KryesoreOpinion/Aktualitet

Situata e rëndë në Malin e Zi dhe pesha e madhe e votës së shqiptarëve në zgjedhjet e 19 marsit

Nga Shaban Murati

Në një kohë normale zgjedhjet presidenciale të 19 marsit në një shtet të vogël ballkanik si Mali i Zi nuk do të kishin zgjuar ndonjë interesim të veçantë në opinionin publik ballkanik dhe europian.

Por në një kohë anormale si e tanishmja, kur Rusia po zhvillon një agresion të gjatë ushtarak kundër Ukrainës dhe po provokon për një konflikt ushtarak me NATO-n dhe po ndez tensione në Ballkan, zgjedhjet presidenciale në një shtet anëtar të NATO-s në rajon, pavarësisht nga madhësia gjeografike dhe demografike, duhen ndjekur me interesim të veçantë, së pari nga shtetet ballkanike anëtarë të NATO-s, përfshirë Shqipërinë, dhe së dyti nga shtetet e tjera demokratike të rajonit dhe të Europës.

Zgjedhjet presidencale të 19 marsit në Mal të Zi nuk janë thjeshtë zgjedhje presidenciale, por janë moment kritik i një përplasje të ashpër jetike midis dy vijave dhe poleve krejtësisht të kundërta kombëtare dhe ndërkombëtare.

E përkufizoi saktë situatën deputeti shqiptar në Malin e Zi Mehmet Zenka, i cili në një intervistë në 6 mars me gazetën mbarëkombëtare “Bota Sot” deklaroi:

“Tani në zgjedhjet presidenciale Mali i Zi përballet me dy opcione, në njerën anë qëndron politika euroatlantike dhe në anën tjetër ajo ruso-serbe dhe e ashtuquajtura “botë serbe” me idetë e “Open Ballkan”.

Zgjedhjet presidenciale zhvillohen në klimën e një krize të rëndë politike dhe institucionale, ku qeveris një qeveri filoserbe, e shkarkuar nga Parlamenti, e cila po bën çmos që i tërë pushteti qeveritar dhe presidencial t’i kalojë frontit politik filoserb.

Kjo krizë ka mbërthyer Malin e Zi qysh kur shërbimet sekrete ruse dhe serbe bashkë me kishën ortodokse serbe ndërhynë dhe manipuluan zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020, duke sjellë në fuqi qeverinë proserbe dhe proruse të Zdravko Krivokapiçit dhe të Dritan Abazoviçit. Ishte vazhdimi në formë të re dhe të heshtur i përpjekjes së Rusisë dhe të Serbisë për grusht shteti në Podgoricë në tetorin e vitit 2016 për të përmbysur qeverinë proatlantike dhe për të sjellë një qeveri proserbe dhe proruse, e cila të bllokonte anëtarësimin e Malit të Zi në Nato.

Rusia dhe Serbia, dështuan me grushtin e shtetit, por ata i hynë luftës së re hibride kundër Malit të Zi për ta nxjerrë shtetin nga binarët e atlantizmit, edhe pasi u bë shtet anëtar i NATO-s. Inxhinieringu politik, elektoral dhe propagandistik i shërbimeve sekrete ruse edhe serbe dhe i kishës ortodokse serbe solli ardhjen në pushtet të një qeverie proruse dhe proserbe, e cila paralizoi progresin normal të shtetit.

Ky inxhiniering antimalazez dhe antiatlantik po punon me kapacitet të plotë tani për fushatën presidenciale me qëllim që fronti politik filoserb të kapë postin e kryetarit të shtetit.

Fronti politik serb në Mal të Zi bëri një grim politik bizantin në prll të vitit 2022 dhe kamufloi e shkallëzoi proserbizmin e qeverisë duke bërë kryeministër politikanin me origjinë etnike shqiptare, Dritan Abazoviç, për të cilin eksperti i shquar amerikan i Ballkanit, profesor Daniel Serwer, shkruate para pak ditësh se “Mali i Zi, anëtar i NATO-s, ka një kryeministër prorus dhe një qeveri koalicioni proruse”.

Çfarë bëri kryeministri “shqiptar” Abazoviç? Ai u zgjodh të realizonte menjëherë planin serb të legalizimit të sundimit të plotë kishtar dhe politik të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, duke nënshkruar në 3 gusht 2022 marrëveshjen kapitullante të qeverisë së tij me kishën ortodokse serbe. E nënshkroi me nxitim pa pyetur as ministrat e tij dhe as parlamentin.

Është një marrëveshje nënshtruese, që zhbën identitetin kombëtar, shtetëror dhe kishtar të Malit të Zi dhe fronëzon frontin politiko-fetar filoserb si pushtet në vend. Kjo është pjesë e projektit serbomadh të përfshirjes së Malit të Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”, që është aneksimi i Malit të Zi nga Serbia.

Po në këtë linjë filoserbe kryeministri Abazoviç iu bind Beogradit për t’iu bashkuar projektit serb të “Ballkanit të hapur”, projekt të cilin jo vetëm presidenti malazez Milo Gjykanoviç e ka denoncuar si një projekt serbomadh dhe antieuropian, por të cilin as kryeministri filoserb Zdravo Krivokapiç nuk kishte guxuar ta përkrahte. E bëri “shqiptari i mirë“ Abazoviç, siç i ka përcaktuar gjithmonë Serbia shqiptarë të këtij lloji.

A ju duket rastësi që as si zëvendëskryeministër dhe as si kryeministër në dy vjet e gjysëm Abazoviç nuk bëri kurrë një vizitë zyrtare në Kosovë? A ju duket rastësi që kryeministri “shqiptar” Abazoviç nuk e denoncoi asnjëherë presidentin serb Vuçiç dhe Serbinë, të cilët gjatë një viti kanë kërcënuar katër herë me luftë Kosovën?

Lexo më shumë  Kurti merr pjesë në panairin e bizneseve Hannover Messe, takon sipërmarrës të kompanive të ndryshme

Me kryeministrin Abazoviç u bllokua plotësisht procesi i integrimit të Malit të ZI në BE. Mali i Zi, që ishte kandidati i parë për anëtarësim nga të gjitha shtetet kandidate të BE, u sabotua qëllimshëm në rrugën e tij europiane. Gazeta e mirënjohur ruse “Kommersant” shkruante në datën 5 mars:

“Në vend të kandidatit kryesor për anëtarësim në BE, Malin e Zi nisën ta quajnë tani “sëmundja kanceroze e integrimit europian”. U bllokua procesi i hyrjes së Malit të Zi në BE, hyrje për të cilën janë dakord mbi 75 përqind e qytetarëve”.

Kryeministri Abazoviç zbatoi praktikën hileqare të Serbisë, duke i krijuar mundësi Rusisë që të shmangë sanksionet e BE nëpërmjet hapjes me urgjencë të mijra firmave të reja tregtare ruse në Malin e Zi pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Televizioni malazez njoftonte në 6 mars se vitin e fundit janë hapur në Malin e Zi rreth 4 mijë kompani ruse, shifër që përbën shtatëfishin në krahasim me një vit më parë.

Aktualisht kemi në zhvillim e sipër një operacion të luftës hibride serbo-ruse kundër shtetit të pavarur të Malit të Zi, anëtar i NATO-s, operacion që ka strategjinë e marrjes së pushtetit presidencial nga fronti politik filoserb dhe të godasë forcat politike, që mbrojnë pavarësinë dhe identitetin kombëtar dhe shtetëror të Malit të Zi. Pra kemi një moment rreziku ekzistencial për Malin e Zi.

Siç shkruante shkrimtari i njohur malazez, Andrej Nikolaidis, “ Fronti Demokratik (serb) është një formacion Moskë-Beograd për luftën hibride kundër Malit të Zi”.
Kaq arrogant është bërë fronti politik proserb dhe prorus sa që kanë hequr çdo maskë dhe kandidati kryesor i këtij fronti për zgjedhjet presidenciale të 19 marsit është çetniku i njohur serb, Andrija Mandiç, i cili ka qenë pjesëmarrës direkt në përpjekjen ruso-serbe për grusht shteti në Podgoricë në 2016 dhe është dënuar nga Gjykata e Podgoricës me pesë vjet burg për pjesëmarrje aktive në puç.

Në 3 mars “vojvoda i çetnikëve”, siç njihet Mandiç, konfirmoi se ka shtetësinë e Serbisë. “Fronti Demokratik” serb, që udhëhiqet nga kandidati presidencial Mandiç, dhe që erdhi në fuqi në gushtin e 2020, siç shkruan gazeta ruse “Komersant”: “ka kërkuar egërsisht daljen e Malit të Zi nga NATO, refuzimin e sanksioneve antiruse të BE dhe çnjohjen e Kosovës nga Mali i Zi”.

Rusia zyrtare dhe Serbia zyrtare po i kushtojne vëmendje të posaçme zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi. Arsyet i zbulon në 6 mars gazeta ruse “Smolenskaja narodnaja gazeta”, e cila shkruan se “kursi i ardhshëm politik i Malit të Zi sot plotësisht do të varet nga rezultati i garës presidenciale”.

Ndaj institucionet ruse të luftes elektorale dhe psikologjike dhe të propagandës së orkestruar po punojnë me kapacitet të plotë për të sulmuar dhe përgojuara forcat politike të pavarësisë së vendit. Ndërhyrja ruse dhe serbe dhe e kishës ortodokse serbe në zgjedhjet e presidenciale është kaq flagrante, sa që zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, paralajmëroi në 1 mars se “Rusia do të përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, duke provokuar tensione dhe përplasje”.

Në këtë situatë të rënduar politike dhe institucionale, kur janë në pikëpyetje pavarësia dhe orientimi euroatlantik i shtetit të Malit të Z, zgjedhjet presidenciale nxjerrin në plan të parë me urgjencë rëndësinë e votave të shqiptarëve në Mal të Zi. Vota e tyre pro pavarësisë në vitin 2006 pati rëndësi të veçantë dhe ata demostruan një akt përgjegjëshmërie qytetare, kombëtare dhe properëndimore.

E njejta situatë po ndodh edhe sot, kur vota e tyre duhet të zgjedhë midis kandidatëve, presidencialë, që janë me NATO-n, me SHBA dhe me BE, dhe kandidatëve filoserbë, që janë me Rusinë, me Serbinë, me kishën ortodokse antishqiptare serbe, dhe janë kundër integrimit euroatlantik dhe kundër Kosovës.

Radiotelevizioni shtetëror i Serbisë i bëri jehonë të madhe deklaratës së kryeministrit malazez Abazoviç në 7 mars se ai nuk do të mbështesë kandidatin kryesor të forcave politike indipendentiste dhe proatlantike të Malit të Zi, presidentin e tanishëm Milo Gjukanoviç.

Serbia po financon shumë në diversionin elektoral në mesin e shqiptareve. Se sa rëndësi ka vota e shqiptarëve pro kandidatëve presidenciale të ruajtjes së pavarësisë së Malit të Zi, e tregon fushata e shfrenuar e shërbimeve sekrete serbe dhe e kishës ortodokse serbe për të futur përçarje dhe për të ndezur tensione midis shqiptarëve dhe malazezëve dhe për t’i joshur shqiptarët të mbyllen në geto etnike dhe të mos votojnë për kandidatin presidencial të pavarësisë së Malit të Zi.

Lexo më shumë  Tentoi të hyjë ilegalisht një serb në Kosovë, ndalohet nga policia

Fitorja e Forumit Shqiptar në zgjedhjet lokale të 5 marsit në komunën e Tuzit, ku shqiptarët fituan postin e kryetarit të Komunës dhe shumicën e këshilltarëve të komunës, po shfrytëzohet nga shërbimet e specializuara serbe dhe kisha ortodokse serbe për të ngritur në rrjetet sociale dhe nëpër portale në Mal të Zi një stuhi urrejtje kundër shqiptarëve si gjoja rrezik për popullin malazez. Qëllimi është për të larguar vëmendjen e popullit malazez nga rreziku i madh imediat serb në zgjedhjet presidenciale dhe për t’i bërë shqiptarët që, si kundër-reaksion, të mos votojnë fare në zgjedhjet presidenciale, duke ia lehtësuar kështu fitoren forcave filoserbe.

Duke shkruar në 7 mars në portalin “cdm.me” për tensionet e reja artificiale midis shqiptarëve dhe malazezëve pas zgjedhjeve lokale në Tuz, analisti malazez Ljubomir Filipoviç theksonte: “A është rastësi kjo? Një gjë është e sigurt, që dikush në Beograd po fërkon duart me kënaqësi”.

Shqiptarët në Mal të Zi duhet të gjykojnë me gjakftohtësi dhe dhe të vlerësojnë me largpamësi se interesi i tyre jetik shtetëror dhe kombëtar është që Mali i Zi të mbetet shtet i pavarur anëtar i NATO-s, nesër anëtar i BE, dhe jashtë çdo influence të Serbisë, të Rusisë dhe të kishës ortodokse serbe, që janë armiqtë më të mëdhej të çeshtjes kombëtare shqiptare dhe të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Ballkan.

Shqiptarët në Mal të Zi duhet të kuptojnë se edhe caktimi nga fronti politik serb dhe nga mbështetja e kishës ortodokse serbe e një kryeministri si Abazoviç ishte një djallëzi serbe për të krijuar një çarje të madhe midis shqiptarëve dhe malazezëve, sepse ai që firmosi marrëveshjen antimalazeze me kishën ortodokse serbe u zgjodh qëllimisht të kishte plis shqiptar.

Nuk duhet të mashtrohen shqiptarët e Malit të Zi nga sirenat e lobit zyrtar filoserb në Tiranë, që e pompoi në përmasa komike kryeministrin malazez Abazoviç pas nënshkrimit të marrëveshjes së tij me kishën ortodokse antishqiptare serbe dhe pas pranimit prej tij të projektit serb të “Ballkanit të hapur”.

Ky pompim nga Tirana bëhet për t’u hedhur hi syve të shqiptarëve në Mal të Zi, për t’i bërë të pajtohen me linjën proserbe të kryeministrit dhe ne fund të fundit këto glorifikime liliputësh nga lobi zyrtar filoserb në Tiranë duhen marrë si apologji direkte për kishën ortodokse antishqiptare serbe dhe për Serbinë e presidentit Vuçiç.

A e dini se vetëm në Shqipëri dhe në asnjë shtet tjetër ballkanik nuk u përshëndet marrëveshja kapitullante e Abazoviçit me kishën ortodokse serbe, dhe vetëm në Shqipëri disa media e portale në mënyrë të paturpshme lavdërojnë atë marrëveshje, çka tregon se ndikimi dhe financimi i kishës serbe dhe i shërbimeve sekrete serbe në drejtim të Tiranës janë shtuar shumë kohët e fundit.
Shqiptarët e Malit të Zi nuk duhet të krijojnë iluzione për tezat e rreme të propagandës filoserbe, e cila po reklamon disa të kandidatë të gjoja të drejtave qytetare, të cilët janë në fakt të sponsorizuar nga kisha serbe, siç janë kandidatët të një partie të krijuar me shpejtësi nja tre muaj më parë nga dy ministra të qeverisë se Abazoviçit.

Është një diversion elektoral serb për të pakësuar elektoratin e kandidatëve presidencialë, që janë për pavarësinë dhe për NATO-n. Frontit politik serb në Mal të Zi nuk i bie ndërmend për të drejtat qytetare të pakicave, por synon mënjanimin e votave të pakicave nga kutia e pavarësisë.

Shqiptarët në Mal të Zi nuk duhet të harrojnë se shteti i pavarur i Malit të Zi, anëtar i NATO-s dhe jashtë ndikimit edhe kontrollit të Serbisë dhe të Rusisë, është interes strategjik i NATO-s, i Shqipërisë dhe i Kosovës. Pra një interes ekzistencial i tyre. Një Mal i Zi nën sundimin e Beogradit është një kërcënim madhor, që shkon përtej atij shteti dhe përtej Balkanit Perëndimor.

“Aleanca e Malit të Zi Europian” paralajmëronte në 6 mars në një thirrje të saj drejtuar votuesve për zgjedhjet presidenciale se “Me mbeshtetjen e Moskës Serbia kërcënon të aneksojë Malin e Zi me qëllim që të dalë në portet e detit Adriatik”.

Ndaj besoj se shqiptarët e Malit të Zi në zgjedhjet presidenciale të 19 marsit do të votojnë për indipendentistët dhe jo për filoserbët. Besoj se ata do të votojnë tani, siç vepruan në referendumin e pavarësisë së Malit të Zi në 2006, duke konfirmuar edhe njëherë orientimin thelbësor mbarëshqiptar për atlantizmin dhe për Perëndimin./Gazeta Dita

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *