ në Kosovë më 4-5 qershor 2023”, njofton Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Rruga Press