Trashëgimia e komunizmit në Shqipëri: ‘rinovimi’ i kontestuar i kampit të Spaçit
Një “restaurim” i burgut të Spaçit, kampi më famëkeq i diktaturës staliniste në Shqipëri, është në proces, ndërkohë që aty pritet të xhirohet një film. Ish-të burgosur, historianë dhe arkitektë denoncojnë rrezikun që kujtesa të shtrembërohet dhe të shndërrohet thjesht në një dekor.
Ilda Mara
Courrier des Balkans, Paris
“Nuk është më Spaçi. Është vetëm një sfond.” Vështrimi i Fatos Lubonjës bie mbi një derë të zhvendosur. Shkrimtari dhe ish-i burgosuri politik kthehet në vendin ku ishte burgosur nën regjimin komunist shqiptar, por ajo që sheh sot është tronditëse: restaurimi i vazhdueshëm po e transformon ish-burgun e Spaçit, në rajonin e Mirditës, një simbol të represionit, në një vend të panjohur dhe që ngjall polemika e kundërshti.
Spaçi, një nga kampet më famëkeqe të diktaturës shqiptare, është rikthyer në qendër të vëmendjes ditët e fundit. Fotot dhe videot e publikuara së fundmi tregojnë se ndërtesat ku mijëra të burgosur politikë vuajtën, u torturuan dhe u detyruan të punonin në miniera janë mbuluar me bojë dhe suva, duke humbur pamjen e tyre origjinale.
Projektet e rinovimit të konceptuara keq duket se synojnë të fshehin një nga plagët më të thella në shoqërinë shqiptare. Detajet e zbuluara rreth këtij operacioni “maskimi” konfirmojnë frikën e atyre që kanë frikë nga humbja e autenticitetit të vendit. Reagimet janë të forta. Zërat më të fuqishëm janë të atyre që kanë vuajtur brenda këtyre mureve. Ata kujtojnë se bojërat dhe skenografia nuk mund të fshijnë torturat dhe çnjerëzimin e përjetuar këtu. Errësira e godinave, rrënimi i tyre, pasqyronin pikërisht të vërtetën e asaj kohe. Por kush është përgjegjës? Cili institucion, cila kompani porositi dhe kreu ndërhyrjet e kontestuara?
Sipas Publik.al, në prill 2024 u shpall një thirrje për tender nga Instituti Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore (IKTK), dhe kompania Martini Konstruksion & Real Estate sh.p.k., e kryesuar nga Benard Martini, fitoi tenderin për të kryer “ndërhyrje konservuese dhe restauruese” me një buxhet prej afërsisht 130,000 eurosh. Përzgjedhja e tij ngall kureshtjen: Benard Martini, një ish-kandidat i Partisë Socialdemokrate në vitin 2021, i shton një dimension politik një projekti tashmë të ndjeshëm.
Mure të restauruara, dyer hekuri të zëvendësuara, një tarracë e rindërtuar: në Spaç, ky projekt ngjall polemikë! Burgu i vjetër, i klasifikuar si « Monument Kujtese », është objekt i disa ndërhyrjeve. Zyrtarisht, qëllimi është ruajtja e një vendi që ka qenë i braktisur për dekada të tëra. Në të vërtetë, këto punime lidhen me xhirimin e një filmi historik, me regji nga Namik Ajazi, bazuar në një skenar të Visar Zhitit, të dy ish-të burgosur politikë.
Të shtunën, më 7 qershor, ish-të burgosur politikë dhe disa aktivistë u mblodhën para rrënojave të Spaçit për të denoncuar atë që e konsiderojnë një tradhti ndaj kujtesës. Sipas tyre, historia nuk restauret si një dekor filmi. Për Fatos Lubonjën, këto ndërhyrje tradhtojnë planin e menaxhimit të miratuar në vitin 2024, i përgatitur nga fondacioni italian Santagata, që promovonte ruajtjen në gjendjen e rrënojës sipas një qasjeje « arkeologjike », që respekton gjurmët e së kaluarës.
« Ky gurë flet më shumë se një gur i ri », shpjegon ai. « Ajo që mbetet tregon shumë më tepër se ajo që duan të rindërtojnë ata. » Të duash ta rikthesh Spaçin në pamjen e vitit 1973, vit i rebelimit historik të të burgosurve, do të ishte një mohim i vlerës së rrënojave: konsumimit të tyre, plagëve dhe heshtjes që mbartin.
Arkitekti Kreshnik Merxhani denoncon një projekt rehabilitimi që është « i shkëputur nga historia reale » e vendit, i realizuar pa ekspertizë të vërtetë. Ai shpreh keqardhje për mungesën e konsultimeve me specialistë të zonës dhe paralajmëron për rrezikun që të fshihen gjurmët e çmuara të lëna nga të burgosurit.
« Ndërtesa është një artefakt historik. Ato shënimet në suva, me emra të dënuarish, me data, ato skalitjet për të improvizuar një fushë shahu apo strice etj, janë dëshmi të heshtura. Projekti aktual nuk i merr fare parasysh ato. »
Dhe përfundon: « Nuk mund të dokumentosh Spaçin pa dikë që të orienton. Për të treguar dhe dëshmuar atë që syri nuk e sheh. »
Kinema, kujtesë dhe pushtet
Por sa i takon nismëtarëve të projektit të filmit ata po përpiqen të qetësojnë polemikat.
Regjisori Namik Ajazi flet për një rindërtim besnik, me qëllime si edukative po aq dhe artistike.
« Meqë bëhet fjalë për një film realist, duhet të rindërtojmë besnikërisht mjedisin e burgut. Gjithçka që do të realizohet për filmin do t’i shërbejë gjithashtu edhe muzeut të ardhshëm. »
Por ky justifikim nuk i bind kundërshtarët. Në Spaç, nuk është në diskutim vetëm një dekor: është vendi i kujtesës në shoqërinë shqiptare bashkëkohore, një kujtesë ende e dhimbshme, për një kohë të gjatë e mohuar, sot e kapur mes detyrimit për të thënë të vërtetën dhe logjikës së spektaklit.
Afro 36 organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar me një letër të hapur Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ku denoncojnë « ndërhyrjet e pakontrolluara » që rrezikojnë autenticitetin e vendit dhe kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve.
Ministria, e cila kishte miratuar planin fillestar të ruajtjes, ndodhet tani nën presion, ndërkohë që disa zona të ndjeshme janë tashmë modifikuar. Në një komunikatë zyrtare, ajo denoncoi një fushatë « keqinformimi keqdashës». Duke theksuar se vendi i lënë në rrënoja prej dekadash, ka pësuar tashmë dëme të parikuperueshme për shkak të braktisjes: shembje, rrëshqitje toke dhe zhdukje të elementëve origjinalë.
Ministria sqaroi se punimet që po kryhen aktualisht janë të natyrës « konservuese », në pritje të krijimit të një Muzeu të Rezistencës, siç parashikohet në planin e menaxhimit të hartuar në bashkëpunim me fondacionin Santagata.
Sipas ministrisë, nuk është parashikuar apo miratuar asnjë rindërtim i plotë (banjo, tarraca); elementët e shtuar bazohen në dokumente të kohës dhe janë të përkohshëm, të lehtë për t’u çmontuar; ndërhyrjet janë të mbikëqyrura dhe në përputhje me planin e menaxhimit.
Ministri Blendi Gonxhe bëri thirrje për qetësi duke shkruar në faqen e tij Facebook se: « Kujtesa nuk qëndron vetëm në mure, por në zërat që ngrihen për të dëshmuar. Çdo ndërhyrje synon të respektojë dinjitetin e këtij vendi. »
Përtej debatit teknik, në Spaç rikthehet fuqishëm pyetja thelbësore mbi marrëdhënien me të kaluarën komuniste. Të restaurosh pa fshirë: bëhet fjalë për një ekuilibër të brishtë, ku arti mund të bëhet aleat i kujtesës, ose rrezik për integritetin e godinave. Ky konflikt nxjerr në pah një mungesë transparence institucionale, plagë ende të hapura dhe nevojën urgjente për një konsensus kombëtar mbi mënyrën e transmetimit të Historisë, pa e tjetërsuar atë.
Çfarë duam të bëjmë në Spaç? Një rindërtim? Një muze? Një skenografi filmi?
Kujtesë e gjallë apo kujtesë e ngrirë?
Çështja shkon përtej arkitekturës. Ajo prek aftësinë e Shqipërisë për t’u përballur me të kaluarën e saj, pa e thjeshtuar apo ngrirë atë. Për Fatos Lubonjën dhe ata që kanë vuajtur brenda këtyre mureve, ekziston një vijë e kuqe që nuk duhet kaluar:
« Ky vend nuk mund të rindërtohet. Duhet të mbetet siç është, i rrënuar, por autentik. »
Spaçi sot është një kantier ndërtimi. Por më shumë se kaq, është shndërruar në një symbol, dhe ndoshta në një provë të marrëdhënies sonë kolektive me kujtesën.
Në Spaç, e kaluara shfaqet në çdo gur, por kujtesa e saj lëkundet midis heshtjes dhe instrumentalizimit. I strukur në izolimin e egër të maleve shqiptare, ky ish-burg politik mban plagët e një regjimi që përdori punën e detyruar dhe frikën si mjet qeverisjeje.
Në Sachsenhausen, vetëm disa kilometra larg Berlinit, një tjetër vend vuajtjesh është transformuar në një memorial të strukturuar, edukativ dhe të hapur për botën. Të dyja këto vende përfaqësojnë histori totalitare të ndryshme, por ngrejnë të njëjtën pyetje: si të ruash një vend pa e ngrirë atë? Si ta transmetosh atë pa e tradhtuar?
Ndërsa Gjermania ka ndërtuar një konsensus dhe një infrastrukturë të fuqishme përkujtimore, Shqipëria ende kërkon ekuilibrin e duhur mes harresës dhe glorifikimit, mes rrënimit dhe rindërtimit. Spaçi mund të mësojë nga Sachsenhausen: ta bëjë kujtesën jo një objekt përvetësimi, por një hapësirë të përbashkët për t’u transmetimuar tek brezat e ardhshëm, ku e vërteta nuk rikrijohet, por respektohet.
Rruga Press