Art & Kulturë

Teatri “Migjeni”: Drama “Shqiponjat”, në skenë 54 vite më parë

“Shqiponjat” është një prej veprave teatrore, që është vënë në skenën e teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës. Teatri shprehet se drama vepër e pesë autorëve ishte në skenë, në kudër të 500 vjetorit të Skënderbeut. “54 vite më parë, në kuadrin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në skenën e teatrit “Migjeni” iu paraqit spektatorit shkodran, drama “Shqiponjat”.

Kjo dramë është shkruar nga pesë shkrimtarë shkodranë: Ton Shoshi, Fadil Kraja, Jonuz Dini, Frederik Rreshpja dhe Paulin Sekuj. Regjisor Serafin Fanko, skenografia Çesk Vuksani, Lec Fishta”, thuhej në materialin e teatrit publikuar ditën e hënë. Sipas teatrit në dramën “Shqiponjat” interpretuan aktorët Lec Bushati, Elez Kadria ( ka interpretuar 2 role), Gjon Deda, Prenk Lëkunda, Vitore Nino, Tinka Kurti, Agron Dizdari, Ana Shala,   Sul Dibra, Ymer Bala, Bep Shiroka, Zef Deda, Viktor Bruçeti, Ndrek Prela, Gjosho Çarkaxhia, Ndoc Sheldija, Rrok Vuji, Jonuz Dini, Pistol Soja, Paulin Lacaj, Adem Kastrati, Lec Ndreka, Merko Sina.

Merrnin pjesë amatorë nga qendrat e punës, studentë të institutit, nxënës të shkollave “Jordan Misja” dhe “28 Nëntori”. Kostumet u përgatitën nga Zina Ashta, Abdullah Mema dhe Bik Ndoja, efektet zanore Zef Cungeli, ndriçimi Teufik Duka, butaforia Sali Kola dhe Zef Gaci, grimi Kin Jaku. Teatri shprehet se vepra u ndoq nga mbi 7 mijë spektatorë në Shkodër. “Premiera u dha me 30 dhjetor 1967. U shfaq 15 herë. Numri i spektatorëve 7.898”, bën me dije teatri “Migjeni” në Shkodër. Serafin Fanko (Shkodra, 24 maj 1937 – 29 shtator 2007), ishte një aktor dhe regjisor shqiptar i nderuar me titullin “Artist i Popullit”. Serafin Fanko studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve në Pragë dhe në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Filmi i tij i parë është “Fije që priten”. Më pas shkëlqeu në vitin 1977, me filmin “Gunat mbi tela” ku luante një nga rolet e mbretërisë së Savojës. Vitet e fundit spikati si regjisor dramash.

YouTube player