Lajme

Sulme të reja në veri të Kosovës? Muhaxheri: Ka përpjekje për të hequr vëmendjen nga protestat në Serbi

“Sulmet në veri të Kosovës janë të mundshme, por vigjilenca është shumë e madhe”. Kështu u shpreh në Ditar, analisti Artan Muhaxheri, pas paralajmërimeve të liderëve të Kosovës. Sipas tij Vuçiqit kërkon zhvendosë vëmendjen nga protestat e opozitës kundër zgjedhjeve në Serbi dhe të krijojë një krizë më të madhe.

“Kjo është çështje me rëndësi, është e mundshme se Vuçiqi kërkon ta zhvendosë vëmendjen nga zgjedhjet dhe do të bënte çmos që të krijonte një krizë të madhe që të vendoste në hije krizën e zgjedhjeve, mirëpo këtu janë forcat e NATO-s dhe ajo që ka ndodhur në Banjskë nuk mund të përsëritet, se mbikëqyrja e kontrolli është shumë i madh. Ka tentime për destabilizim, por vigjilenca e policisë sonë është më e madhe dhe mendoj që duhet të ketë ndonjë plan tjetër”.

Analisti thekson se Serbia nuk mund të avancojë angazhimet në agjendën europiane me këtë qëndrim të Vuçiqit.

“Çështja e Kosovës është delikate, por Serbia nuk mund të avancojë angazhimet në agjendën europiane me ketë qëndrim të Vuçiqit. Dhe kjo i është bërë e qartë nga BE e SHBA. Ky është një test i perëndimit në raport me lëshimet e Vuçiqit, nëse ke edhe këtë e kalon pa i hyrë gjemb në këmbë ai do të vazhdojë më tepër. Ky është momenti që në raport me kompromiset do të ishte një lloj dobësimi i Vuçiqit, nëse shkon me zgjedhjet e reja në Beograd”

Lexo më shumë  Varfëria, Shqipëria me kostot më të larta në Evropë të dietës ushqimore

Sipas tij Vuçiqi është manipulues dhe ndryshon qëndrim, sa i përket çështjes së Kosovës, por Perëndimi tashmë kërkon njohjen de facto të Kosovës dhe kur presioni të bëhet i padurueshëm presidenti serb do të bëjë kompromis.

“Vuçiqi është politikan që ndryshon qëndrime, ndonjëherë thotë nuk bëjmë kompromis ndonjëherë thotë duhet të bëhemi gati për kompromise të dhimbshme por realisht ai e di që duhet të bëjë kompromis nuk mund të vazhdojë me këtë qasje ndaj Kosovës. Vuçiqi i afrohet vijave të kuqe po nuk i shkel, se po t’i shkelë e pret fati i Millosheviçit. Perëndimi e ka ashpërsuar gjuhën, kërkon njohjen de facto për Kosovën dhe atij i duhet ta ndryshojë. Ai është një manipulues. Kur presioni të bëhet i padurueshëm ai do të bëjë kompromiset”.

Lexo më shumë  Bislimi në Institutin Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare: Kosova përtej barrierave drejt avancimit demokratik

Për deklaratat e Petkoviç që Kurti po frymëzon opozitën atje, analisti thotë se po tentohet të përfitohet politikisht me kartën e Kosovës.

“Kosova nuk ka fuqi ndikuese në politikën serbe, por Kosova ka qenë karta kryesore e pushtetit dhe do të tentohet të përfitohet politikisht sa më shumë. Dhe ai do ta njollosë opozitën atje, duke krijuar paralele me qëndrimet e Kurtit, që nëse fiton opozita në serbi do të jetë më mirë për kryeministrin Kurti dhe Kosovën, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin”.

Lidhur me protestat e opozitës në Serbi, Muhaxheri shprehet se Vuçiqi do të rrezikojë rrugën europiane të Serbisë, nëse nuk shkohet sërish në zgjedhje. /a2news/

Rruga Press

YouTube player