Bota

Si (dhe pse) ndryshoi strategjia e Bidenit për luftën në Ukrainë?

Shkruan Federico Giuliani, Inside Over

Nga përshkallëzimi i vazhdueshëm verbal, te tentativa për të ulur tonin, Joe Biden po jep ndjesinë se dëshiron të rikalibrojë strategjinë e SHBA kundër Rusisë.

Nëse deri pak muaj më parë presidenti amerikan hidhte akuza kundër homologut të tij rus Vladimir Putin, duke e quajtur “kasap” apo diktator që i ka ditët e numëruara, tani kreu i Shtëpisë së Bardhë me siguri e ka kuptuar se duke vazhduar në këtë rrugë mund të jetë kundërproduktive.

Dhe jo vetëm për sikletet e ardhshme që do të dalin në negociata, por nëse lufta përfundon, nuk mund të flasësh me një president që e ke fyer disa herë.

Tonet triumfale të paralajmëruara muajt e fundit nuk janë më në përputhje me realitetin dhe kjo është arsyeja pse Biden ka filluar të humbasë durimin me bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Të cilët, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, vazhdojnë të flasin për fitore, nëse jo të pamundura, shumë të vështira për t’u arritur në fushën e betejës.

Biden, në veçanti, ishte zemëruar me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe gjithashtu me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin. Historia u zbulua nga transmetuesi NBC, sipas të cilit, që në prillin e kaluar presidenti amerikan i kishte thënë kreut të Pentagonit dhe Blinken që të moderonin retorikën e tyre në mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, nga frika e rrezikut të një konflikt të drejtpërdrejtë me Moskën.

Lexo më shumë  Sfiduesi i Orbanit në Hungari mobilizon mijëra vetë në demonstrata

Apeli do të vinte pasi të dy ministrat kishin bërë thirrje për fitoren e Ukrainës dhe një dobësim të Rusisë. “Biden nuk ishte i lumtur kur Blinken dhe Austin flisnin për fitoren e Ukrainës. Ai nuk ishte i kënaqur me këtë retorikë”, tha një nga burimet.

Frika u pasua nga realizmi. Edhe Biden do ta kishte kuptuar se situata në kuadrantin lindor të Ukrainës është më e ndërlikuar se sa pritej, si dhe e ndryshme nga pritshmëritë. Rusia mund të jetë larguar nga Kievi, por tani i ka vendosur rrënjët në Donbas dhe çdo ditë që kalon, vazhdon të pushtojë pjesë të territorit (duke pritur të kuptojë se çfarë ka ndërmend të bëjë Putin: të ndalet apo të vazhdojë në drejtim të Odesës).

Realizmi në komandë

Pentagoni në fakt do të ishte i shqetësuar për kthesën që ka marrë konflikti. Nga pikëpamja propagandistike vazhdon të ketë kuptim nxitja e ushtrisë ukrainase drejt fitores, por duke folur realisht, Kievi vështirë se do të jetë në gjendje të rimarrë të gjitha territoret e humbura, jo pa kaluar një luftë të gjatë dhe të përgjakshme, me një përfundim të pasigurt.

Lexo më shumë  Shkarkimi i Escobarit, Bugajski: Koha që ShBA-ja të emërojë një të dërguar të pakorruptuar

Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të bëjnë presion ndaj Volodymyr Zelenskyt, që presidenti ukrainas t’i japë Rusisë diçka. Uashingtoni është i vetëdijshëm për dy fakte: konflikti do të jetë ende i gjatë dhe negociatat nuk janë shfaqur ende në horizont. Por kini kujdes, sepse kur flasim për “konflikt të gjatë” nuk nënkuptojmë domosdoshmërisht konflikt ushtarak. Beteja në fushë mund të përfundojë brenda disa javësh. Pas kësaj, në çdo rast, përballja mes bllokut perëndimor dhe Rusisë do të vijojë për shumë vite.

Ndërkohë Biden do të vazhdojë të furnizojë me armë Zelenskyn, duke u përpjekur të kuptojë se sa kohë mund të rezistojnë ukrainasit dhe, mbi të gjitha, sa lajme nga fronti (si kapja e disa luftëtarëve amerikanë nga forcat ruse) do të komprometojnë zgjedhjet e ardhshme afatmesme amerikane. Për Biden-in, heshtja nuk ka qenë kurrë e vlefshme si tani.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *