Bota

SHBA-ja dhe Britania e Madhe kryejnë sulme të reja kundër Huthëve në Jemen

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë kryer sulme të reja ajrore kundër shënjestrave të rebelëve të Huthëve në Jemen.

Pentagoni ka thënë se në sulmet e së hënës janë shënjestruar tetë pika, përfshirë një qendër nëntokësore për rezerva dhe qendrat e nisjes dhe vëzhgimit të sistemeve raketore.

Rebelët e Huthëve, të mbështetur prej Iranit, kanë shënjestruar anijet komerciale, që besojnë se janë të lidhura me Izraelin dhe Perëndimin, gjatë kalimit të tyre në Detin e Kuq.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë thënë se po tentojnë të mbrojnë “qarkullim e lirë të mallrave”.

Lexo më shumë  Zelensky: Ukraina është “plotësisht e justifikuar” për sulmet kundër objektivave ruse të energjisë dhe ushtrisë

Kjo është vala e tetë e sulmeve të SHBA-së kundër shënjestrave të rebelëve Huthi në Jemen, ndërsa i dyti në bashkëpunim me Britanine e Madhe.

Për sulmet e fundit, në deklaratë është thënë se ka pasur koordinim edhe me Australianë, Bahrejnin, Kanadanë dhe Holandën.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, i ka përshkruar sulmet si “vetëmbrojtje” kundër “sulmeve të patolerueshme” të rebelëve Huthi ndaj anijeve komerciale.

Pavarësisht sulmeve paraprake, rebelët e Huthëve – të cilët furnizohen, trajnohen dhe këshillohen prej Iranit – vazhdojnë sulmet ndaj anijeve.

Rebelët deklarojnë se i kanë nisur sulmet si përgjigje ndaj ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazë.

Lexo më shumë  Zelenskyy akuzon Rusinë se po përpiqet ta përfshijë Bjellorusinë më thellë në luftën kundër Ukrainës

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazë janë vrarë mbi 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Rruga Press

YouTube player