Sveçla: Serbia shkeli dakordimin për targat, riregjistroi makina me KM
Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla ka deklaruar se Qeveria e Serbisë ka shkelur marrëveshjen për ndalimin e regjistrimit dhe lëshimin e targave të reja me akronimet e Mitrovicës “KM”. Sipas tij, Drejtoria e Kufirit e Policisë së Kosovës ka evidentuar së fundmi, në disa pika kufitare makina me targa ilegale “KM”, të riregjistruara në muajin dhjetor 2022.
“Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim”, thotë Sveçla në facebook.
Sipas tij, në respektim të legjislacionit të Kosovës dhe dakordimit të arritur në Bruksel, Policia e Kosovës siç thotë Sveçla, nuk ka lejuar hyrjen e këtyre makinave në territorin e Republikës së Kosovës.
“Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, ka deklaruar me tej ministri Sveçla.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarët, pronarë të makinave me targa të tilla, që të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Republikën e Kosovës në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, pas krizës së shkaktuar në veri të Kosovës gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar lidhur me ri-regjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS, që serbët refuzuan ta bëjnë, më 23 nëntor u arrit një marrëveshje në Bruksel.
Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq me ndërmjetësimin e Mirosllav Lajçak, u morën vesh që Serbia të heqë dorë nga lëshimi i targave joligjore KM, dhe Kosova të hiqte vendimin për qortimet dhe gjobat për shoferët me makina me targa të tilla.
Rruga Press