Skënderbe – Skënderbe- Skënderbe
Shkruan Ani Muraku – Arkitekte
6/5/2025
Në pritje të një heroi
Një qytet që pret heroin e radhës.
Një skulpturë që ka zënë vend aty ku duhet të kishte jetë.
Një qendër ku heroi përsëritet tre herë: një herë në emër, një herë në formë, e herën tjetër si kullë, por asnjëherë në përmbajtje, kuptim, dialog.
Në prag të zgjedhjeve, Tirana është në kërkim të një shpëtimtari të ri, që do të ngrejë të njëjtin monument me një fytyrë tjetër për të dominuar qendrën.
– Ku je?
– Tek Sheshi Skënderbej.
– Po ku fiks?
– Poshtë te Skënderbeu.
– Skënderbeu statujë apo Skënderbeu kullë?
Kështu më pyeti një mik sot në telefon.
Tre versione të një figure, që duket sikur nuk mjaftojnë më vetëm një herë. Për çfarë kemi nevojë kaq dëshpërimisht të riprodhojmë një hero në çdo formë të mundshme? Për kujtesë? Kontroll? Apo thjesht zbrazëti?
Simbolika apo uniformitet?
Në vijë distancë më pak se 100 metra linearë, emri i të njëjtit hero përsëritet tri herë: si shesh, si statujë, dhe si kullë. Ky shumëfishim nuk është thjesht një kuriozitet arkitektonik mendoj se është një pasqyrim i mungesës së vizionit urbanistik dhe kulturor. Nisa të kërkoj nëpër revistat online të arkitekturës se cili ishte vizioni i studios që e çoi projektin në këtë përfundim. Shpesh kurioziteti i huaj është “sipërfaqësor”, madje kanë një bindje të brendshme se gjenden akoma gjurmë të arkitekturës lokale në kryeqytet?!
Për më tepër, u mjafton dhe vetëm një formë e veçantë për të kuptuar një vend ku nuk kanë jetuar ndonjëherë, por thjesht kanë kaluar aty si turistë.
Si per sarkazem, lexoj këtë:
“Tashmë, qytetet në mbarë botën gjithnjë e më shumë ngjasojnë me njëri -tjetrin, unë gjithmonë i inkurajoj ato t’i rezistojnë kësaj, ta gjejnë karakterin e tyre individual dhe ta theksojnë atë”- MVRDV Winy Maas.
“Për mua, ndërtesa Skënderbe është një mundësi për ta bërë këtë. Ajo u sjell kuptim të ri elementëve ekzistues të arkitekturës shqiptare.” -Mvrdv
(Ref: https://www.dezeen.com/…/mvrdv-skanderbeg-building…/ )
Paradoksi i uniformitetit
Mendoj është një shkrim paradoksal kur kërkon t’i bësh rezistence uniformitetit duke e shumëfishuar këtë ikonë gjigante që ngjan më shumë si një Brand sesa një artikulim i karakterit lokal. Ndërtesa nuk zhvillon ndonjë element real të arkitekturës shqiptare, qoftë material, qoftë morfologji apo mënyrë ndërtimi. Thjesht një narrativë simbolike.
Në një vend mesdhetar, ku elementët janë të shumtë, të ndërlikuar dhe të shpërndarë gjeografikisht në histori pa kufij të qartë, është e habitshme se sa lehtë pretendohet të jetë zbuluar “elementin enigmë”, një formë një simbol apo një narrativë, që më pas e veshin si koncept për të ndërtuar mbi një realitet që nuk e kuptojnë.
Tashmë po, jemi dhe ne pjesë e uniformitetit global, njësoj si qendrat e reja urbane, por ndryshe nga to, brënda gjurmës së trashegimisë, ne mbivendosei.
Ndërtesa që ngrihet si spirale është një skulpturë, një formë që vendoset në qytet si shenjë ambicieje, por pa dialog. Një arkitekturë që kërkon të jetë ikonë, por përfundon si një figurë e vetmuar në një fushë loje ku askush nuk luan.
Në librin e tij “Humanise” arkitekti Thomas Heatherwick është kundër ndërtesave “të mërzitshme” dhe simbolike. Kritikon arkitekturën moderne për mungesë kreativiteti dhe për ndikim negativ që ka në shëndetin mendor të publikut. Ai bën nje eksplorim të thelle te konceptit te modernizmit në art, arkitekturë, dhe dizajn me nje fokus te vecantë në mënyrat se si këto fusha mund të krijojnë lidhje më të ngushta me njerzit dhe ambientin e tyre. Citoj këtu pjesën kur ai thote se:
-”Shumë ndërtesa moderne janë bërë skulptura publike të mbivendosura që synojnë të tërheqin vëmendjen e kalimtarëve, por shpesh dështojnë të krijojnë hapsira te jetueshme dhe funksionale”
Link:https://www.theguardian.com/…/humanise-a-makers-guide…
Te kthehem tek Heroi, i ngritur lart, mbi njerëzit, i paprekshëm dhe i padukshëm.
Në Shqipëri, heronjtë nuk vjetërohen por ata vetëm përmasohen. Nga kalë në beton, nga histori në branding. Dhe qyteti, në vend që të shërojë kujtesën, e shumëfishon si reklamë.
Nga kjo siluete e re, “Skenderbeu” mund te jetë çdokush mjafoton të ketë perkrenaren mbi kokë. Ky kontur mund ti ngjaj çdokujt. E për ironi ne nuk gjejmë asnjë referencë për figura apo godina që dikur lidheshin me nostalgjine dhe vetë Tiranën, tani kemi 3 Skënderbej.
Qyteti është kthyer në një film me superheronj, por pa superfuqi.
Si në një skenë të lënë përgjysmë nga Eternals,MARVEL, ku një perëndi gjigante shfaqet nga deti dhe mbetet atje, si kujtim i një ndërhyrjeje kozmike që askush nuk e kupton. Edhe këtu, një dorë ndërtuese ngrihet drejt qiellit, një kokë pa zë del mbi qytet por nuk lë asnjë gjurmë mbi njerëzit poshtë.
Por heronjtë nuk zbresin më nga qielli. Ata nuk dalin më nga deti.
Në një qytet që pret, mjafton që dikush të zbresë nga kulla.
Të ecë mbi tokë.
Të shohë qytetin në sy.
Sepse qyteti nuk është një mit. Është një vend ku njerëzit jetojnë.
Dhe ku betoni duhet t’i përkasë njeriut e jo heronjve”
Aty ku do të duhej të niste një hartë e re urbane, vendi mbetet bosh jashtë kornizës së interesit dhe jashtë logjikës së përfaqësimit. Mungesa përfaqësimit lokal në këtë rast zëvendësohet me tepricë simbolike kombëtare si për të mbuluar boshllëkun me madhështi.
Në fund, Tirana nuk ka nevojë për më shumë heronj. Ka nevojë për më shumë hapësira që të mos mbeten të padukshme. Një orientim i heshtur, tokësor, njerëzor është më i dobishëm për qytetin sesa një hero i shumëzuar.
GEZUAR SKENDERBE!
Rruga Press