Argument

Skandalet e korrupsionit që mbyllën dyert e Asamblesë së PS-së

Që Edi Rama është me nerva kuptohet nga fakti që nuk i do kamerat në mbledhjen e Asamblesë. Në mungesë të kamerave, Ramës nuk i duhet të performojë apo të zgjedhë fjalët, por mund të jetë i drejtpërdrejtë dhe të flasë troç me vartësit e tij.

Një tjetër tregues që në Asamblenë e PS pritet të ketë një dush të ftohtë është ajo që ndodhi në një mbledhje të shkurtër qeverie, ku ai shkarkoi Delina Ibrahimajn si Ministre e Financave. Disa ditë më parë, Rama bëri të njëjtën gjë me Bledi Çuçin që e hoqi si Ministër të Brendshëm. Edhe atë me një mesazh në celular. Por pse është nervozuar lideri i gjithëpushtetshëm i Partisë Socialiste? Pse ka filluar t’i shkarkojë ministrat me mesazhe apo të organizojë aktivitete pa kamera?

Për të kuptuar këtë duhet parë se si në 2 muajt e fundit qeverisja e PS ka kaluar nga njëri skandal korrupsioni në tjetrin.

1) Lirimi nga burgu i Saimir Tahirit

Nuk dihet nëse Rama e kishte dhënë viston për lirimin nga burgu të Saimir Tahirit, por kur ai u lirua nga burgu ambasadorja amerikane reagoi me një mesazh kërcënues të paprecedent. Sipas Juri Kimit kushdo që kishte ndihmuar shokët do mbante përgjegjësi. Mesazhi i saj linte kuptohej se lirimi i Tahirit ishte një aferë korruptive. Të nesërmen në mbrëmje, Kim dhe Rama darkuan bashkë.

Lexo më shumë  Qoku: BDI-ja dogji rastin për të pasur një president shqiptar në MV

2) Arrestimi i Vangjush Dako

Vangjush Dakon, Rama e kishte quajtur mik të tij të ngushtë, duke u shprehur se miqtë nuk ia impononte dot Departamenti i Shtetit. Por Dako u arrestua në 6 Qershor me urdhër të SPAK me firmën e një prokurori që riaktivizoi dy dosje të vjetra që flinin në prokurori prej vitesh. Rama tha se pushteti i drejtësisë po përdorej pushteti i drejtësisë për të bërë gjëra që nuk shkojnë.

3) Skandali i Gjicit

Video-skandali i Safet Gjicit shpërtheu në telefonat e të gjithë shqiptarëve si një aferë seksuale, por më pas doli se në thelb të marrëdhënies mes kryebashkiakut të Kukësit dhe gruas që ai kishte në zyrë ishte korrupsioni. Rama nuk e komentoi fare. Në fakt nuk i mbetej shumë për të thënë. Ai firmosi shkarkimin e Gjicit që u arrestua nga SPAK.

4) Rrajat me shkopa bejsbolli

Dihej se në Krujë shteti ishin Rrajat, por pamjet e tyre që godisnin me shkopa bejsbolli një njeri të shtrirë e transmetuan me pamje të gjithë dhunën dhe banalitetin e qeverisjes Rama. Kryeministri urdhëroi shkarkimin e Bledi Çuçit dhe kërkoi dorëzimin e mandatit nga Rrahman Rraja, ndërsa në media u përsëritën deklaratat kur i kishte bërë avokatinë Rrajave përballë policisë.

Lexo më shumë  Meloni do ta mallkojë atë ditë kur njohu Ramën

5) Urdhër-arresti për Arben Ahmetajn

Që Arben Ahmetaj do të përfundonte në qeli bashkë me Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon u kuptua nga mënjanimi që i bëri Rama duke e zhveshur nga të gjitha funksionet në qeveri dhe në parti. Por Ahmetaj nuk e pranoi dënimin e partisë dhe tanimë është arratisur. Gjithsesi, shkëmbimi i deklaratave Rama-Ahmetaj për korrupsionin me inceneratorët, ishte një nga pikat kulmore të të vërtetave që i kanë dalë qeverisjes së Rilindjes.

6) Ndalja e fondeve të BE

Damka më e fundit ndaj Rilindjes është ndërprerja e fondeve në ndihmë të bujqësisë nga Bashkimi Europian për shkak të korrupsionit. Vetë Rama i ka dalë në mbrojtje sa e sa herë akuzave se me këto fonde abuzohej vazhdimisht, por kesaj here heshti, duke lënë Frida Krifcën t’i dilte për zot punës së saj. Në fakt, në mbledhjen e sotme të Asamblesë nuk është çudi që mesazhi kryesor i Ramës për vartësit e tij të jetë pikërisht ky; që ata duhet t’i dalin vetë për zot zullumit. Sepse kaq shumë skandale korrupsioni nuk i përballon dot i vetëm lideri i gjithëpushtetshëm.

Rruga Press

YouTube player