Shqiptarët spektatorë në shtëpi të vet, duke bërë scrolling* mes tezave maqedonase dhe bullgare
Editorial nga Roland Amzai
Prolog 2020
Shqiptarët në bllok u vetëzbrapsën duke lënë terren të lirë tek Marrëveshja e Prespës, me justifikimin bajat se nuk është një çështje që na takon neve, a thua se identiteti shtetëror është një temë ekskluzive etnike maqedonase?!
Me një distancë të tillë kirurgjike ne u sollëm në parim si jabanxhinj*, dhe në logjikën instrumentale si jooportun duke mos përfituar as edhe nje gjë nga ky deal* i shpejtë greko-maqedonas.
Kundërargumenti që dëgjohej si refren ishte: Po ja ne u futëm në NATO! Harrojmë se Shqiperia është në NATO që nga 2009-a, kurse vetë NATO është prezent në Kosovë që nga viti 1999. Pra shqiptarët nuk është se u futën në një organizatë ndërkombëtare, ata ishin me dy këmbë aty. Fakti që Maqedonia u bë pjesë e kësaj organizate përveç distancimit njëherë e mirë nga ndikimi rus në çështjet e sigurisë, kam përshtypjen se kemi harruar anën tjetër që nuk është diskutuar kurrë. Kjo pjesë quhet fuqia (de)stabilizuese e shqiptarëve në rajon. Kjo fuqi tashmë është baraz me 0. Me këtë bëhet qartazi dallim higjienik mes Marrëveshjes së Ohrit dhe Marrëveshjes së Prespës.
E para shënjon fuqinë e faktorit shqiptar në vend dhe rajon, kurse e dyta pafuqinë e tij. E para me gjithë të mirat dhe mangësitë e saj, u nënshkrua falë grupit të presionit nga poshtë, që ishin pjesëtarët e UÇK-së, kurse e dyta u nënshkrua falë pafuqisë së BDI-së dhe jo vetëm asaj. Tani jemi në një moment të tretë, që rrezikon ta eliminojë njëherë e mirë në parim dhe në oportunitet, qënien dhe interesin politik/e të shqiptarëve.
Momenti i tretë pra është marrëveshja në horizont maqedono-bullgare. Ku është konflikti? Lënda është e njejtë, gjuha dhe identiteti maqedonas. Shqiptarët me gjasë do t’i qasen njëlloj duke thënë: Kjo nuk është punë për ne. Me ç’rast, hipotetikisht, bullgarët do njohin gjuhën maqedonase, por jo edhe alfabetin, do njohin lëvizjen VMRO, por jo edhe Goce Dellcevin. Në parim, ngjajshëm si tek Marrëveshja e Prespës.
1. Së pari, nuk mund të bësh marrëveshje maqedono bullgare, pa marrë kompromisin e brendshëm, fillimisht intramaqedon e pastaj me shqiptaret.
2. Së dyti, fakti që Greqia e njohu me emrin Maqedonia Veriore nuk e hapi, por e përforcoi çështjen e karakterit kushtetues unitar të Maqedonisë, kurse nje marrëveshje me Bullgarinë për Gjuhën do ta mbyllte njëherë e mirë atë. Pra, pa përfundimin e Gjuhës Shqipe në kushtetutë do të ishte naivitet i përmasave historike të pranohej apriori një marrëveshje e re me Bullgarinë.
3. Së fundi, thjesht fare, nëse kjo prezantohet si Deal*, pas kësaj palët shtrojnë secili pyetjen: What do I get? Kjo e fundit do të prezantohet po ngjajshëm me tezën se do futemi në BE, a thua se vetëm tetovarët dhe struganët do ta kenë këtë privilegj?!
Review 2022
Kryeministri i ri bullgar Petkov, u tregua i hapur për bisedime, por ama vuri kufijtë e asaj që nuk tolerohet dhe kjo doli mes rreshtash indirekt nëpërmjet Ali Ahmetit si test, meqë LSDM është e delegjitimuar para qytetarëve maqedonas në vend sa i përket kësaj teme, sidomos pas humbjes katastrofale në zgjedhjet lokale.
Petkov dhe Kovaçeski folën për arritjen e parë e cila s’ishte gjë tjetër veçse karrem për qytetarët etnikë maqedonas, duke qenë se shqiptarët po vazhdojnë të vetëpërjashtohen nga ky proces. E arritja sipas tyre është “mosproblemi” i Bullgarisë me shkurtesën Maqedoni e Veriut.
Kjo gjë u shit me duartrokitje nga media, faktori ndërkombëtar, LSDM-ja dhe BDI-ja.
Kryetari i kësaj të fundit, Ali Ahmeti tha shprehimisht se “asgjë e keqe” nuk ndodh nëse e fusim minoritetin bullgar në kushtetutë.
Qasja shqiptare, vazhdon të jetë po ajo:
Spektator në shtëpi të vet, pa shesh, pa vendimmarrje, thjesht duke bërë scrolling*, se a e ka përshëndetur ndonjë ambasadë tezën maqedonase, tezën bullgare, apo jo.
Ne do të duhej ta tërhiqnim BE-në drejt çështjes sonë të (pa)shtruar, e jo ta trajtojmë veten si problem të (pa)zgjidhur apo më keq akoma si problem-shkaktues, si troublemakers* ; kur jemi të bindur se do bënim mirë të heshtnim e të rrinim larg punëve të shtetit (dërzhavës), meqë këto janë punë ekskluzive të dikujt tjetër.
Por, meqë me rezistencë të lartë, nuk po i qasemi akoma thelbit, karakterit të shtetit, teza bullgare u hodh në mënyrën më mëshiruese:
“Amani o vëllezër maqedonas, lejojini vëllezërit bullgarë në kushtetutë, ne shqiptarët nuk kërkojmë asgjë”.
©Rruga Press