Shkeljet milionëshe që Auditori i gjeti në Komunën e Prishtinës
Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur dhjetëra shkelje të kryera nga Komuna e Prishtinës në vitin 2024. Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prishtinës, i cili pritet të publikohet javën tjetër, ka specifikuar raste kur ky institucion ka bërë ndryshime në kushte të kontratave pa aprovimet e duhura, nuk ka lidhur kontrata në bazë të procedurave adekuate të prokurimit, ka hyrë në obligime pa mbulesë buxhetore, ka lëshuar leje ndërtimi pas fillimit të procedurave tenderuese e ka paguar miliona euro paradhënie kundërligjshëm.
ZKA-ja ka gjetur po ashtu se në vitin e shkuar për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore janë shpenzuar mbi 3.5 milionë euro, prej të cilave 1.07 milionë për kamata dhe shpenzime përmbarimore e 2.4 për borxhin kryesor.
Gjetjet e ZKA-së:
- Janë vërejtur parregullsi në menaxhimin e subvencioneve për kopshtin publiko privat.
- Komuna në tri (3) raste nuk kishte lidhur kontratën në bazë të procedurave adekuate të prokurimit.
- Në një (1) rast, Komuna kishte hyrë në obligime kontraktuale pa mbulesë të mjaftueshme buxhetore në shumën prej 1,398,964€.
- Në dy (2) raste, lejet e ndërtimit janë lëshuar pas fillimit të procedurave të prokurimit dhe pas nënshkrimit të kontratave.
- Vlera prej 5,200,000€ është paguar në formë të paradhënies në kundërshtim me Ligjin e prokurimit publik dhe Ligjin e buxhetit.
- Komuna kishte lidhur kontratë të re në vlerë prej 1,200,000€ për shërbime të projektimit pavarësisht ekzistencës së kontratës aktuale për shërbime të ngjajshme.
- Në tri (3) raste kemi hasur në dobësi gjatë menaxhimit të kontratave “Në shtëpi”.
- Në 31 raste të pagesave në vlerë 4,382,079€ nuk ishin respektuar hapat e përcaktuara për procedim të pagesave, pasi që urdhërblerjet ishin procesuar pas pranimit të faturës dhe në pagesa në vlerë 3,172,852€ zotimet ishin hartuar dhe nënshkruar pas pranimit të faturës.
- Në tri (3) procedura të prokurimit, operatorët ekonomik të përzgjedhur si fitues, ishin të papërgjegjshëm.
- Në 17 pagesa të investimeve kapitale, me vlerë totale 3,400,807€ janë bërë ndryshimet në shumat e ndara buxhetore të projekteve kapitale pa aprovim të Kuvendit Komunal.
- Në nëntë (9) kontrata kishte vonesa në realizimin e punimeve.
- Në dhjetë (10) kontrata për punë, ka pasur rritje të sasive në pozicione, pa marrë aprovimet e duhura.
- Në tri (3) kontrata publike kornizë me çmime për njësi, vlera e shpenzuar e një kategorie të caktuar, ka tejkaluar vlerën e lejuar për shpenzim sipas peshimit.
- Në 12 pagesa me vlerë të përgjithshme prej 1,143,191€ kemi vërejtur se faturat ishin vonuar për pagesë, përtej afatit ligjor prej 30 ditësh.
- Komuna ka ndarë subvencion për një (1) OJQ në fushën e sportit në vlerë prej 50,000€, pa shpallur thirrje publike dhe pa lidhur marrëveshje me përfituesin.
Pos këtyre gjetjeve, janë edhe dy tenderë ai për ndërtimin e “ishullit urban” Arbëri – Pallati i Rinisë me vlerë 6.5 milionësh dhe ndërtimin e thertores publike mbi 2.8 milionë euro, që nuk janë testuar për shkak se janë në hetime nga organet e drejtësisë.
Raporti i Auditorit ka rezultuar me 27 rekomandime, prej të cilave 12 janë të reja, 14 të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur.
Rruga Press