KryesoreOpinion/Aktualitet

Trokë për trokë – Një histori pabesueshëm e vërtetë në margjinat e luftës së Kosovës

Nga Durim Abdullahu

Në verën e vitit 1996, dy shokë nga Prishtina, njëri me dhe tjetri pa pasaportë, duke mos dashur të ndaheshin, kaluan ilegalisht kufirin mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Të hipur mbi një barkë të drejtuar nga një banor i zonës, ata kaluan nëpër liqenin e Shkodrës nga Mali i Zi në Shqipëri. Qëllimi i tyre ishte të migronin diku në Zvicër. Arsyet, ishin ekonomike në ballë mes arsyesh politike në sfond. Po largoheshin nga Kosova, që atë kohë po përjetonte në rritje apartheidin dhe segregacionin nën regjimin e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit, diktatorit serb që sapo kishte përmbyllur si humbës një luftë në Kroaci dhe një në Bosnje e Hercegovinë, duke lënë pas rreth 150000 mijë viktima.

Krahina shqiptare e Kosovës, e cila që nga viti 1945 mbahej dhunshëm nga Serbia si pjesë e Jugosllavisë, ishte vendi më i shtypur dhe më i diskriminuar mbi baza etnike në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore. Rezistenca politike dhe emancipimi kulturor i shoqëruar me vetëdije kombëtare, kishte qenë i pamjaftueshëm deri atëherë për t’u çliruar nga Serbia dhe shkëputur nga Jugosllavia, për tu bashkuar politikisht me Shqipërinë, siç ishte ëndrra e shumicës së shqiptarëve të Kosovës.

Duke kaluar ilegalisht kufirin, dy ditë pasi ishin nisur nga Prishtina, këta dy shokë u kthyen në dy persona klandestinë tashmë. Njëri ishte 20 vjeç kurse tjetri vetëm 19. Megjithatë, në territorin shqiptar ata ishin në vendin e tyre dhe nuk rrezikoheshin të arrestoheshin. Tirana atë kohë edhe zyrtarisht strehonte një qeveri tjetër shqiptare, qeverinë në ekzil të Republikës së Kosovës që e njihte vetëm Republika e Shqipërisë.

Të edukuar me filma dhe libra të Shqipërisë komuniste të diktatorit Enver Hoxha, Shqipëria e idealizuar në përfytyrimet e tyre, u bënte rezistencë Shqipërisë që panë në gjithë gjatësinë e saj, rrugës nga Shkodra gjer në Vlorë. Ishte muaji gusht i vitit 1996 dhe Shqipëria që tek më 1991 kishte dalë nga regjimi më i egër komunist në Europë, renditej mes vendeve më të varfëra në botë.

Në Vlorë, ata gjetën një trafikant që për 500 marka gjermane për person, do t’ua kalonte Jonin për t’i nxjerrë ilegalisht në Itali. Trafikanti vlonjat, që ironikisht kishte për emër një emër shpendi, kishte rrjetin e tij të plotë të trafikimit. Ai i udhëzoi “dy klandestinët kosovarë” të sapo pajtuar prej tij, që atë natë të shkonin në lagjen Uji i Ftohtë dhe të pyesnin për shtëpinë e Banushit, ku do ta kalonin natën. Të nesërmen do ta paguanin Banushin 5 marka për fjetjen, kurse në mbrëmje duhej të vinin te porti prej ku do të provonin fatin e rrezikshëm për të dalur në Itali.

Deri në këtë pikë, kjo do të ishte thjesht një mes mijëra historive të migrimit ilegal, që si e rëndomtë për atë kohë, nuk do të meritonte të rrëfehej as mes miqsh, sikur të mos ishte një rastësi që do ta kthente këtë rast nga në një histori e zakonshme në një mësim për jetë.

Për fatin e tyre, kur kosovarët shkuan në lagjen Uji i Ftohtë të Vlorës dhe pyetën për Banushin, ata i drejtuan te një shtëpi ku burri që u hapi derën, kishte qëlluar vetë Banushi. Nikoqiri i tyre atë natë, Banush Serjanaj, ishte një burrë në mes të dyzetave. Mikpritës dhe patriot, Banushi e kaloi natën duke folur me mysafirët e tij për Kosovën dhe çështjen kombëtare të shqiptarëve.

Të nesërmen, kur kosovarët deshën ta paguanin fjetjen nga 5 marka siç i kishte udhëzuar trafikanti, i zoti i shtëpisë refuzoi pagesën. Ai nuk ishte Banushi i trafikantit që e lëshonte shtëpinë me qira. Banush Serjanaj ishte dikush tjetër, një tjetër person me emrin Banush, që atë natë, e kishte ndjerë për nderë të priste në konak dy kosovarë, sepse siç u tha edhe vetë atyre: “shqiptari nuk e pyet mikun pse ke ardhur”.

Atë natë dy kosovarët nga Prishtina, Ejup Maqedonci dhe Nazmi Imeri, hipën në portin e Vlorës mbi një gomone ku trafikanti vlonjat kishte mbledhur rreth 25 persona që e kishin paguar për t’i kaluar në Itali. Kalimi i detit Jon në një natë të kthjellët vere, ilegalisht dhe për më tepër mbi një gomone të stërmbushur, mbartte një mori rreziqesh.

Kur iu afruan bregdetit italian, gomonja në të cilën kishte edhe afrikanë dhe të tjerë, u pikas nga roja bregdetare italiane që iu vu në ndjekje. Shoferi i gomones arriti t’i ikte anijes patrolluese të policëve italianë, por humbi orientimin në det. Në ikje e sipër, ai u detyrua t’i zbarkonte të trafikuarit në një breg të panjohur, ku gomonja u përplas në cekëtirë duke i hedhur disa në ujë. Mes tyre dhe një grua shtatzënë kurde, që nuk po arrinte të dilte në breg. Ejupi dhe Nazmiu u hodhën në ujë duke e nxjerrë gruan shtatzënë në breg, por ndërkohë, grupi ishte zhdukur në terrin e natës. Pasi u ndanë nga gruaja kurde, ata hynë në një qytezë italiane, ku nga rrobat e lagura ranë në sy të policëve që i arrestuan.

Lexo më shumë  Pesë xhudistë e përfaqësojnë Kosovën në Evropianin e Xhudos në Zagreb

Atë natë e kaluan në një dhomë paraburgimi, kurse të nesërmen, policia italiane i dorëzoi te policia shqiptare në Vlorë. Por, bashkë me gjërat personale, atyre nuk ua kthyen edhe paratë, gjithsej 1500 marka, që nuk u kuptua se cila palë e policëve ua mori: karabinierët apo policët shqiptarë që u thanë se kolegët italianë nuk ua kishin dorëzuar paratë.

Një ditë pasi kishin kaluar kanalin e Otrantos, Ejupi dhe Nazmiu e gjetën vetën sërish në Vlorë. Tani, ishin trokë fare, pa as një lek në xhep. Duke qenë se e kishin kaluar kufirin ilegalisht, ata e kishin me rrezik edhe të ktheheshin në Kosovë. Ishin qindra kilometra larg shtëpisë dhe vetëm 70 kilometra larg bregut italian që e synonin. Por në mendje kishin një gjysmë plan, ndonëse vështirë i realizueshëm. Ata besonin që nëse arrinin në Tiranë, mund të vinin kontakt me zyrën e qeverisë në ekzil për të kërkuar ndihmë.

Në Vlorë, ata kishin vetëm një adresë: shtëpinë e Banush Serjanajt, patriotit vlonjat që u kishte bërë konak. Nëse ai do t’ua paguante autobusin për në Tiranë, ata shpresonin se mund t’ia bënin disi të provonin sërish të kalonin detin.

Banushi i mirëpriti sërish kosovarët dhe iu premtoi se do t’i përkrahte të realizonin planin e tyre. Por ai kishte një tjetër plan të tij për kosovarët, që nuk ua zbuloi atyre menjëherë. Ejupi dhe Nazmiu i kërkuan strehim për një natë, mirëpo Banushi që në njëfarë mënyre i kishte marrë në dorëzim kosovarët, i mbajti ata plot një javë në shtëpi. Çdo ditë, e shoqja e Banushit, Colja, linte gjatë pauzës së mesditës punën në spitalin e Vlorës dhe kthehej në shtëpi për të përgatitur drekën për kosovarët.

Bashkë me të atin Shefket Serjanaj, veteran i plagosur i Luftës së Dytë Botërore, Banushi i kaloi ato netë duke biseduar me shumë pasion me dy të rinjtë nga Prishtina. Për Banushin, ata ishin dy shqiptarë sivëllezër, dy kosovarë përmes të cilëve ai po njihte Kosovën që se kishte parë ndonjëherë dhe dy mysafirë të veçantë me të cilët ai krenohej para shokëve te kafeneja e lagjes.

Pas një jave në shtëpinë e familjes Serjanaj, dy kosovarët e lutën Banushin që t’i niste për në Tiranë. Mëngjesin e së nesërmes, përveçse me kafe dhe raki si çdo ditë, Banushi i zgjoi Ejupin dhe Nazmiun nga gjumi me një lajm. Ai kishte takuar trafikantin dhe me argumentin që ai kishte dështuar t’i kalonte kosovarët andej në Itali, kishte arritur ta bindte që t’i merrte sërish me gomone pa patur nevojë që të paguanin për së dyti.

Por kjo nuk ishte e tëra: pjesa tjetër e planit të Banushit ishte që ai kishte ndarë 1000 marka nga kursimet e tij për t’ua dhënë me vete dy kosovarëve. Të habitur nga mirësia e Banushit dhe të zënë në një situatë të vështirë, dy kosovarët morën 1000 markat e tij dhe me premtimin se do të gjenin një mënyrë për t’ia kthyer, hipën sërish në gomonën e trafikantit për në Itali. Me më shumë fat, kësaj radhe ata arritën të dilnin në Itali dhe nga andej shkuan në Zvicër.

Tre javë më pas, një letër arriti nga Zvicra në Vlorë për Banushin, e shkruar nga Ejupi, me njoftimin se ishte vendosur në Zvicër dhe se me të punuar do t’ia kthenin paratë. Pas dy javësh, Banushi i shkrunte Ejupit: “vëlla Ejup, për paratë as mos e vrit mendjen. Faleminderit që më njoftuat se jeni vendosur në Zvicer, për mua kaq mjafton, se me letrën tuaj kam shkuar në kafene ku shokët më tallnin duke më thënë që kosovarët nuk do të të lajmërohen më.”

Lexo më shumë  A ka BDI-ja afërsi më Beogradin? Flet këshilltari i Kurtit dhe kandidati i frontit opozitar shqiptar për deputet në MV, Bekim Qoku

Nga qyteti i Arbonit në kantonin e Turgaut në Zvicër ku ishte vendosur, çdo muaj, Ejupi i dërgonte Banushit në Vlorë revistën “Çlirimi”, organ i organizatës politike ilegale: Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Si pjesë e kësaj organizate që ishte themeluar më 1993, për nevojën e një aktiviteti politik të konspiruar, Ejupi kishte marrë nofkën “Agroni”. Përreth një vit e gjysmë sa jetoi në Zvicër, Ejupi – për shokët e organizatës Agroni – punoi për të ndihmuar edhe familjen e tij në Kosovë, ndërkohë që u nderua si qytetar shembullor nga autoritetet e qytetit të Arbonit.

Në fillim të vitit 1998, kur lufta në Kosovë po niste, Ejupi u kthye sërish përmes Italisë në Shqipëri. Bashkë me një grup shokësh, të kamufluar si futbollistë, ata u stërvitën ushtarakisht pranë stadiumit të klubit futbollistik “Dinamo” të Tiranës, nga oficerë të ushtrisë shqiptare. Po ushtroheshin për tu futur në luftën e Kosovës. Ishte koha kur nga Agroni, Ejupi u bë Uki. Kjo do të ishte nofka e tij gjatë gjithë luftës, ku Ejup Maqedonci do të ishte Uki, Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit.

Përpara se të nisej për në Kosovë, Ejupi, nga këtej Uki, mori rrugën nga Tirana për në Vlorë, që të takonte Banush Serjanajn. Donte ta falënderonte, t’ia kthente 1000 markat që ai ia kishte dhënë dhe të përshëndetej me të para se të nisej për në luftë. Ishte marsi i vitit 1998.

Atë natë Uki fjeti te Banushi, por ai refuzoi t’i merrte paratë. “Ti Ejup më ke larë borxhin ditën që më ke shkruar nga Zvicera, kur letrën tënde kam shkuar dhe ua kam hedhur mbi tavolinë shokëve në kafene, që më thonin se kosovarët të kanë mashtruar dhe u kam thënë: ja kush janë kosovarët”.

Vetëm kur Uki i tha që më mirë t’i merrte paratë ai se sa t’ia merrnin eventualisht ushtarët serbë që mund ta vrisnin në kufi, atëherë Banushi u pajtua ta merrte borxhin që po i kthehej. Pasi mori paratë, Banush Serjanaj iu drejtua Ukit: “këto 1000 marka që mi dhatë, janë të vetmet para që i kam”. Sikur mijëra shqiptarë atë kohë, ai i kishte humbur të gjitha paratë në skemat piramidale që shkaktuan trazirat e vitit 1997 në Shqipëri.

Banush Serjanaj kishte mbetur trokë fare! Pa asnjë lek në xhep, fiks ashtu siç kishte qenë vetë Uki një vit e gjysmë më parë kur ishte nisur nga Vlora në gusht 1996, kur u kthye në Vlorë në mars 1998, ashtu e gjeti mikun e tij Banushin, pa asnjë lek në xhep. Trokë për trokë! Ato 1000 marka që Banushi ia kishte dhënë Ukit në ditët e tij më të vështira, dukej sikur t’i kishte depozituar tamam në një bankë zvicerane që t’i kishte për ditët e tij më të vështira.

Të nesërmen, kur vlonjatët e përshëndetën kosovarin e tyre që po nisej për të hyrë në luftë në Kosovë, i ati i Banushit, Shefketi, veteran i Luftës së Dytë Botërore, iu drejtua Ukit: po të mund të ngrihesha nga shtrati do të vija bashkë me ty në luftë. Një vit më pas, Shefket Serjanaj do të vdiste.

Ejup Maqedonci hyri në luftë në Kosovë ku si Komandant Uki do të komandonte me Batalionin e Parë të Brigadës 153 të UÇK-së, që operonte kryesisht nëpër fshatra të malësisë së Gollakut dhe të komunës së Prishtinës. Pas luftës, uniforma çlirimtare e UÇK-së, për Ukin do të zëvendësohej nga uniformat ushtarake profesionale të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës deri sot.

Uki do të kthehej edhe shumë herë në Shqipëri për pushime në bregdet dhe vizita te Banushi në Vlorë, por do të kthehej edhe si ushtarak më 2010, për të ndihmuar zonat e përmbytura të Shkodrës dhe Lezhës, duke u dekoruar me medalje nga Presidenti i Shqipërisë. Në lagjen Uji i Ftohtë të Vlorës, në dhomën e njëjtë të shtëpisë së familjes Serjanaj, ai vazhdon çdo verë bisedat me Banushin.

Rruga e çlirimit, për Ukin kishte kaluar nga Prishtina në Vlorë e Zvicër dhe sërish në Prishtinë, sikur edhe revista “Çlirimi” që kishte bërë të njëjtën rrugë, duke u shpërndarë ilegalisht, siç kishte lëvizur vetë Uki deri në ditën e çlirimit!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *