“The Guardian”: A është ende e mundur të shmanget lufta në Europë
Perëndimi është më i bashkuar që nga Lufta e Ftohtë, por e ardhmja e Ukrainës varët në fije të perit.
Nga Timothy Garton Ash, The Guardian*
“Mendoj se Putini do të investojë në Kiev”, – më tha një gjeneral i NATO-s. Për një moment mendova se e kisha dëgjuar keq. Pastaj kuptova se ai po përdorte foljen “investoj” në kuptimin e vjetër ushtarak të rrethimit të një qyteti pa e pushtuar atë. Kjo fjalë e vetme tregon se sa prapa kemi shkuar në Evropë gjatë 15 viteve të fundit: nga një botë ku “investimi” do të thotë të investosh pará në një vend, në një botë ku “investimi” do të thotë ta rrethosh atë me një ushtri.
Presidenti rus Vladimir Putin i shpalli luftën e tij personale perëndimit 15 vjet më parë, në fjalimin e vitit 2007 në konferencën e sigurisë në Mynih. Në konferencën e këtij viti, nga e cila sapo jam kthyer, të gjithë po përpiqeshin të kuptonin se si kemi ardhur në prag të asaj që mund të jetë lufta më e madhe në Evropë që nga viti 1945 dhe nëse ende mund ta parandalojmë atë. Me gjithë diplomacinë e minutës së fundit, Rusia vazhdon të përparojë drejt veprimeve të mëdha ushtarake. Pretendimi i saj propagandistik për një sulm ukrainas përtej kufirit të saj dhe një evakuim televiziv i grave dhe fëmijëve nga para-militarët separatiste të Donetsk dhe Luhansk janë krijuar padyshim për të ofruar një justifikim mashtrues për agresionin rus. Në këtë moment që po shkruaj, nuk e di saktësisht se çfarë forme do të marrë agresioni i ardhshëm, por siç tha një ditë më parë presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, Rusia tashmë i ka vënë Ukrainës “një lak rreth qafës”.
Kjo ishte konferenca më elektrizuese e sigurisë në Mynih që kam përjetuar. Ajo u shënua gjithashtu nga një ringjallje e madhe e “perëndimit”, një term që besoj se u varros nga mospërdorimi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Tani të gjithë u rreshtuan për të shpallur unitetin e palëkundur të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken u ul në skenë pranë ministres së jashtme gjermane Annalena Baerbock, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg krah për krah me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe të gjithë deklaruan se mes tyre nuk kishte ndarje as sa trashësia e një cope letre.
Por ky është një “perëndim” i ndryshëm nga aleanca gjeopolitike e Luftës së Ftohtë. Falë zgjerimit të BE-së dhe NATO-s për të përfshirë shtetet baltike, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Rumaninë, ky perëndim i ringjallur tani qëndron në kufijtë perëndimorë të Rusisë. Dëgjohen edhe një herë zëra që thonë se zgjerimi i NATO-s ishte një gabim i madh duke provokuar gjoja reagimin e Putinit. Por ku do të ishte Estonia sot pa sigurinë e fortë të ofruar nga NATO?
Përgjigje: Jashtë, në të ftohtë me Ukrainën, në një harresë të errët pasigurie.
Mesazhi më i qartë nga Mynihu ishte se NATO është e vendosur të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të anëtarëve të saj lindorë. Qytetarët e Narvës, një qytet estonez pikërisht në kufirin e Rusisë, mund të flenë më të qetë në shtretërit e tyre, siç nuk mundet asnjë ukrainas.
Në një “drekë ukrainase” në Mynih, Dmytro Kuleba, ministri i jashtëm i Ukrainës, shpalosi atë që dëshiron vendi i tij: armë, diplomaci, sanksione, mbështetje ekonomike dhe një perspektivë të qartë të anëtarësimit eventual në BE.
Çështja e armëve ndan ende perëndimin. SHBA-ja, Britania, Polonia dhe shtetet baltike furnizojnë Ukrainën me armë mbrojtëse; Gjermania jo. Unë rrallë kam parë aq shumë kritika në internet sa kam marrë për një rubrikë të “The Guardian” që shkrova 7 vjet më parë, në shkurt 2015, duke argumentuar mbi furnizimin me armë mbrojtëse të Ukrainës në një kohë kur forcat e armatosura të Putinit kishin ndërhyrë drejtpërdrejt në rajonin e Donbasit për të nxjerrë ushtrinë ukrainase nga territori i saj. Tani pyes: po sikur të kishim bërë më shumë gjatë këtyre 7 viteve për të ndihmuar Ukrainën të ndërtonte elasticitetin e saj ushtarak, në interes të parandalimit, duke e bërë veten të patrembur nga “ariu rus”?
Kjo nuk është thjesht një hipotezë “po sikur?”. Çfarëdo që të ndodhë në Ukrainë gjatë ditëve dhe javëve në vijim, çështja e moralit dhe prakticitetit të ndihmës mbrojtëse nuk do të anashkalohet. Pas saj qëndron pyetja më e madhe nëse Evropa është e përgatitur të tregojë fuqinë për të mbrojtur rendin e saj liberal, përballë agresionit rus në Evropë dhe çfarë mund të ndodhë pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në SHBA.
Janë edhe masat joushtarake. Kur bëhet fjalë për to, Gjermania është fuqia qendrore e Evropës, e ndjekur nga Franca dhe Britania. Gjermania ka bërë më shumë se kushdo tjetër në Evropë për t’i dhënë mbështetje ekonomike Ukrainës. Kancelari gjerman Olaf Scholz e trajtoi mirë në takimin e tij me Putinin në Moskë, dha edhe një mesazh të qartë në Mynih për kostot që do të përballet Rusia në rast të një pushtimi.
“Le të qëndrojmë së bashku,” – tha ai, duke e shqiptuar në anglisht për ta theksuar.
Prova më e madhe e këtij “qëndrimi së bashku” do të vijë nëse Putini ndalet nga pushtimi të drejtpërdrejtë dhe në vend të kësaj kufizohet me diplomacinë shtrënguese, sulmet kibernetike dhe njohjen e të ashtuquajturave republika popullore të Donetsk dhe Luhansk, të cilat i shpalli të hënën. Më pas mund të ketë çarje në unitetin perëndimor, me Gjermaninë ndoshta të tunduar për të vazhduar me gazsjellësin Nord Stream 2 nga Rusia.
Në rast të një inkursioni të armatosur, fillimisht do të kishte një përgjigje të bashkuar për sanksionet, por sa efektive do të ishin ato dhe për sa kohë mund të mbaheshin? Në Mynih, nga liderja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya mësova se sa boshllëqe ka lënë perëndimi në sanksionet e tij të supozuara gjithëpërfshirëse ndaj regjimit të diktatorit bjellorus Alexander Lukashenko.
Putini ka krijuar më shumë se 600 miliardë dollarë rezerva financiare dhe ka bërë lëvizje të tjera parandaluese. Në çdo rast, një fuqi që është e përgatitur të përdorë pa hezitim dhunën ka një avantazh përshkallëzimi ndaj fuqive që heqin dorë nga përdorimi i forcës. Siç thotë shprehja e vjetër polake: “Ne luajmë shah me ta, ata luajnë me ne”.
Përtej kësaj qëndron çështja e strategjisë sonë afatgjatë ndaj territoreve midis BE-së dhe Rusisë. Aktualisht, ne nuk kemi një të tillë. Scholz tha se nuk duhet të kthehemi në një Evropë të ndarë në sfera ndikimi: “Asnjë vend nuk duhet të jetë oborri i pasmë i një vendi tjetër”. Por nëse nuk jeni seriozë për hapjen e perspektivës së anëtarësimit në BE që e kërkoi ministri i jashtëm ukrainas, duke e ditur mirë se procesi do të zgjasë shumë vite, pikërisht këtu largoheni nga Ukraina, duke e lënë një oborr të pasmë, me një gangster famëkeq që i qëndron mbi kokë.
Tani për tani, në atë që mund të jetë minuta e 59-të e orës së 11-të, pyetja është nëse mund të bëjmë ndonjë gjë për të shmangur një tragjedi tjetër të përgjakshme në një pjesë të kontinentit tonë që tashmë ka vuajtur shumë më tepër tragjedi sesa pjesa e saj e drejtë. Kur ta lexoni këtë, mund të jetë tashmë tepër vonë.
*Timothy Garton Ash është një historian, shkrimtar politik dhe kolumnist i Guardian
Rruga Press