Lajme

Kurti në Londër e njofton sekretaren britanike për kërcënimet nga Serbia me mbështetjen e Rusisë

Kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, për kërcënimet e Serbisë.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit është bërë e ditur se gjatë takimit në Londër, Kurti ka përsëritur edhe parakushtet për vazhdimin e procesit të dialogut.

“Kryeministri Kurti e informoi Sekretaren Cooper për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përfshirë operimin me 48 bazat ushtarake të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën. Lidhur me dialogun me Serbinë, ai përsëriti tri parakushtet për vazhdimin e procesit: dorëzimin nga Serbia të kryekriminelit Milan Radoiçiq, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kryeministri theksoi se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  DASH riafirmoi mbështetjen për Kosovën, KFOR-in dhe transformimin e FSK-së, Maqedonci: Dëshmi e qartë e progresit në vend

Në komunikatë është thënë se Kurti i ka vlerësuar si të forta dhe qëndrueshme marrëdhëniet mes dy shteteve. Ai ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është partnere kyçe strategjike.

Në takim është folur edhe për investimet në mbrojtje e ushtrimet e përbashkëta të ushtrive.

Kurti e ka vlerësuar procesin e zbatimit të plotë, gradual dhe pa përjashtime të Ligjit për të Huajt. Kurti ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian janë thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë.

Lexo më shumë  Integrimi në BE, 85% e bizneseve në Shqipëri rrezikojnë faliment, nëse nuk plotësojnë standardet

Rruga Press

YouTube player