Opinion/Aktualitet

Shkenca pa shkencë

Nga Shaban Murati

Gjëja më e lehtë në Shqipëri është të bësh shkencë. Sepse nuk djersitesh për të bërë shkencë, por emërohesh. Ndaj disa anëtarë të qeverisë komuniste, megjithëse në moshën e tretë, në demokraci iu futën shkencës, që ishte po aq e lehtë sa politika, dhe që të jep shumë xhepa personalë kur je i lidhur me politikën. Pra u emëruan në shkencë.
Po kështu ndodhi edhe me disa politikanë të periudhës së tranzicionit, që u emëruan në shkencë nga qeveritë e tyre, kur udhëheqësi nuk i donte më në politikë dhe i emëronte drejtora në institucionet shkencore. Shkenca u bë zyrë partie, u bë gjendje civile krahinore, u bë rrapi i krushqive të fshatit. Konvejeri arsimor i partisë punonte 24 orë në ditë për prodhimin e çertifikatave profesor e doktor , njësoj si dikur komisionet e kategorive për xhenerikët.
Gallata ishte kur për pazare politike qeveria e majtë emëronte drejtora në shkencë politikanë të djathtë dhe qeveria e djathtë emëronte drejtora në shkencë politikanë të majtë. Dhe që qeveritë nuk e kanë hallin fare që të bëhet shkencë, e tregon fakti se i emërojnë në shkencë kur janë pleq.
Rezultati i tyre në shkencë është një vrimë në ujë, njësoj si rezultati i tyre në politikë. Ata, që dështuan në politikë, dhe që udhëheqësi i emëronte në shkencë, sollën me vete dështimin edhe në shkencë.
Shqipëria është i vetmi shtet në Europë, ku politika emëron shkencën, ndaj nuk mund ta prodhojë atë.

Lexo më shumë  Pse Enver Hoxha ishte kundër Republikës së Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave?

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *