Lajme

Skandaloze/Në gjashtë vite janë dhënë 630 milionë euro tenderë pa konkurrim

Nga viti 2015, nga buxheti i shtetit janë dhënë 630 milionë euro në tenderë pa konkurrim. Në hapjen e këtyre tenderëve ka marrë pjesë vetëm një operator ose operatorët e tjerë janë skualifikuar duke paracaktuar fituesin.

Më shumë se gjysma e tenderëve të sektorit të shëndetësisë kanë pasur vetëm një operator në garë. Mbi 6000 tenderë u kryen nga ky sektor, që kapin vlerën e 92 milionë eurove dhe janë dhënë pa konkurrencë.

Bashkitë, ndërmarrjet shtetërore, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Autoriteti Rrugor janë sektorët që kanë dhënë më shumë tenderë pa konkurrim.

Së bashku ato kanë dhënë mbi 3000 tenderë dhe vlera e tyre është 541 milionë euro. Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa sqaron për Euronews Albania shkeljet e ligjit të prokurimit publik, përmes shmangies së garës.

“Në ligjin e prokurimeve publike në Shqipëri prokurimi përmes garës është mënyra e parë që parashikon ligji dhe kjo presupozon që në më shumë se 90% të rasteve prokurimet duhet të realizohen bazuar në garë. Shmangia e garës edhe në ligj lejohet vetëm për projekte specifike, që lidhen me sigurinë kombëtare, me mbrojtjen e vendit, pra që flasin për teknologji sekrete dhe që ofrohen nga një operator, ndërsa në të gjitha rastet e tjera gara është e pashmangshme”, tha ai.

Lexo më shumë  “Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”, Osmani merr mesazhin nga ushtarët amerikanë

Një tjetër procedurë tenderimi që nuk garanton konkurrueshmëri është dhe ajo me negocim të drejtpërdrejtë ku nuk ka garë.

Në këto raste, autoriteti kontraktues negocion direkt me kompaninë që përzgjedh vetë pa shpallur njoftim për tender.

Mbi 8000 tenderë janë dhënë me negocim të drejtpërdrejt që nga viti 2015. Bazuar në analizën e Agjencisë së Prokurimit Publik vetëm për vitin 2020, 416 tenderë janë dhënë pa garë dhe vlera e tyre kap shifrën e 48.6 milionë eurove.

Kontratat pa garë janë bërë kryesisht për COVID-19 dhe për Rindërtimin. Për Xhepën, tenderët pa garë, ushqejnë korrupsionin. Edhe PPP-të sipas tij kanë mungesë konkurrence.

Lexo më shumë  Rohde: Gjermania do të katërfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë

“Fatkeqësisht procesi në vend që të përmirësohej ka degraduar më shumë. Kjo e para ushqen në mënyrë të drejtpërdrejtë korrupsionin dhe mbi të gjitha lidhet me efiçencën e shpenzimeve publike dhe dobësitë e theksuara në kryerjen e veprave publike. Praktikat e prokurimeve publike për kontrata të PPP duhet që të marrin fund. Vetë qeveria, e cila po mban një zë shumë kritik ndaj praktikave të ndjekura deri tani në fakt në projektet e veta të ardhshme ka projekte në shifra tepër serioze, të cilat shmangin konkurrencën, fjala vjen projekti prej më shumë se 2 miliardë dollarësh i portit të Durrësit, i cili është një shkelje flagrante e ligjit të prokurimit publik, sepse investimet publike nuk mund të bëhen me ligje të veçanta, por me ligjin e prokurimeve publike”, tha ai.

Për ekspertët nevojiten ndryshime ligjore dhe puna e organeve ligj-zbatuese për ndjekjen dhe vënien para drejtësisë të atyre që abuzojnë me paratë publike./euronews/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *