Lajme

Shkolla diplomatike në Kosovë, Kurti: Jemi transparentë, arkivi në Serbi të hapet një orë e më parë

“Kosova synon paqen e qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë me vendet e rajonit dhe më gjerë” tha kryeministri Albin Kurti, gjatë  hapjes së edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike.

Kosova beson se me diplomaci do të arrijë të përmirësojë raportet fqinjësore, paqen dhe të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë të rajonit.

Vendi bashkoi të hënën diplomatë nga e gjitha bota në edicionin e 7-të të Shkollës Diplomatike.

Eventit iu drejtua edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e vuri theksin te bashkëpunimi si parim bazë i politikës së jashtme të Kosovës.

“Ndërsa Kosova rritet si shtet, ne vazhdimisht përpiqemi të shërbejmë si një model për botën si një vend, ku komunitetet dhe kulturat e ndryshme jetojnë në paqe, pavarësisht një të kaluare me luftëra dhe gjakderdhje.

Për më tepër, ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar të vazhdojmë të kontribuojmë në stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe më gjerë, ne do të vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin tonë të sigurisë me BE-në, SHBA-në, dhe partnerët e tjerë.

Politika jonë e jashtme bazohet në parimet e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Paqe e qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë me vendet e rajonit dhe më gjerë. Kjo bëhet edhe më e vërtetë kur çështjet janë të vështira”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Presidentja Osmani: Gjermania është aleate strategjike në rrugën euroatlantike të Kosovës

Qeveria kosovare shpreson se përvojat dhe mësimi nga njëri-tjetri do i bëjë vendet e rajonit të jenë më bashkëpunuese e mirëkuptuese.

Kryediplomatja Donika Gërvalla kujtoi se aspiratat e Kosovës janë qartësisht euroatlantike.

“Asnjë vend në regjion apo në Evropë, nuk është kaq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s. Në anketimet e fundit, mbështetja ndaj strukturave ndërkombëtare është mbi 90%, kjo është e veçantë, dhe kjo e përfaqëson vullnetin e popullit tonë dhe strategjinë e qeverisë sonë.

Jemi duke bashkëpunuar me shumë partnerë të tjerë anë e mbanë botës për të thelluar bashkëpunimin tonë. Ne kemi vendosur raporte zyrtare me mbi 100 shtete dhe shpresojmë që këtë ta bëjmë edhe shtete të tjera. Vendi ynë është duke promovuar raporte të mira me vendet fqinjësore, madje nganjëherë duket edhe më shumë se fqinjësore.

Politika jonë e jashtme synon të promovojë bashkëpunimin ekonomik në mes Republikës së Kosovës dhe vendet partnere, dhe investitorët e huaj.”

Shkolla Diplomatike organizohet nga Akademia Diplomatike e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert Stiftung”.

Mesazhi qendror i pjesëmarrësve ishte rritja e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar, por kryeministri Kurti iu kthye edhe një herë temës së krimeve serbe në shtetet fqinje, dhe pse moszbardhja e tyre do vazhdojë ta kushtëzojë sinqeritetin e palëve në tryeza.

Lexo më shumë  Tentoi të hyjë ilegalisht një serb në Kosovë, ndalohet nga policia

Arkivi në Serbi të hapet një orë e më parë

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë, të cilat i përfshijnë edhe ato gjatë luftës dhe të gjitha dëshmitë dhe materialet që janë të UÇK-së.

Ne jemi shumë të hapur e transparent, mirëpo neve na duhet që ta zbardhim fatin e të pagjeturve, i kemi edhe 1630 dhe për këtë duhet t’i hapim arkivat në Beograd, sepse vrasjet në Kosovë, varrosjet e atyre të vrarëve në masakra, pastaj varrosjet në Serbi e zhvarrosjet prej andej nuk janë bërë nga qytetarët serbë por janë bërë nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuar dhe të gjitha këto duhet të hapen një orë e më parë.

Nga viti 1999 e këtej ne kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, kemi pasur UNMIK-un, kemi pasur EULEX-in, kemi pasur Tribunalin e Hagës, pra vend më transparent e më të hapur jo vetëm për arkiva se Kosova nuk ka, ajo që tash realisht duhet të hapet është Serbia.

Gjenocidi në Bosnjë dhe në Kosovë kërkojnë që të zbardhet e vërteta, që të dihen edhe urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit dhe para së gjithash të merret vesh fati i atyre që na mungojnë”, tha Kurti.

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *