Sulstarova: Bllokada e opozitës çon drejt krizës së shtetit, jo të pushtetit; 51% për LVV nuk është thjesht një numër – ai është forcim i republikës
Profesor Enis Sulstarova ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të opozitës së Kosovës, e cila sot bllokoi votimin e buxheteve dhe zgjedhjen e Glauk Konjufcës si Kryeministër. Ai thotë se ky veprim nuk synon vetëm pengimin e ekzekutivit, por rrezikon të fusë të gjithë shtetin në krizë.
Sipas Sulstarovës, opozita gabon rëndë në llogaritjet e saj politike, duke menduar se bllokimi i institucioneve do t’i sjellë përfitime. “Bllokimi apo vështirësimi i pagave në sektorin publik është përfitim i Serbisë, jo i Kosovës,” deklaroi ai, duke paralajmëruar se dëmi real i shkaktohet qytetarëve dhe funksionalitetit të republikës.
Profesori thekson se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja sa më të shpejta dhe një mandat i qartë për Lëvizjen Vetëvendosje. “Kësaj radhe elektorati duhet t’ia japë qartë fitoren LVV. 51% nuk është thjesht një numër – ai është forcim i republikës, është më shumë siguri, disfatë për agjenturën serbe dhe dinjitet në politikën e jashtme,” u shpreh ai.
Në përfundim, Sulstarova nënvizoi se një shumicë e konsoliduar do të sillte stabilitet institucional dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës, në një kohë kur sabotimi politik i opozitës rrezikon gjithë arkitekturën funksionale të shtetit.
Rruga Press

