Lajme

Bislimi tregon shkeljet e rënda që Serbia i ka bërë marrëveshjeve: Vuçiqi po bën propagandë të pastër

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka përgënjeshtruar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në një intervistë dhënë mediumit amerikan, CNN, ka thënë se Serbia ka zbatuar të gjitha marrëveshjet nga 2013-a deri më sot.

Bislimi e ka quajtur këtë deklaratë të Vuçiqit, propagandë të pastër.

Në një postim në Tëitter, ai ia ka renditur disa prej shkeljeve që sipas tij, janë të rënda, të cilat i ka kryer Serbia.

“Gjatë kësaj jave, në CNN, Vuçiqi tha se Serbia ka zbatuar të gjithë marrëveshjet nga prilli 2013 e deri më sot. Kjo nuk është e vërtetë dhe është në kundërshtim me realitetin. Është kthesë faktesh dhe propagandë e pastër”, ka shkruar ai.

Njëra prej gjashtë pikave të paraqitura nga Bislimi, ka të bëjë me marrëveshjen e vitit 2013, në të cilën përshkruhet shuarja e strukturave ilegale, për çka Bislimi thotë se Qeveria serbe nuk e ka përmbushur asnjëherë këtë obligim.

“Një dështim, efektin e së cilës po e ndjejmë edhe sot me tensionet e shkaktuara nga këto elemente kriminale në veri, ku huliganët e bandat të dirigjuara nga Beogradi po vazhdojnë të mbrojnë këto institucione paralele; E njëjta marrëveshje e vitit 2013, kërkon nga Serbia që të mos e pengojë apo inkurajojë pale të treta që ta pengojnë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Dihen përmasat e përmbushjes së këtij obligimi nga ana e Serbisë së Vuçiqit. Njësoj të pazbatuara kanë rezultuar edhe obligimet e marra nga Serbia në marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit; marrëveshja për vulat doganore; marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave, marrëveshja për zhbllokimin e linjave të interkonjeksionit, marrëveshja për energjinë, pjesë të marrëveshjes për Telekomin; marrëveshja për vendosjen e zyrave ndërlidhëse; marrëveshja për certifikatat fitosanitare e shumë e shumë të tjera. Aq shumë shkelje, sa kemi konstatim zyrtarë të vetë Brukselit, sipas të cilit, lista e mospërmbushjes së obligimeve nga ana e Serbisë është dy herë më e gjatë se ajo e palës kosovare”, thuhet në këtë pikë.

Lexo më shumë  Ndalimi i policëve dhe qytetarëve në Serbi, kryeministri Kurti: Kjo gjë u paralajmërua nga Vuçiqi

Sipas tij, premtimet e panumërta nga figura të larta, që Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Republikës së Kosovës janë shkelje direkte e marrëveshjes bazike të 27 shkurtit, si dhe kundër parimeve të normalizimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Pika e tretë ka të bëjë me votën e Serbisë kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për çka Bislimi ka thënë se është shkelje e cila është njohur edhe nga Parlamenti Evropian që i bën thirrje Serbisë që ta ndryshojë votën sa më parë.

“4. Lobimi i vazhdueshëm që Serbia dhe misionarët e saj e bëjnë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe fushatat për çnjohjen e Republikës së Kosovës, njihen mirë tashmë sepse vetë ato janë bërë publike nga i njëjti president i Serbisë; 5. Deklaratat e vazhdueshme ku veriut të Republikës së Kosovës i referohet si zonë e okupuar, dëftim i cili haptazi është cenim i integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe është kundër gjithë parimeve të normalizimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet më tej në pikat e renditura.

Lexo më shumë  Shpërthim në veri të Kosovës, dyshohet për granatë dore

Pika e fundit që Bislimi ka thënë se është shkelje e rëndë nga Beogradi zyrtar, është kërcënimi i pluralizmit demokratik brenda komunitetit serb në Kosovë, duke imponuar vetëm një parti politike që kontrollohet direkt nga Serbia.

“Kjo frymë autokrate e përcjellë direkt nga Beogradi, e ka lënë komunitetin serb për muaj me radhë pa përfaqësim në institucionet e Republikës së Kosovës, jashtë kandidimit në zgjedhjet e fundit në katër komunat veriore. Pluralizmi politik është një nga vlerat demokratike që e karakterizon mjedisin politik në Kosovë për të gjitha komunitetet, përveç atij serb, i cili fatkeqësisht me presion e kërcënime nga Beogradi është shtypur dhe shantazhuar në çdo çast që ka pasur tendenca të krijohen parti të tjera politike të komunitetit serb në Kosovë”, thuhet në këtë pikë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *