Trupat e NATO-s kryejnë manovra ushtarake në Baltik
Trupat e NATO-s do të kryejnë sot manovra ushtarake për zbritje amfibe në detin Baltik, si pjesë e manovrës së madhe transatlantike “Steadfast Dart”.
Ushtarët, armët dhe pajisjet do të dërgohen në breg pas një kalimi detar përmes zonës ushtarake stërvitore ”Putlos” në Schleswig-Holstein.
Rreth 15 anije dhe 2 600 ushtarë do të marrin pjesë në këtë zbritje amfibe, e cila do të vëzhgohet nga ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius dhe gjenerali i NATO-s Ingo Gerhartz.
Gerhartz udhëheq Komandën e Forcës së Përbashkët Aleate ”Brunssum” në Holandë, përgjegjëse për mbrojtjen e Evropës Qendrore, nga Atlantiku deri në kufirin lindor të aleancës.
Komanda operacionale është e përfshirë në manovrat “Steadfast Dart”, që ka 17 anije nga 13 vende, më shumë se 1 500 mjete dhe rreth 10 000 ushtarë.
Kjo manovër është më e madhja e NATO-s këtë vit, me kontributet më të mëdha nga vendet e Evropës së Jugut si Itali, Spanjë, Greqi si dhe nga Turqia.

