KryesoreLajme

Haxhiu në përvjetorin e Dubravës: Shteti serb veproi si aparat vrasës

Sot janë bërë 27 vjet nga masakra e Dubravës, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë që makineria serbe kishte përdorur kundër civilëve shqiptarë.

Me këtë rast, në Dubravë janë mbledhur krerët e shtetit, përfaqësues të partive politike, familjarë të viktimave dhe ish të burgosur politikë, për të përkujtuar të vrarët e kësaj masakre. Të gjithë ata që e vizituan këtë vend thanë se kjo masakër është kujtimi më i hidhur për shqiptarët.

Gjatë homazheve u theksua rëndësia e kujtesës dhe kërkesa për drejtësi për viktimat e masakrës së Dubravës, ku u vranë 116 civilë shqiptarë.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar viktimat dhe ka folur për përgjegjësinë historike dhe institucionale të kësaj ngjarjeje.

Lexo më shumë  Shmangie nga tatimi, Milaim Zeka dënohet me burgim me kusht - obligohet t'ia paguajë ATK-së 81 mijë euro

“Në masakrën e Dubravës u vranë 116 shqiptar. Në Dubravë shteti serb veproi si aparat vrasës. I kishte të burgosurit në regjistra, në pavijonin në rreshta nën urdhra dhe të mbyllur, kjo është arsyeja pse Dubrava ka peshë të veçantë juridike dhe morale,” u shpreh Haxhiu.

Ajo theksoi se, sipas saj, krimi në Dubravë ka ndodhur për shkak të pranisë së strukturave shtetërore.
“Këtu krimi nuk ndodhi sepse shteti mungoi, ndodhi sepse shteti ishte i pranishëm në çdo hallkë, në komandë, në rojë, në mashtrim dhe në përpjekje për ta fshehur të vërtetën,” tha ajo.

Haxhiu shtoi se Masakra e Dubravës duhet të trajtohet si dëshmi e krimeve të kryera në Kosovë.

“Prandaj sot nuk mjafton ta përmendim Dubravën vetëm si datë por duhet ta kuptojmë si dëshmi për krimet monstruoze që Serbia i ka bërë në Kosovë kundër qytetarëve të pa mbrojtur shqiptar,” u shpreh ajo.

Lexo më shumë  Në familjen Gudaqi, Kurti nderon martirët dhe dëshmorët e Stagovës

Ajo bëri thirrje që e vërteta për Dubravën të bëhet pjesë e kujtesës shtetërore.

“Gjithashtu edhe si dëshmi të detyrës sonë që emrat e të vrarëve, dëshmitë e të mbijetuarve dhe e vërteta e plotë e Dubravës të bëhet pjesë e ndërgjegjes shtetërore të Republikës së Kosovës,” tha Haxhiu.
Në fund, Haxhiu bëri thirrje për nderim dhe përgjegjësi institucionale.

“Lavdi të vrarëve në burgun e Dubravës, nderim të mbijetuarve dhe përgjegjësi e përhershme për Republikën që kujtesën ta kthejë në drejtësi,” përfundoi ajo.

Rruga Press

YouTube player