Të mbjellat e bujqësisë po thahen nga mungesa e ujit, banorët në Krutje të Lushnjës: Nuk kemi si të vaditim, shteti na ka harruar prej 30 vitesh. Vetëm jemi vjedhur!
Mungesa e ujit për vaditje është kthyer në shqetësimin më madhor për fermerët e fshatit Krutje në bashkinë e Lushnjës.
Sipas fermerëve me dhjetëra hektarë sipërfaqe e mbjellë po thahet nga mungesa e ujit vaditjes teksa theksojnë se uji nuk mbërrin në arat e tyre për shkak të kanaleve vaditës të papastruar dhe të bllokuar .
“Kam dy hektarë tokë por e vadis me pompë sepse uji i kanalit nuk vjen. Pasi vadita 4 dynym misër më mori 100 mijë lekë sepse uji i kanalit vjen deri në fillim të parcelave por ke unë nuk vjen. Ndoshta duhet pastruar kanalet. Nuk po mbjellim dot asgjë sepse nuk ka ujë, nuk bëjnë investime. Kanë 30 vite që nuk pastrojnë kanalet, me sakrifica dhe jemi të detyruar të mbjellim pranë banesës tonë”, u shpreh gruaja fermere.
“Vaditjen e kemi shumë problem. Është turp i botës që kanalet janë të papastruara pa ujë pa gjë, fshatari është gjynah. S’kemi fitim fare këtu. Kjo parti nuk është më për popullin. Më parë ka pasur ujë, lekët i vodhën. Në kohën e diktaturës kishte ujë kanalet dhe vadisnin fshatarët. Pas viteve 90’ nuk është investuar fare vetëm vjedhje ka patur”, tha një fermer.