Opinion/Aktualitet

Tallja dixhitale e të sëmurëve me tumor, kur Rezonanca Magnetike mungon

Nga Erion Dasho 

Dje një emision investigativ tregoi për sorollatjet e të sëmurëve me tumor në përpjekje për të kryer ekzaminimin e Rezonancës Magnetike.

Investigimi zbuloi se një program kompjuterik i pengon mjekët specialistë në Berat dhe bashkitë përreth të referojnë në Tiranë pacientët që kanë nevojë për ekzaminimin në fjalë dhe detyron referimin në Elbasan, aty ku Rezonanca Magnetike mungon!!!

Kjo tragjikomedi provon edhe njëherë se sa qesharak është sistemi digjital që kanë ngritur kimistët, klarinetistët dhe balerinat që drejtojnë prej 9 vjetësh shëndetësinë shqiptare.

Ndërkohë që kartela e pacientit shkruhet akoma në letër, një sistem aplikacionesh dhe programesh të pakoordinuar dhe amatoreskë bëjnë sikur digjitalizojnë aspekte të caktuara të praktikës klinike dhe administrative. Në fakt, siç tregon edhe shembulli në fjalë, këto programe më tepër e pengojnë sesa e ndihmojnë punën e personelit mjeksor.

Lexo më shumë  Bushati: Telefonata e Ramës ndaj medias italiane, si thirrja e një kapo bande

***
Arsyeja bazë për mosfunksionimin e programeve kompjuterike në spitalet dhe qendrat shëndetësore shqiptare është se asnjë prej këtyre programeve nuk është hartuar në rrugë profesionale duke ndjekur praktikat e mira bashkëkohore.

Gjasme të tenderuar, pjesa dërrmuese e programeve janë ndërtuar nga një kompani e vetme që shërben prej vitesh si strumbullari i digjitalizimit në shëndetësi. Kompania është e njohur për mungesë aftësie dhe personeli dhe shpesh i subkontrakton tenderat duke mbajtur për vete përqindjen e majme të sekserit.

Nuk ka nevojë të përmendet se kompania në fjalë është e përfolur për lidhje të fuqishme me nivelet më të larta të politikës rilindase.

Lexo më shumë  Kur do ketë Tirana guximin t’i kujtojë Athinës gjenocidin grek në Shqipëri në 1914?

Në këto kushte, kuptohet se përse programet dhe aplikacionet e sistemit shëndetësor nuk punojnë apo punojnë mbrapsht duke detyruar mjekët e Beratit t’i referojnë pacientët në Elbasan për të kryer një ekzaminim që në këtë qytet nuk ofrohet!

***

E shkruar në kartela letre, mjekësia shqiptare i ngjan më tepër mjekësisë së Egjiptit të Lashtë që shkruhej mbi papirus, sesa mjekësisë së digjitalizuar bashkëkohore!

Ajo do të rivendoset në shinat e zhvillimit vetëm kur digjitalizimi nuk do të jetë thjesht objekt demagogjie për qeveritarët dhe qokash për ushtarët e partisë, por një mjet transformues dhe modernizues.

Deri atëherë, rrofshin papirusët e rilindjes!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *