KryesoreLajme

Kurti: Lidhja e Prizrenit u dha zë shqiptarëve në arenën ndërkombëtare

Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ka vlerësuar rolin historik të kësaj ngjarjeje në formësimin e identitetit dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve.

Ai foli për përpjekjet diplomatike të figurave të kohës, duke theksuar se në fund të shekullit XIX përfaqësuesit shqiptarë kërkonin mbështetje në Evropë për çështjen kombëtare.

“Në pranverën e vitit 1879, Avdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni zhvilluan një tur diplomatik nëpër qendrat e kancelarive evropiane, duke ndaluar edhe në Vjenë për të përcjellë qëndrimet dhe idetë politike të shqiptarëve”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Ushtari nga Kosova nderohet me çmime prestigjioze në ShBA

Ai e krahasoi atë periudhë me realitetin e sotëm shtetëror të Kosovës, duke nënvizuar ndryshimin e madh historik.

“Ata nuk mund ta kenë imagjinuar që një shekull e gjysmë më pas… Vilajeti i Kosovës do të ishte Republika e Kosovës”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se Lidhja e Prizrenit përbën moment kyç në historinë politike shqiptare, pasi sipas tij ajo shënoi organizimin e parë të mirëfilltë politik dhe ushtarak të shqiptarëve.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është organizata e parë politike dhe ushtarake, e cila u dha zë shqiptarëve në arenën politike ndërkombëtare”, deklaroi Kurti.

Lexo më shumë  'Përvojë transformuese': Si po i përqafojnë turistët e huaj protestat në Shqipëri

Ai shtoi se para kësaj, përfaqësimi politik i shqiptarëve ishte i kufizuar dhe kalonte përmes strukturave të Perandorisë Osmane.

“Deri atëherë, çdo qëndrim politik i shqiptarëve mund të dilte në sferën ndërkombëtare vetëm pasi të kishte kaluar… te Porta e Lartë”, tha ai.

Në fund, Kurti theksoi rëndësinë e Prizrenit si qendër e organizimit politik shqiptar.

YouTube player