Tragjedia e Gërdecit, SPAK thërret sërish Fatmir Mediun
SPAK ka thirrur sërish Fatmir Mediun në lidhje me hetimet për dosjen e Gërdecit. ABC mëson se Mediu do të paraqitet në ambientet e Prokurisë së Posaçme në orën 13:30.
Më tetor 2021, SPAK kërkoi të rimarrë sërish të pandehur ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj tij për “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues. Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria përjetoi një tragjedi nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.
Çështja ndaj tij u pezullua nga Gjykata e Lartë ne vitin 2009, pasi ligji i kohës e ndalonte gjykimin e një personi me imunitet, por u rihap më pas nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme pritet të hetojë përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit 2008, ngjarje për të cilën Mediu është akuzuar dy herë për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, por nuk u gjykua asnjëherë pasi u mbrojt nga imuniteti parlamentar.
Rruga Press