Bota

SHBA: Po vazhdon verifikimi i afganëve të vendosur në kampin Bondsteel

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara, Ned Price ka thënë se në kampin Bondsteel në Kosovë autoritetet amerikane po vazhdojnë verifikimin e afganëve të zhvendosur për t’iu mundësuar pranimin në Shtetet e Bashkuara apo në një vend të tretë.

“Si pjesë e procesit të vazhdueshëm të verifikimit për të evakuuarit afganë, disa nga ata, rastet e të cilëve kishin nevojë për përpunime shtesë, janë zhvendosur në kampin Liya, që ndodhet në kampin Bondsteel në Kosovë. Ekipet ndërinstitucionale po punojnë për të përfunduar procesin e pranimit të tyre eventual në Shtetet e Bashkuara ose për zhvendosjen në një vend të tretë”, ka thënë Price duke shtuar se shumë prej tyre janë larguar tashmë ose janë në proces të lejimit të largimit.

Ai nuk ka bërë të ditur numrin e afganëve të cilët janë lejuar të largohen nga Kosova apo të atyre që vazhdojnë të qëndrojnë në kampin Bondsteel.

Lexo më shumë  Sulmi me armë zjarri ndaj kryeministrit sllovak, Von der Leyen: Akte të tilla s’kanë vend në shoqërinë tonë, minojnë demokracinë

“Ne jemi mirënjohës për të gjithë partnerët tanë, dhe kjo përfshin edhe Qeverinë e Kosovës, që ka lejuar që këta të evakuuar të strehohen përkohësisht në Kampin Liya. Ne po ndërmarrim të gjitha përpjekjet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të rehatshëm në Kampin Bondsteel, ndërkohë që verifikimi është duke u zhvilluar”, tha Price.

Forcat ndërkombëtare, që kanë operuar në Afganistan për 20 vjet, janë tërhequr nga ky vend në fund të gushtit. Rreth 60 mijë persona që ikën nga ky shtet përmes fluturimeve ushtarake të organizuara nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera aleate, përfunduan në vende të ndryshme të botës.

Kosova ishte ndër vendet e para që ofroi strehim për afganët që u larguan nga vendi.

Lexo më shumë  Hungaria do të votojë kundër rezolutës për Srebrenicën

Ministria Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, më 5 nëntor bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, se në Kosovë deri tash kanë ardhur 1.307 persona, aktualisht janë 706, kurse janë larguar 601 persona.

Njoftimi i fundit për largimin edhe të një grupi afganësh nga Kosova ishte bërë më 5 nëntor nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë në të cilin thuhej se më shumë se 100 shtetas afganë që kanë qenë duke qëndruar përkohësisht në Kosovë janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *