Sipas logjikës së krerëve të opozitës, kur populli voton për ta, ajo quhet “vullnet demokratik”, por kur populli voton për Albin Kurtin, atëherë qenka “rrezik për demokracinë”
Shkruan Lirim Gashi
Sipas logjikës së krerëve të opozitës, kur populli voton për ta, ajo quhet “vullnet demokratik”, por kur populli voton për Albin Kurtin, atëherë qenka “rrezik për demokracinë”.
Pra, demokracia për ta qenka si ashensori privat i një hoteli luksoz: funksionon vetëm kur i çon ata lart. Në momentin që ngjiten të tjerët, ashensori shpallet diktaturë.
Këta njerëz e duan popullin vetëm kur populli sillet si bankomat: fut kartelën, nxirr votën dhe mos bëj pyetje.
Por sapo qytetari fillon të mendojë me kokën e vet, të kërkojë llogari dhe të mos blehet me një thes miell apo me një vend pune për kushëririn e pestë, atëherë populli, sipas tyre, “qenka mashtruar”.
Dhe ironia më e madhe është se disa prej këtyre “mbrojtësve të demokracisë” kanë kaluar jetën duke jetuar si parazitë politikë: pa ide, pa vizion, pa ndershmëri, por me barkun gjithmonë pranë sofrës së shtetit.
Ata nuk e kuptojnë se koha kur politika ishte biznes familjar po perëndon. Populli nuk i sheh më si pasardhës të komandantëve të paprekshëm në krye të partive të tyre, por si aksionarë të një ndërmarrjeje të falimentuar morale që për vite të tëra e trajtoi shtetin si plaçkë lufte.
Prandaj frika e tyre nuk është diktatura.
Frika e tyre është diçka shumë më e tmerrshme për ta:
Një popull që nuk frikësohet më prej tyre. Një qytetar që nuk shitet më. Dhe një votë që nuk kontrollohet më nga pazaret e natës, dosjet, shantazhet dhe tregtia patriotike.
Sipas logjikës së disa opozitarëve tanë, demokracia qenka si kaca e turshive: po ia vure tri kapakë me ngjyrë të njëjtë, shpërthen menjëherë diktatura.
Këta njerëz e paraqesin Albin Kurtin sikur nesër do të zgjohet me mustaqe të shekullit të kaluar, do ta mbështjellë Kosovën me tela me gjemba dhe do t’i zëvendësojë zgjedhjet me gara në recitim patriotik.
Por fatkeqësia e tyre është se historia ekziston. Dhe historia ka zakon t’ua prishë dramat aktorëve të dobët politikë.
Në Gjermani — një shtet që demokracinë nuk e mëson nga komentet e Facebookut, ka pasur periudha kur e njëjta forcë politike mbante postin e kancelarit, presidentit federal dhe kryetarit të Bundestagut. E çuditshmja është se Gjermania nuk u shndërrua në Korenë e Veriut. Askush nuk filloi të marshonte me daulle nëpër Berlin e as nuk u ndalua buka me mendim kritik.
Sepse demokracia nuk matet me kalkulatorin e histerisë opozitare, por me funksionimin e institucioneve, zgjedhjeve dhe ligjit.
Por budallai politik ka një talent të rrallë: ai sheh diktaturë edhe te semafori. Nëse një dritë me ngjyrë të njëjtë ndizet dy herë radhazi, ai alarmohet: “Po monopolizohet trafiku!”
Nëse populli voton disa herë të njëjtën forcë politike, ai nuk mendon: “Mos ndoshta populli është i kënaqur?” Jo. Ai mendon: “Populli qenka manipuluar, hipnotizuar ose i ka humbur memoria kolektive.”
Sepse për narcisin politik, populli është inteligjent vetëm kur voton për të. Në momentin që voton kundër tij, populli bëhet “viktimë e propagandës”, “i mashtruar”, “i paditur” ose “rrezik për demokracinë”.
Kështu që paniku që po përhapet nuk është frikë për demokracinë. Është frikë nga humbja e privilegjeve. Dhe kur privilegjet rrezikohen, shumë politikanët mafiozë fillojnë të flasin për demokracinë me të njëjtin zell me të cilin hajduti flet për sigurinë e bankave.
Rruga Press

