Lajme

PD: Landfilli i Sharrës, gropa e shtetit shqiptar. Erion Veliaj, varrmihësi më i pasur në botë

Partia Demokratike përmes anëtarit të Kryesisë së saj, Grigels Muçollari, deklaron se landfilli i Sharrës në Tiranë është gropa e shtetit shqiptar, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është shndërruar në varrmihësin më të pasur në botë.

Përmes rrjeteve sociale, ku dhe denoncon me pamje filmike mbi atë çfarë ndodh në landfillin e Tiranës, Muçollari thekson se Sharra është “horror” moral, mjedisor dhe shtetëror.

“Dua të pyes shqiptarët që jetojnë jashtë, a keni parë gjëkundi nëpër botë një horror, ku njerëzit dhe mbeturinat groposen pranë? Këtu në Tiranë mbetjet dhe njerëzit kanë të njëjtin vendprehje, Sharrën!

Nuk e di sesi kalon kjo para syve tanë e nuk trondit shoqërinë, nuk e shkund ndërgjegjen e saj të fjetur, nuk na e trazon stomakun në atë masë sa ta kalojmë cakun!

Parcelat e reja të varrezave të Sharrës janë disa hapa larg landfillit. Mungesa e hapësirave për varre ka marrë përmasa të frikshme, por më e frikshme është ajo që ndodh atypari, në landfill.

Një video me dron e publikuar nga Partia e Lirisë tregon një tjetër horror. Në Sharrë nuk bëhet asnjë proces incenerimi. Mbetejet nuk trajtohen, nuk veçohen, nuk riciklohen. Shkarkohen dhe groposen bashkë.

Sharra është gropa më e madhe në Tiranë, si për nga përmasat fizike ashtu edhe për dëmin financiar që po i shkakton taksapaguesit shqiptar.

E ndërsa në varrezat e Sharrës qytetarët paguajnë nën dorë për të zgjedhur gropën, në landfillin disa hapa më tutje nuk ka ndarje preferenciale; përfundojnë të gjitha në një gropë.

Rrugëtimi i një qeseje fosforeshente me mbeturina të riciklueshme, nga koshi i mbeturinave në Tiranë drejt gropës së landfillit, tregoi dy të vërteta:

Në Sharrë nuk lodhet kush me nda letrën nga plastika apo qelqin nga kartoni. Direkt e në gropë.

Veliaj është varrmihësi më i pasur në botë.

U merr shqiptarëve 29 euro për ton mbetje, me pretendimin se po incenerojnë dhe riciklojnë.

Paratë shkojnë në xhep, mbetjet në gropë.

Kështu ndodhi edhe me qesen fosforeshente që mund të gjurmohej lehtësisht në errësirën e natës. Përfundoi në destinacionin e parashikuar.

Sharra është horror moral, mjedisor dhe shtetëror.

Moral – për vendndodhjen jashtë çdo norme zakonore, qytetërimi e tradite njerëzore.

Mjedisor – për mungesën e proceseve trajtuese dhe përpunuese që eliminojnë ndotjen. 

Shtetëror – për vjedhjen e përditshme që i bëhet taksave të 1 milion banorëve të Tiranës nga shteti i tyre. Vjedhje me pasoja direkte për jetën, si për nga ndotja kanceroze që na mban pushtuar, edhe për të ndjerin Ardit Gjoklaj që ndodhej disa hapa më tutje, i cili nuk e arriti moshën e pjekurisë por e pa horrorin e Sharrës përpara nesh”, deklaron anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, ne rrjetet sociale.

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *