KryesoreLajme

“The Telegraph”: A mund të jetë Kosova Ukrainë e ardhshme?

Masat e sigurisë në Kosovë janë shtuar ndërkohë që ideja se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po planifikon një pushtim të ndihmuar nga aleati i tij Vladimir Putin

Përpara se policët e Kosovës të fillojnë patrullimin në kufirin me Serbinë, ata e ngarkojnë makinën Land Rover me armatim: automatikë AK-47 që gjenden në pjesën e pasme të ulëseve të veturës, pistoleta, dronë dhe jelekë antiplumbë. 

Ky është tash një protokoll standard në një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin evropian. 

Kur njerëzit e pyesin Veton Elshanin, zëvendësdrejtorin e policisë për rajonin veri, se si është situata, ai thjesht u tregon atyre masat që merren për të patrulluar. 

“I shihni armët?” – tha ai, para se të dërgonte ekipin e “The Telegraph” në zonën kufitare, “këto janë për zyrtarët policorë që t’i mbajnë. Situata nuk është e mirë”. 

Që kur Kosova e fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në një luftë që përfundoi në vitin 1999, një komunitet i vogël serbësh etnikë kanë qëndruar në rajonin kufitar verior. Tensionet me shumicën etnike shqiptare janë rritur së fundmi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lënë të kuptohet për një pushtim. Nacionalistët i kërkojnë atij të veprojë për “t’i mbrojtur” serbët që jetojnë në Kosovë. 

Frika e një lufte është rritur në vitin 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmuan përtej kufirit në fshatin verior Banjska dhe u barrikaduan në manastirin e këtij fshati. Një rreshter policor i Kosovës u vra në një shkëmbim zjarri. Në shkëmbim zjarri u vranë edhe tre nga 30 militantët e dyshuar. 

Që nga ajo ditë, Elshani dhe ekipi i tij kanë kryer patrulla të përditshme në rajonin kufitar të dominuar nga serbët, duke kërkuar për rrugët ilegale që çojnë në Serbi, ato që i përdorën personat e armatosur për të hyrë e për ta kryer sulmin në Banjskë. 

“Ne i njohim këto rrugë më mirë se kushdo tjetër”, i ka thënë Elshani “The Telegraph”, ndërsa patrulla po kalonte nëpër rrugët malore. “Serbët nuk mund të krijojnë rrugë që ne nuk e gjejmë”. 

Lexo më shumë  Osmani takohet me zv/presidentin e MCC-së, e falënderon për grantin 200 milionësh për energji

Në llogaritjet e fundit, policia identifikoi 65 rrugë ilegale, të gjitha të bllokuara me kanale të mëdha të prera nëpër beton. Edhe 10 rrugë të tjera mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm, kryesisht nëpërmjet dronëve. 

Prezenca e vazhdueshme në rajonin me shumicë serbe i dërgoi mesazh Beogradit se Kosova po i mbron kufijtë e saj, ka thënë komandanti Elshani. 

“Banjska ndryshoi gjërat, i vendosi në një nivel tjetër për shkak të vrasjeve. Kur derdhet gjak, atëherë është problem”, tha Elshani. 

Analistët paralajmërojnë se propaganda e Kremlinit po nxit trazira në veri të Kosovës, në një shtet ku 93 për qind janë shqiptarë e 4 për qind serbë. Shumica e serbëve në Kosovë ende e konsiderojnë Beogradin, që kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si qeveri të tyre. 

Pas sulmit në Banjskë, autoritetet zbuluan një sasi të madhe armësh që sulmuesit e kishin fshehur në ndërtesat e papërdorura përreth fshatrave veriore të Kosovës. Vetëm pak javë më parë ata zbuluan pesë raketahedhës të tjerë, një shenjë e shkallës së sulmit të planifikuar. 

Në një intervistë për “The Telegraph”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se presidenti i Serbisë Vuçiq, kishte plane për të pushtuar Kosovën. Ai tha se Serbia ka ndërtuar baza operative përreth kufirit me Kosovën në një “formë patkoi” për të “mbrojtur Beogradin dhe sulmuar Kosovën”. 

Shpërqendrimi nga lufta në Ukrainë

Bazuar nga vetë fjalët e presidentit Vuçiq, Kurti beson se presidenti serb po kërkon momentin e tij dhe rastin për ta pushtuar Kosovën. 

Miqësia e Vuçiqit me presidentin rus Vladimir Putinin është e njohur tashmë dhe Kurti beson se është në interes të Rusisë që Serbia ta pushtojë Kosovën, pasi do ta largonte vëmendjen nga lufta e tij në Ukrainë. 

Në urën e Mitrovicës që përshkon lumin Ibër, flamuri kuq, bardhë e kaltër i Serbisë valon gjithandej. Dikur kjo urë ishte një “pikë e nxehtë” – një ndarje joformale midis rajonit kufitar verior të Kosovës dhe jugut me shqiptarë etnikë. Gjërat duken paqësore ndërsa këmbësorët ecin lirshëm.

Lexo më shumë  Ushtria ruse ‘ka humbur’ 1,250 ushtarë të tjerë në Ukrainë, në vetëm një ditë – humbje të mëdha edhe në armatim

Por, ka edhe tensione që mund të mos duken. Disa banorë etnikë serbë nga veriu i shohin të gjithë ata që kalojnë në jug si tradhtarë, duke tradhtuar plagët e pashëruara nga gjakderdhja e viteve 1990.

Makinat ende nuk lejohen të kalojnë mbi urë, të penguara nga një bllokadë dhe nga prezenca 24-orëshe e dy veturave policore Land Rover, një e kthyer me fytyrë nga jugu e një nga veriu. 

Policia tha se këto masa janë thelbësore për ta ruajtur stabilitetin në zonë. 

Po qarkullojnë fjalë se Putini ka rekrutuar serbë për të luftuar në radhët e ushtrisë së tij kundër Ukrainës dhe ndërsa “The Telegraph” udhëtoi në veri të Kosovës, solidariteti me Rusinë ishte i gjithëpranishëm. Shkronja “Z” është vizatuar anash dyqaneve, kafeneve dhe shtëpive. 

“Është pjesa nga ku Rusia do të rekrutojë paraushtarakë potencialë të Wagnerit për të luftuar në Ukrainë dhe Ballkan”, ka thënë kryeministri Kurti. 

Në një shenjë rrugore, dikush kishte shkruar fjalët “F–, NATO”, një paralajmërim ndaj pranisë së paqeruajtësve të KFOR-it, që janë stacionuar në Kosovë nga viti 1999. 

Ashtu si policia e Kosovës, ata kryejnë patrulla, duke mbajtur një sy drejt asaj që i referohen si vija kufitare administrative, një shtrirje tokësore prej 237-miljeve që ndan Kosovën dhe Serbinë.

Llajtenënti Caldwell i Gardës Kombëtare të Georgias, e cila përbën një pjesë të kontingjentit amerikan të KFOR-it, tha se detyra e tyre ishte të zbulonin këdo që synonte të ndiqte veprimtari armiqësore. 

Ai ka thënë se është me rëndësi të “priten” rrugët ilegale, për t’i ndaluar kalimet e kontrabandistëve për në Kosovë. Ai tha se më shumë rrugë të tilla po ndërtohen kurdo që po shihet mundësia. Për komandantin Elshani, burrat e tij janë të gatshëm. 

“Nuk është befasi që Vuçiqi dëshiron të pushtojë. Ata mund të na qëllojnë, por s’do të na trembin”, tha Elshani.

Rruga Press

YouTube player