KryesoreLajme

Tuneli i Llogarasë, Berberi 2 mln euro mikut të tij Valter Begaj, zbardhen përgjimet e punonjësve të kompanisë

190 milionë euro, ku të paktën 50 milionë janë të faktuara si të abuzuara vetëm me një vendim të Belinda Ballukut. Një tender i paracaktuar dhe punime të kryera të gjitha pa leje. Kaq do të mjaftonin për prokurorët e SPAK që, të paktën, vjedhja e shqiptarëve të mos mbetej e pandëshkuar. Por në vijim do t’ju sjellim detaje të asaj që është një aferë brenda aferës, pasi edhe tenderat e tjerë, në këtë projekt, siç është Supervizimi, kanë rezultuar gjithashtu me shkelje. Ku sërish, procedura, si dokumentet, ashtu edhe fondet, gatuhen e përfundojnë po tek të njëjtat xhepa – Belinda Ballukut dhe vartësve të saj.

Skandalet e Belindës në aferën korruptive të Tunelit të Llogarasë nuk mbarojnë me kaq, pasi këto pagesa të firmosura “fap e fap” nga Belinda për punimet e kryera do duhej të kishin jo vetëm leje ndërtimi të miratuar, por edhe firmën e supervizorit, i cili do duhej t’i miratonte ato si punime të kryera jo vetëm sipas lejes së ndërtimit, por edhe të çertifikonte cilësinë e tyre.

Sipas të dhënave të Open Data, tenderi për të përzgjedhur kompaninë që do të kryente supervizimin e punimeve do të shpallej në datën 24 nëntor të vitit 2021. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave do të ishte 27.12.2021 dhe vlera limit 196.000.000 lekë.

Në këtë garë kanë marrë pjesë 2 bashkime operatorësh:

Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Stucky” l.t.d & “Gjeokonsult & CO” sh.p.k.

Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Hill International N.V” & “NetGroup” sh.p.k.

Fituesi është shpallur në datën 18.04.2022 bashkimi i operatorëve “Net Group” & “Hill International” me ofertën 194.700.000 lekë. Rikujtojmë se Net Group ishte njëra nga kompanitë që paraqiti projektin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, e tani Belinda Balluku e shpall fituese për supervizimin e ndërtimit të tunelit.

Sipas të dhënave në OpenSpending Albania, kompania Hill International ka përfituar mbi 200.000.000 lekë pagesa nga MIE dhe kontrata për supervizimin është lidhur në datën 16.05.2022. Pra, e thënë më qartë, kompania INTEKAR-ASL dhe nënkontraktori kryesor Gjoka Konstruksion kanë përfituar mbi 15 milionë euro pagesa, pa pasur leje ndërtimi dhe pa çertifikimin e supervizorit, pasi tenderi për përcaktimin e supervizorit është bërë pas lëvrimit të pagesave, ndërkohë që ato duhej të lëvroheshin vetëm pasi supervizori të kishte bërë konfirmimin e punimeve.

Tenderi me objekt “Mbikëqyrës punimesh në objektin ‘Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë’ në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë)”, u shpall në datën 25 nëntor 2021, ndërsa mbajtja e tenderit u bë një muaj më pas, në datën 27 dhjetor të po atij viti. Vlera e fondit limit të tenderit ishte 196.240.667 pa TVSH apo rreth 1.9 milionë euro. Në garë morën pjesë bashkimi i operatorëve “Stucky” l.t.d & “Gjeokonsult & CO” sh.p.k. dhe bashkimi i operatorëve “Hill International N.V” & “NetGroup” sh.p.k., ku këto të fundit rezultuan fitues të kësaj procedure me ofertën 194.700.000, apo gati 95 përqind të vlerës së fondit limit.

Lexo më shumë  Dosja AKSHI/ Ahmetaj nxjerr listën me kompanitë afër Ramës që nuk paguajnë taksa

Emisioni Plug arriti të sigurojë detaje nga dosja hetimore e SPAK, për abuzimet në tenderin e supervizimit. Sipas parashikimeve të kontratës, kompania “Hill International N.V” dhe kompania e Valter Begajt, mikut të Evis Berberit, “Net Group”, do të duhet të mbikëqyrnin punimet dhe më pas të dorëzonin veprën e përfunduar të Tunelit të Llogarasë brenda një periudhe prej 34 muajsh. Ky tender, i cili ka çuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku në hetim penal nga SPAK, dyshohet se është i paracaktuar.

Të dhëna të rëndësishme që kanë faktuar këtë fakt janë zbardhur nga mesazhet e telefonit të llojit “BlackBerry”, që SPAK i sekuestroi ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi. Nga hetimi është zbardhur se përfaqësuesi i kompanisë holandeze “Hill International N.V”, Ioannis Kirkinezis, ka hartuar dokumentet standarde të tenderit për supervizimin e punimeve në tunelin e Llogarasë. Hetimi ka zbardhur gjithashtu se Evis Berberi ka qenë personi që ka orientuar shtetasin grek Ioannis Kirkinezis që të bashkëpunojë me administratorin e shoqërisë shqiptare “Net Group”, Valter Begaj, për të krijuar një marrëveshje bashkëpunimi dhe për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit.

Kjo gjë është pranuar gjatë dëshmisë së tij dhënë përpara prokurorëve të SPAK edhe nga vetë Ioannis Kirkinezis, përfaqësuesi i shoqërisë holandeze “Hill International N.V.”, i cili pohoi se ishin marrë dokumente nga kompani të tjera simotra, për t’i paraqitur më pas si punë të kryera nga kjo kompani:

“Kriteret e këtij tenderi ishin shumë të vështira për t’u plotësuar. Në këto kushte kam folur me departamentin propozues të shoqërisë holandeze ‘Hill International N.V.’, në mënyrë që të kërkonin dokumentacionin edhe të shoqërive të tjera ‘Hill International’ nëpër botë, në mënyrë që të plotësoheshin këto kritere. Shoqëria holandeze ‘Hill International N.V.’ nuk i plotësonte dot kriteret dhe për këtë arsye janë depozituar edhe punë të shoqërisë amerikane ‘Hill International INC.’.”

Të njëjtat falsifikime dyshohet se ka kryer edhe shoqëria “Net Group” e Valter Begajt, e cila, për të plotësuar kriteret e kualifikimit dhe më pas për t’u shpallur fituese në këtë tender, ka paraqitur kontrata supervizimi që nuk kanë lidhje me punë të ngjashme si ajo e tunelit të Llogarasë:

“Shoqëria ‘Net Group’ sh.p.k. e Valter Begajt, për të plotësuar kriterin e punëve të ngjashme, ka depozituar disa kontrata supervizimi apo mbikëqyrje punimesh. Këto punë përgjithësisht konsistojnë në mbikëqyrje dhe kolaudime të ndërtimit të veprave të ndryshme (supervizime dhe mbikëqyrje të 45 kontratave në vlera të vogla). Por konstatohet se nuk janë punë të ngjashme me punime në tunele autostradash, hekurudhash apo metrosh, pra nuk mund të konsiderohen si punë të ngjashme me objektin e prokurimit.”

Lexo më shumë  Ambasada amerikane në Ukrainë ka paralajmëruar për një sulm serioz ajror që mund të ndodhë në ditët në vijim

Një tjetër dëshmi nga dosja është ajo e shtetases Luljeta Kuçi, e cila ishte pjesë e bashkimit të kompanive “Hill International N.V.” dhe “Net Group”. Ajo pohon se do merrej me dokumentacionin që do të dorëzohej në procesin e tenderimit, por para SPAK ka deklaruar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për këto kompani në këtë tender, duke përforcuar edhe më shumë falsifikimin e dokumenteve dhe procedurës:

“Si pjesë e stafit të bashkimit të operatorëve ekonomik gjatë fazës së konkurrimit nuk kam ofruar ndonjë shërbim dhe as nuk kam realizuar ndonjë detyrë për këtë kontratë. Po kështu nuk kam dijeni të kontratave që ka lidhur shoqëria ‘Net Group’ sh.p.k.”

Nga hetimi është zbardhur se Evis Berberi dhe Valter Begaj nuk kanë pasur nevojën për shërbimet e punonjësve që kontraktuan, me qëllim që të plotësonin kriteret e pjesëmarrjes në garë. Madje, nga dëshmitë e personave të pyetur nga SPAK, rezulton se e vetmja gjë që u është kërkuar ka qenë licenca e tyre profesionale, por më pas janë kryer falsifikimet e firmave. Këtë gjë e pranon Luljeta Kuçi në dëshminë e saj:

“Kur Valter Begaj themeloi shoqërinë, ai më tha të merrte licencën time dhe të më deklaronte si punonjëse të shoqërisë së tij. Në këmbim, unë do të merrja një pagesë minimale. Në fillim kujtoj se Valter Begaj më tha se nuk do të angazhohesha fare për ofrimin e shërbimit, por vetëm do i jepja licencën.”

Gjergji Kotorri është një tjetër pjesëtar i stafit të kompanive fituese për supervizimin e Tunelit të Llogarasë që ka dhënë dëshmi në SPAK. Ai ka thënë para prokurorëve se nuk ka firmosur asnjë nga dokumentet që janë paraqitur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, në lidhje me supervizimin e Tunelit të Llogarasë:

“Kjo është hera e parë që unë e shikoj këtë dokument. Shkrimi dhe nënshkrimi në këtë dokument nuk janë të mitë. Madje unë nuk kam asnjë dijeni që emri im është dhënë si pjesë e stafit për mbikëqyrjen e punimeve në Tunelin e Llogarasë, pasi nuk jam njoftuar për këtë gjë.”

Të gjitha këto dëshmi dhe të dhëna tregojnë se Evis Berberi dhe Valter Begaj kishin marrë garancinë se kompania e tyre “Net Group” dhe kompania holandeze me të cilën nënshkruan kontratë bashkëpunimi do të shpalleshin fitues të tenderit për supervizimin e tunelit të Llogarasë. Valter Begaj dhe Evis Berberi kanë një miqësi të hershme mes tyre, e cila u forcua kur ata të dy nisën të ortakëri në biznes.

Rruga Press

YouTube player