KryesoreLajme

Sveçla: Po hetohet mundësia e përfshirjes ruse në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se për sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit po hetohet edhe mundësia e përfshirjes ruse.

Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra të dielën në këtë fshat nga një grup i armatosur serbësh. Në aksionin pasues nga Policia e Kosovës u vranë tre sulmues. Tetë persona janë arrestuar, ndërsa katër nga ta u liruan në mungesë provash. Shumica e grupit ka ikur.

Në një intervistë për agjencinë “Associated Press”, Sveçla ka thënë se hetuesit po shikojnë mbi provat nëse ka lidhje me Rusinë, si aleate e Serbisë, në sulmin e armatosur. Armët, pajisjet dhe dokumentet e kapura sugjerojnë se ka përfshirje ruse në sulmin.

“Ajo që e dimë sigurt është se ata erdhën nga Serbia”, ka thënë ai. “Disa nga ta janë serbë të Kosovës, që kanë dyshtetësi, kosovare e serbe, dhe që, sipas informatave të inteligjencës tonë, ishin trajnuar në kampet në Serbi”.

Lexo më shumë  Komandanti i KFOR-it: Ngjarjet në Kosovë ndikuan te siguria në rajon, dërguam 1,000 trupa

“Kemi gjetur disa dokumente që na shpien në dyshimin se ka pasur individë që kanë ardhur edhe nga Rusia”, ka shtuar Sveçla. “Për pajisjet, kemi dëshmi, por për njerëzit mbetet ende vetëm dyshim”.

AP-ja ka vazhduar duke shkruar se ka frikë edhe në Perëndim se Rusia, nëpërmjet Serbisë, mund të dojë ta destabilizojë Ballkanin për ta tërhequr vëmendjen nga agresioni rus në Ukrainë. Rusia ka dalë vazhdimisht në përkrahje të Serbisë për tensionet në Kosovë, duke fajësuar Perëndimin se “po dështon t’i mbrojë serbët e Kosovës”.

Sveçla ka thënë se bazuar në dëshmitë e grumbulluara dhe pamjet prej dronit, disa nga sulmuesit, kanë bartur maska gjatë gjithë kohës.

“Edhe anëtarët e grupit që janë arrestuar, nuk e kanë ditur se kush janë. Pra ose janë zyrtarë të lartë nga sektori i sigurisë së Serbisë ose mund të kenë ardhur direkt nga Rusia”, ka thënë më tej Sveçla.

Lexo më shumë  Osmani: Është thjesht çështje kohe, Kosova do të jetë anëtare e Këshillit të Evropës

Ministri i Brendshëm ka deklaruar se qëllimi i agresionit ishte kapja e veriut me qëllimin përfundimtar të ndarjes nga Kosova.

“Kishin edhe 100 uniforma më shumë. Ata po planifikonin të rekrutonin më shumë njerëz nga zonat ku banojnë serbët… institucionet e Kosovës do të duhej të përballeshin me qindra terroristë në skenarin që e kishin planifikuar”, ka thënë më tej ai.

Ai ka thënë se arsenali i armëve që u kap nga Policia tregon se po përgatitej me plan që përfshin qindra njerëz.

Sveçla ka thënë se rreziku prej shpërthimit të mundshëm nuk ka përfunduar.

“Nuk kemi përplasje, por kemi informacion se ushtrimet e këtyre terroristëve po vazhdojnë në Serbi. Ka njerëz në Kosovë që janë pjesë e këtij grupi”, ka thënë Sveçla.

Rruga Press

YouTube player