Lajme

Tenderat e mirëmbajtjes së rrugëve si prova krimi

Nga Klodian Tomorri

Tenderat për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare janë shndërruar në një farsë, jo vetëm e shëmtuar por edhe e nevertishme. Këto dy muaj, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka prokuruar tre kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve. Plot 23 milionë euro në total. Ajo që ka ndodhur është një batërdi financiare.

Kontrata e para ishte mirëmbajtja e aksit Bogë-Theth-Vermosh etj.  Fondi Limit i tenderit, 3 milionë e 441 mijë euro. Në garë merr pjesë vetëm një ofertë me vlerë 3 milionë e 440 mijë euro, pra 1 mijë euro më pak. Oferta është bashkim i kompanive Ndërtuesi 2014 dhe Jubica. Vetëm 1 mijë euro më pak.

Kontrata e dytë është mirëmbajtja e akseve kryesore të Shqipërisë Qëndrore dhe asaj Jugore. Fondi limit i tenderit 12 milionë e 130 mijë euro. Në garë ka prapë vetëm një kompani, por këtë herë maskarada është edhe më e madhe. Oferta është po 12 milionë e 130 mijë euro, aq sa fondi limit. Në kokë, pra 100 për qind e fondit. Në 12 milionë e 300 mijë euro nuk ulet as 1 euro e vetme. Kompania fituese është 2T.

Lexo më shumë  Ministri Aliu siguron se punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë do të përfundojnë brenda afateve

Kontrata e tretë është mirëmbajtja e akseve kryesore të rajonit verior. Fondi limit i tenderit 7 milionë e 359 mijë euro. Në garë merr prapë pjesë vetëm një kompani, Geci shpk me ofertë 7 milionë e 340 mijë euro. Këtu kanë ulur 19 mijë euro, por është prapë 99.75 për qind e fondit limit.

Tani, a ka ndonjë naiv aq të madh sa të mendojë se këto më sipër janë tendera të ndershëm? Sepse kështu si janë bërë, këto nuk janë tendera, por prova krimi.

Si ka mundësi që në tre kontrata kaq të mëdha hyn në garë vetëm një kompani? Pra, këtu duket qartë që gara është asgjësuar. Dilema e vetme është kush e ka asgjësuar.

Lexo më shumë  Kapen rreth 400 kg duhan kontrabandë në Gjilan

Janë kompanitë që bëjnë marrëveshje kartel dhe i lënë radhën njëra tjetrës? Apo është ARRSH, që i ndan tenderat me përcaktim?

Këtë ta gjejë kryeministri dhe institucionet e shtetit. Se këtu është bërë gjithçka qesharake tani. Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim për çmimet e hoteleve natën e finales, ndërkohë që këtu ku masakrohet buxheti dhë bëhet gjakderdhje financiare me paratë e qytetarëve, bëjnë të gjithë sikur nuk shohin gjë.

Kryeministri nuk sheh gjë sepse siç ka thënë dhe vetë ia hedhin të tijtë pas krahëve, Autoriteti i Konkurrencës merret me hotelet, ndërsa SPAK-u është i zënë duke nxjerrë në pazar emrat e të penduarve dhe atyre që duhet të arrestojë./mcn/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *