Lajme

Statuja e diktatorit sovjetik Stalin rishfaqet në Tiranë, Endri Fuga thotë se kjo “vepër arti” s’duhet gjykuar me syzet e politikës

E rrëzuar nga sheshet e Tiranës gjatë lëvizjeve të vitit 1990, statuja e Stalinit është rishfaqur e ekspozuara në vilën qeveritare që përdoret për pritje zyrtare të kryeministrit – një akt i gabuar dhe fyes sipas njerëzve që vuajtën pasojat e diktaturës.

Një statujë bronxi e Josif Stalinit vështron mbi një rrugë të populluar të Tiranës nga brenda murit të një vile qeveritare – dikur shtëpi e ish-kryeministrit komunist, Mehmet Shehu në lagjen e ish-Bllokut. Statuja qëndron pas një ZIS-i, makinë e përdorur nga ish-Sigurimi famëkeq, dhe pas tij me pak mundim mund të dallosh edhe një statujë të Leninit.

Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës në Shqipëri u frymëzua nga ish-udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik. Statujat u hoqën nga sheshet e Tiranës pas lëvizjeve anti-komuniste të vitit 1990 dhe qëndronin prej vitesh në oborrin e pasmë të Galerisë së Arteve.

Por ato janë shfaqur sërish të ekspozuara në oborrin e vilës që përdoret për pritje zyrtare të kryeministrit.

Endri Fuga, drejtor i Agjencisë për Mediat dhe Komunikimin nuk i dha një përgjigje shteruese motiveve të ekspozimit të statujës së Stalinit në ambientet e vilës qeveritare.

Lexo më shumë  Konfiskohen armë e municion në një shtëpi në Zveçan

“Është pjesë e një  instalacioni më të madh se statuja e Stalinit,” tha Fuga për BIRN, pa dhënë detaje mbi autorin apo titullin e instalacionit apo vendosjen e tyre në një godinë shtetërore ku hyjnë e dalin delegacione të huaja.

Kur u pyet nëse ky ekspozim mund të kishte pasoja sensitive për viktimat e komunizmit, Fuga shtoi se: “nuk besoj se duhet gjykuar mbi një vepër arti me syzet e politikës”.

BIRN mësoi nga Ministria e Kulturës se statuja e Stalinit është pjesë e një fondi prej 100 veprash të Galerisë së Arteve, të cilat u zhvendosën që aty për shkak të rikonstruksionit të godinës. Një burim i tha BIRN se veprat ishin “marrë për ruajtje”, por është e paqartë se si statujat përfunduan të ekspozuara.

Njerëzit që vuajtën në mënyrë direkte nga regjimi i Hoxhës e konsiderojnë ekspozimin e statujave të Stalinit dhe Leninit një “fyerje për vuajtjen e tyre”.

Lexo më shumë  Përballja Osmani-Vuçiq, Këshilli i Sigurimit mban sot seancë për Kosovën

Simon Mirakaj, jeta e të cilit u shënjua si ‘armik i popullit’ dhe kaloi në internim 44 vite, e cilëson shumë sensitive rikthimin e objekteve që glorifikojnë komunizmin.

“Ekspozimi i tyre është shumë sensitiv për ne dhe për të gjithë shqiptarët, pasi ata janë dy persona që kanë shkaktuar mjaft plagë në vendet e tyre dhe në vendet e tjera që kanë qenë në varësi të ish-Bashkimit Sovjetik,” tha Mirakaj për BIRN.

“Në Shqipëri, kampi famëkeq i Tepelenës që ka marrë shumë jetë njerëzish i përket pikërisht asaj periudhe të Stalinit,” shtoi ai.

Ekspozimin e statujave në një vend të dukshëm dhe pa shpjegimin e nevojshëm e sheh të gabuar edhe Çelo Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve të Komunizmit.

“Ka dy praktika për objekte të kësaj natyre; të shkatërrohen ose të ruhen dhe të ekspozohen në muze të posaçëm për komunizmin me sqarimet e caktuara ose galeri specifike, por nuk mund të ekspozohen në hapësira publike,” tha Hoxha për BIRN.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *