Lajme

Shqipëri – Huamarrja në tregun e brendshëm do të rritet me 7.8% në tremujorin e dytë

Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të rritet në tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 96.8 miliardë lekëve, në rritje me 7.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shumë përfshin vetëm huamarrjen në lekë, ndërsa duke shtuar edhe obligacionet dyvjeçare në euro shuma totale e huamarrjes do të arrinte në rreth 109 miliardë lekë.

Megjithatë, vlera totale e planifikuar e huamarrjes do të jetë më e ulët krahasuar me shumën prej 116.7 miliardë lekësh të tremujorit të parë të vitit. Në pjesën më të madhe, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinancim të instrumenteve të maturuara. Vetëm një pakicë e vlerës së titujve të emetuar do të jenë borxh i ri.

Normat e interesit të instrumenteve të borxhit të brendshëm publik shënuan një minimum të ri historik në fund të vitit të kaluar dhe sipas Ministrisë Financave, yield-i mesatar zbriti në nivelin 3.53%, nga 3.65% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por, epokës së normave minimale të interesit të borxhit tashmë duket se i ka ardhur fundi.

Inflacioni i lartë po sjell një kthesë në politikat monetare të bankave qendrore dhe pritet të shoqërohet me një rritje graduale të normave të interesit gjatë këtij viti. Qysh në ankandet e muajit mars ka nisur të regjistrohet një tendencë në rritje e yield-eve, e shoqëruar edhe me një ulje të kërkesës së tregut për bonot dhe obligacionet qeveritare. Ekspertët e tregut besojnë se kjo rritje ishte e pritshme dhe se yield-et, sidomos për bonot ishin tepër të ulëta dhe të diktuara nga fakti se banka të veçanta dhe me peshë të lartë në këtë treg kishin teprica likuiditeti. Buxheti i shtetit do të jetë ndër humbësit kryesorë nga rritja e normave të interesit.

Lexo më shumë  Miratohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes kornizë ushtarake mes Kosovës dhe Turqisë

Në fund të vitit 2021 borxh publik arriti në vlerën e 1.38 trilionë lekëve, shumë e vlerësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë sa 78.15% e PBB-së. Borxhi publik në terma realë u zmadhua për të dytin vit radhazi dhe rritja e pritshme e normave të interesit pritet të rrisë ndjeshëm kostot e shërbimit të borxhit. Vitin e kaluar, qeveria pagoi afërsisht 36 miliardë lekë për interesa borxhi, shumë kjo afërsisht sa 2% e PBB-së.

Sipas projeksioneve të Buxhetit 2022, deficiti buxhetor, në terma realë, programohet të ulet në 5.4% të PBB-së për vitin 2022, kundrejt nivelit 6.8% të pritur për vitin aktual. Megjithatë, rëndimi i situatës inflacioniste, i nxitur sidomos nga lufta në Ukrainë, e ka rritur pasigurinë rreth treguesve buxhetorë. Nga njëra anë, rritja e çmimeve ka dhënë një ndikim pozitiv në të ardhurat buxhetore, që për dy muajt e parë të vitit 2022 u rritën me 26% krahasuar me një vit më parë.

Lexo më shumë  “Arnat” e radhës për rrugën Tiranë-Durrës në nisje të sezonit turistik

Për dy muajt e parë të vitit, buxheti ishte në suficit të të ardhurave me 18.7 miliardë lekësh, përkundrejt një deficiti prej rreth 500 milionë lekësh një vit më parë. Por, nga ana tjetër, rritja e çmimeve ka detyruar qeverinë të ndërmarrë një paketë masash për zbutjen e efekteve të saj tek shtresat më të prekura.

Kjo përfshin uljen e tatimit mbi pagat (i planifikuar gjithsesi që nga mesi i vitit), indeksimin e pensioneve, kompensimin e rritjes së çmimeve të produkteve të shportës për shtresta në nevojë, alokimin e subvencioneve për karburantin e fermerëve dhe për transportin urban, subvencionimin e mëtejshëm të çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vegjël dhe ofrimin e garancisë sovrane për importuesit e mallrave bazë të konsumit. Masat shtesë, (pa përfshirë uljen e tatimit mbi pagat), kanë një efekt në buxhet prej më shumë se 40 miliardë lekësh shpenzime shtesë./ Monitor.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *