KryesoreLajme

Supremja refuzon ankesën e Listës Serbe ndaj vendimit të PZAP-së

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka vendosur lidhur me ankesën e subjektit politik “Lista Serbe”, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.5/2026, të datës 18.05.2026.

Në seancën e mbajtur më 22.05.2026, ankesa e subjektit politik “Lista Serbe” është refuzuar si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së, është vërtetuar.PZAP, me vendimin ZP.Anr.5/2026 të datës 18.05.2026, kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik “Lista Serbe”, të paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), lidhur me certifikimin e dhjetë (10) kandidatëve të subjektit politik “Za Slobodu Pravdu i Opstanak”, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 07 Qershor 2026.

Lexo më shumë  Pas përplasjeve policia hodhi sprej lotsjellës, disa protestues ndjehen keq. Dy prej tyre transportohen me ambulancë

Kundër vendimit të PZAP-së, subjekti politik “Lista Serbe” ka ushtruar ankesë në Gjykatë Supreme, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkelje të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Ankuesi ka propozuar anulimin e vendimit të PZAP-së dhe të vendimit të KQZ-së, si dhe detyrimin e KQZ-së për nxjerrjen e një vendimi të ri.

Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe shkresave të lëndës, Gjykata Supreme e Kosovës gjeti se ankesa është e pabazuar.Gjykata Supreme vlerësoi se ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk i përkasin komunitetit serb.

Gjykata Supreme thekson se publikimet në portale elektronike apo artikujt medialë nuk përbëjnë prova juridikisht relevante për të vërtetuar përkatësinë etnike të kandidatëve.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se barra e të provuarit bie mbi ankuesin dhe se pretendimet për shkelje kushtetuese apo ligjore nuk mund të mbështeten vetëm në supozime apo interpretime subjektive.

Gjykata Supreme gjithashtu vlerëson se vendimi i PZAP-së është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, duke respektuar parimet e barazisë, të drejtave zgjedhore dhe mbrojtjes së komuniteteve.

Rruga Press

YouTube player