Thellohet kriza me Infantinon! Norvegjia kërkon largimin e tij nga drejtimi i FIFA-s, Meksika dhe Argjentina i dalin në krah
Kriza në FIFA po përshkallëzohet pas kundërshtive ndaj Xhani Infantinos, me Norvegjinë që ka kërkuar publikisht dorëheqjen e presidentit, duke iu bashkuar kështu federatave të tjera europiane, si Anglia, Uellsi, Kroacia dhe Shqipëri. Ndërkohë, Meksika dhe Argjentina kanë dalë në mbrojtje të tij të Infantinos, pavarësisht stuhisë mbi figurën e tij!
Presioni mbi Gianni Infantinon (Xhani Infantinon) po rritet, pasi Norvegjia është bërë federata e parë që ka kërkuar drejtpërdrejt largimin e tij nga posti i presidentit të FIFA-s.
Presidentja e Federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness, deklaroi se Infantino nuk gëzon më besimin institucional të nevojshëm për të drejtuar organizatën në kohët e sotme dhe se duhet të japë dorëheqjen.
Ndryshe nga Norvegjia, federatat e Anglisë, Uellsit, Kroacisë dhe Shqipërisë kanë zgjedhur të tërheqin mbështetjen për një mandat të ri të Infantinos, pa kërkuar zyrtarisht largimin e tij.
Kriza shpërtheu pas planit të presidentit të FIFA-s për krijimin e një strukture të re dhe shitjen e një pjese të aksioneve tek investitorë privatë. Projekti u tërhoq pas kundërshtimeve nga konfederatat kryesore, përfshirë UEFA-n dhe CONCACAF-un.
UEFA deklaroi se ka humbur besimin te drejtimi i Infantinos dhe kërkoi garanci se iniciativa të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen.
Por jo të gjitha federatat janë kundër tij.
Meksika, një nga organizatoret e Kupës së Botës 2026, shprehu mbështetje për udhëheqjen e Infantinos, duke theksuar se çdo ndryshim duhet të bëhet vetëm përmes proceseve institucionale të FIFA-s.
Edhe Argjentina vlerësoi punën e Infantinos gjatë dekadës së fundit, duke e cilësuar drejtimin e tij si një periudhë zhvillimi dhe forcimi institucional të futbollit botëror.
Ndërkohë, presidenti i FIFA-s pritet të kandidojë për një mandat të ri në vitin 2027, por përplasjet e fundit kanë hapur një nga krizat më të mëdha të drejtimit të organizatës në vitet e fundit.
Rruga Press

