Lajme

Sot mbahet takimi i radhës Bislimi – Petkoviq në Bruksel

Sot në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, për të diskutuar sërish dhe gjetur një zgjidhje për dinarin e ndaluar serb në Kosovë.

Lidhur me këtë temë, gjatë ditës së djeshme është deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Ai tha se Bislimi në takimin e së enjtes në Bruksel nuk mund të negociojë për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë se të dy kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i BQK-së.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Takimi i fundit në mes të kryenegociatorëve ishte më 25 mars, Kosova dhe Serbia kanë përfunduar edhe një rund bisedimesh, pa arritur përparim për çështjen e dinarit.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dallimet janë të mëdha dhe kërkohet një takim shtesë, ndërkaq ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kritikoi Kosovën se nuk po bën përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi.

Rruga Press

YouTube player