EditorialKryesore

Teknokrati i autokratëve Varhelyi, në Evropën e mpirë që dëshiron të ringjallet

Evropa nuk është shuma e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian me rroga të majme, që për punë me kohë të pjesëshme kanë lobimin për agjenda të vendeve, udhëheqësit e të cilëve për tu bërë të pranueshëm për BE-në duhet që fillimisht ta degradojnë horizontin e saj politik, besueshmërinë në raportet gjeopolitike dhe vlerat universale pa të cilat mbetet një organizatë e grupeve private të interesit, larg të qenit emër që e thërret njerëzimin të imagjinojë vetveten në hap dhe pjekuri historike.

Evropa dhe Bashkimi Evropian janë ide për një botë me njerëzim, kurse burokratët e tipit Varhelyi janë vetëm emrat e ngushtimit të kësaj ideje, bote dhe njerëzimi në këmbime favoresh mes autokratësh që zhdukin politikën e popujve dhe ekspertëve instrumentalizues apolitik, që mendojnë se dija dhe vlerat e njerëzimit janë dy botë të ndryshme. Këtij tipi teknokrati i duhet kjo diskrepancë, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund të zgjedhë ishujt e mbyllur ku dija e tij mund të vendoset në shërbim të cilitdo autokrati që i ofron favore ose para, atij apo grupit të tij klanor të interesit.

Teknokrati dhe autokrati, Varhelyi dhe Vuçiqi, janë martesa që emrin e botës, njerëzimit apo Evropës e shndërron në një lagje të çfarëdoshme të një province ballkanike ku njeriu definohet aty-për-aty nëse kjo qenie përballë meje është e spastrueshme etnikisht apo jo.

Lexo më shumë  Kur do ketë Tirana guximin t’i kujtojë Athinës gjenocidin grek në Shqipëri në 1914?

Është lajm shumë i mirë që Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi është duke u hetuar, për afërsinë e tij me Putinin, Orbanin, Dodikun e Vuçiqin, për raportin e tij të rremë ku thuhej se Serbia ka bërë përparim sa i përket demokracisë.

Më në fund po jepen shenja se Evropa po zgjohet, ajo do të bëhet politike, e t’i kthehet vlerave. Por, kësaj radhe, nëse do ketë një rikthim të tillë, ai do të vijë jo përmes tezave teknokrate, kompromiseve skandaloze, tezave të tregut global si rregullues edhe i çështjeve politike, por vetëm si destabilizim i rihapjes së politikes, ku putinët, dodikët dhe vuçiqët as nuk konsiderohen palë kompromisi, e as subjekte përfituese të fondeve evropiane dhe koncesioneve që ushqejnë dhe hapin gjithnjë e më shumë orekset ekspansioniste.

Autokratët që grryejnë BE-në dhe teknokratët që vendosen në shërbim të agjendave të tyre qarkullojnë në lëkurë të Evropës midis plagës së saj dhe makiazhit bosh të stabilokracisë që instalon globalizmi ekonomik. Kjo i ngjan asaj parukes britanike që fillon përdorim në shekujt 17-18, kur sifilizi i pashërueshëm po bënte kërdinë. Kjo sëmundje që rrëzonte flokët, shkaktonte plagë në kokë të cilat lëshonin erë të keqe, bëri që të sëmurët të mbulonin plagët me paruke dhe për të mbuluar erën e e keqe paruken e pluhurosnin me një përbërës aromatik. Përtej rregullimit të imazhit, sëmundja përshkallëzohej nga mungesa e oksigjenit dhe moskurimit me ilace të cilët asokohe nuk ishin shpikur akoma.

Lexo më shumë  Rashiq: Lista Serbe nuk ishte e gatshme për votim në veri, do të ishte humbje e Vuçiqit

Sot, Putini është parukja e hequr me zor nga koka e Evropës “kokërrjepur” dhe pamë që sëmundja është bërë shkatërruese.

Nëse Evropa do u mbyllë derën autokratëve që duan ta rrënojnë atë duke e bërë si vetja, atëherë teknokratët lobistë të tipit Varhelyi do nisin të nxirren jashtë, ca duke u flakur, e të tjerët do i sulen vetë derës një orë e më parë që të shpëtojnë kokën nga ndjekjet e mundshme penale.

Evropa që nuk dialogon me autokratë është ajo Evropë e vlerave dhe horizontit politik që varlhenjtë i bën të panevojshëm, të padobishëm. Ata janë vetëm sekserë të një Evrope të mpirë, e cila po jep shenja se dëshiron ringjallje.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *